Banorët e fshatit Zharrëz, prej 3 javësh në grevë urie, janë nisur drejt Tiranës, duke përshkallzuar protestën e tyre kundër kompanisë së naftës Bankers Petroleum, të cilën e akuzojnë si përgjegjëse për tërmetet e shumta që e kanë prekur zonën.[custom-related-posts title=”Related Posts” order_by=”title” order=”ASC” none_text=”None found”]
Mëngjesin e së mërkurës, pas 20 ditësh greve urie, 9 burra, të ulur në karroca tetraplegjike, e të shoqëruar nga dhjetëra banorë të fshatit Zharrës, pranë Fierit, nisën një marshim raskapitës drejt Tiranës.
Me këtë rrugëtim 126 kilometra të kryer mbi karroca, ata shpresojnë se do të zgjojnë interesin e qeverisë, e cila duket për momentin pak e prekur nga protesta e tyre.
Që nga viti 2008, banorët e fshatit Zharrës jetojnë me frikën e tërmeteve të shumta, të cilat kanë shkaktuar dëmtime të rënda të shtëpive të tyre modeste në mënyrë të vazhdueshme. Banorët ia drejtojnë gishtin kompanisë Bankers Petroleum, e cila shfrytëzon basenin naftëmbajtës poshtë shtëpive të tyre, si dhe metodën e injektimit të ujit tektonik, që përdoret për të lehtësuar nxjerrjen e naftës mbi tokë, si shkaktare të tërmeteve, shkatërrimit të banesave të tyre dhe ndotjes së mjedisit.
Qani Rrethi, kryetar i grevës së urisë, thotë se tërmetet shkaktohen nga shfrytëzimi joracional i vendburimeve nga kompania Bankers.
Banorët e Zharrëz kanë protestuar disa herë për dëmet e shkaktuara ndërsa lëkundjet që u regjistruan më 19 dhjetor të vitit 2016, i shtynë drejt hapit ekstrem të grevës së urisë dhe protestës së vazhdueshme. Kompania Bankers, e cila shfrytëzon burimin e naftës së Patos-Marinzës që nga viti 2004, thotë se aktiviteti i saj nuk është përgjegjëse për shkaktimin e tërmeteve.
Qeveria shqiptare, e cila ka ngritur një grup pune për të analizuar situatën, thotë se fillimisht do të zgjidhen ekspertë të pavarur për të vlerësuar nëse tërmeti është shkaktuar nga aktiviteti i Bankers apo nga shkaqe natyrore, por ky propozim nuk i ka kënaqur banorët, të cilët mendojnë se kjo është thjeshtë një manovër për të dekurajuar grevën pa dhënë zgjidhje konkrete.
Alket Asllani, 39 vjeç ka marrë pjesë në tre greva të ngjashme, por deri më tani nuk ka marrë asnjë kompensim për dëmet që ka pësuar banesa e tij.
Dëmshpërblimi dhe pezullimi i plotë i operacioneve hidrokarbure të kompanisë Bankers Petroleum, janë kërkesat e grevistëve.
Më 20 dhjetor të vitit 2016, qeveria urdhëroi Kompaninë të ndërpresë injektimin e ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit Zharrëz. Nga data e ndërprerjes së injektimit, sipas qeverisë nuk ka pasur lëkundje të tjera në zonë, ndërkohë që grupi i punës i qeverisë ka përfunduar raportin mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
Sipas raportit, që BIRN disponon, 508 shtëpi kanë pësuar dëmtime të shumta ndërsa 44 banesa janë bërë të pabanueshme.
Kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj ngarkon me përgjegjësi kompaninë Bankers.
Raporti i grupit ndërministror, sipas kryebashkiakes, merr parasysh kërkesat e banorëve dhe ofron nj zgjidhje përfundimtare të përplasjeve mes banorëve dhe kompanisë.
Kompania Bankers përjashton çdo mundësi të shkaktimit të aktivitetit sizmik si pasojë e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës.
“Duhet të evidentojmë se aktivitete sizmike natyrore ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por nëse vëzhgojmë ato lëkundje që kanë ndodhur tashmë, mbi 90% e tyre janë jashtë zonës ku operon Bankers,” tha kompania në një deklaratë për BIRN. Sipas saj, tërmetet e ndodhura janë në thellësi më të mëdha se sa zona ky gjendet burimi i naftës si dhe thonë se një grup ekspertësh në vitin 2008 patën dalë në konkluzionin se nxjerrja e naftës nuk është përgjegjëse për shkaktimin e tërmeteve.
Por pavarësisht nëse nafta është apo jo shkaktare e tërmeteve, për banorët e Zharrësit, pasojat duket se janë njësoj. Shtëpi të shembura, shtëpi të dëmtuara dhe një jetë mes frikës së tërmetit të radhës. Të bekuar dhe mallkuar njëkohësisht nga prania e naftës në fshatin e tyre, ata janë nisur drejt Tiranës, ku pritet të mbërrijnë pas tre ditësh rrugë, me shpresën se qeveria do t’i japë fund makthit shumëvjeçar të tërmeteve të vazhdueshme.