Hetimi i një grupi të strukturuar në kultivimin e kanabisit në qarkun e Vlorës gjatë vitit 2016 ekspozon rolin kyç të disa punonjësve të policisë lokale në dhënien e garancisë dhe informimin e vazhdueshëm të personave të implikuar mbi survejime apo përgjime të organeve ligjzbatuese.
Hetimi 1-vjeçar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një “grup të organizuar” të kultivimit të kanabisit në qarkun e Vlorës hedh dritë mbi mënyrën se si funksiononte aktiviteti i paligjshëm dhe rolin kyç që luanin punonjësit e policisë lokale në dhënien e garancive dhe informimit të vazhdueshëm të personave të implikuar.
Procedimi penal ndaj 8 të pandehurve u regjistrua në korrik të vitit 2016 pas një referimi të policisë gjyqësore, ndërsa operacioni për arrestimin e tyre u realizua në tetor të vitit 2016.
Për llogari të hetimit, grupit të mësipërm iu asgjësuan parcela me rreth 7 mijë rrënjë kanabis në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë ndërsa dyshohet se kishin parcela të mbjella edhe në fshatrat Dushkarak dhe Vlahinë të Selenicës gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2016.
Sipas kërkesës për gjykim të dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda më 2 tetor 2017, një kopje e së cilës disponohet nga BIRN, i akuzuari kryesor i këtij grupi të strukturuar ishte Taulant Haxhiraj, një 36 vjeccar nga qyteti i Vlorës, i cili kishte nisur përpjekjet për të siguruar sipërfaqe të mëdha toke në disa fshatra të thellë që prej muajit prill 2016.
Sipas Prokurorisë, Haxhiraj e kryente veprimtarinë e tij të paligjshme të kultivimit të kanabisit dhe shit-blerjen e drogave të forta në bashkëpunim me punonjësin e policisë, Renaldo Avdyli, të afërmin e tij, Xhovalin Bacco dhe shtetasit Shkëlqim Kocciaj, Marjus Bajrami dhe Reshat Radhima.
Sipas Prokurorisë, personat e mësipërm kishin siguruar sipërfaqe toke në pyll, kullota, tokë në pronësi të shtetit dhe të personave privatë, duke kultivuar sasi të mëdha të bimëve narkotike. Gjatë këqyrjes së këtyre zonave ka rezultuar se në këtë aktivitet ishin përfshirë një numër i madh personash dhe punëtorësh, të cilët qëndronin në kasolle të ndërtuara pranë parcelave me kanabis.
Të dhënat e siguruara nga kërkesa për gjykim tregojnë se mes Haxhirajt dhe Renaldo Avdulit, i cili mbante detyrën e ndihmës-specialistit në sektorin e antikrimit ekonomik në drejtorinë e Policisë së Vlorës kishte komunikim të vazhdueshëm lidhur me mbarëvajtjen e aktivitetit të paligjshëm dhe lëvizjeve të dyshimta të policisë në zonat e kultivuara.
Avduli, i cili dyshohet se zotëronte edhe vetë një parcelë të mbjellë me kanabis është përgjuar të paktën në një rast duke dekonspiruar përpjekjet e kolegëve të tij policë për të gjetur prova për grupin e mësipërm.
Procesverbali i transkriptit të një bisede telefonike të kryer më 7 gusht 2016 mes Haxhirajt dhe Avdulit, i cili përshkruhet në kërkesën për gjykim, ekspozon përpjekjet e punonjësit të policisë që bashkëpunëtori i tij në kultivimin e kanabisit të mos binte pre e një agjenti të infiltruar.
“Po erdhi nonjë nga Kruja atje mos e qas as për kafe as për tutje…Nonji i panjohur krutan,” mësohet t’i ketë thënë Avduli Haxhirajt përmes telefonit.
Sipas Prokurorisë, biseda lidhej me përpjekjen për të infiltruar një agjent të policisë si blerës kokaine dhe kanabisi brenda grupit të Haxhirajt. Insistimit të këtij të fundit për të mësuar arsyet, Avduli i është përgjigjur: “Mos e qas thashë se është nga tanët…”.
Implikimi i punonjësve të policisë në fenomenin e kultivimit masiv të kanabisit gjatë vitit 2016 ka qenë një ndër çështjet më të debatuara të politikës gjatë dy viteve të fundit. Për këtë arsye, një numër i madh drejtuesish të policisë në rrethe u ndryshuan në pranverën e vitit 2017, ndërkohë që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka premtuar “vettingun” në polici për ta adresuar këtë çështje.
Të dhënat e siguruara nga hetimi tregojnë se Taulant Haxhiraj ishte vazhdimisht i informuar për lëvizjet e punonjësve të policisë lokale. Një tjetër bisedë e përgjuar në 21 korrik 2016 tregon shqetësimin e tij për disa të shtëna me armë pranë parcelave të kanabisit, ndërkohë që Avduli e qetësonte duke i thënë se të shtënat nuk vinin nga policia.
Avduli, i cili i shpëtoi arrestimit dhe ndodhet në kërkim prej tetorit 2016 nuk ishte punonjësi i vetëm i policisë i vendosur në shërbim të aktivitetit të paligjshëm të Haxhirajt. Prokuroria e Krimeve të Rënda shpjegon se në njërin prej celularëve të 35 vjeçarit janë gjetur mesazhe dhe komunikime të koduara të informatorëve të tjerë të tij në radhët e policisë lokale.
“Nga përmbajtja e këtyre mesazheve rezulton se ky grup ka një strukturë të mirëfilltë kriminale, si nga mënyra e organizimit në gjetjen e tokave për të mbjellë bimët narkotike në qarkun e Vlorës, lidhja e krijuar më parë me punonjës të policisë vendore, marrja e garancisë nga punonjës të policisë për të mbjellë bimët narkotike, marrja e informacioneve në lidhje me organet e ndjekjes penale dhe ligjzbatuese nëse ata ndiqeshin, përgjoheshin apo survejoheshin nga organet e ndjekjes penale apo shërbime të tjera,” thuhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prokuroria shton se mesazhe të tilla, ku Haxhiraj informohej se ishte në kërkim nga Krimet e Rënda apo se përgjohej nga Shërbimi Informativ Shtetëror ishin nën emrat e koduar “Agushi”, “AdidaS”, “Fiati” apo “Xheku”.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka arritur t’i identifikojë këta persona, të cilët dyshohet se janë punonjës të policisë së Vlorës.
Përveç kultivimit të kanabisit, Taulant Haxhiraj akuzohet se ishte edhe shpërndarës kokaine. Sipas dëshmisë së një personi, i cili gjatë verës kishte hapur një lokal në Jalë, ai kishte blerë 10 herë doza kokaine prej 10 mijë lekësh te Haxhiraj.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon Gjykatës që nisë shqyrtimin gjyqësor për akuzat e “kultivimit të narkotikëve…”, “pjesmarrjes në grupin e strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” për Taulant Haxhirajn dhe 5 bashkëpunëtorët e tij, mes të cilëve edhe punonjësin e policisë së shpallur në kërkim, Renaldo Avduli.
Ndërkohë, dy personat e tjerë të kësaj dosjeve akuzohen për moskallëzim krimi.