Lajm3 Jun 2019

ILDKPKI heton kryebashkiakun e Mallakastrës për konflikt interesi

Inspektoriati ka hapur një hetim administrativ ndaj kryetarit të bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, i cili dyshohet se gjatë kohës që drejtonte komunën Qendër i dha një kontratë të majme kompanisë së vëllait të tij për ndërtimin e një ujësjellësi.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i bashkisë Mallakastër, Agron Kapplanaj | Foto nga : LSA

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konflikit të Interesit, ILDKPKI, ka filluar një hetim administrativ mbi dyshimet për konflikt interesi ndaj kryetarit të bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.

“ILDKPKI, bazuar në nenin 9 pika b) të ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ku përcaktohet se, “…si burim informacioni për interesat private të një zyrtari mund të jenë edhe të dhënat nga media”,  si dhe në zbatim të nenit 42, pika 1, gërma “gj” të ligjit 9367/2005,i ndryshuar, ka filluar menjëherë hetimin administrativ për verifikimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rastit të dyshuar të konfliktit rast për rast të interesit, për zyrtarin Agron Kapllani, Kryetar Bashkia Mallakastër, në ushtrimin e funksionit të tij publik,” tha Inspektorati nëpërmjet një njoftimi me shkrim.

Inspektoriati shtoi se në vijim të procedurës së hetimit administrativ të konfliktit të interesit, duke qenë se kemi të bëjmë me një rast të dyshuar  të konfliktit të interesave në fushën e prokurimit publik, për të verifikuar dhe hetuar ligjshmërinë e kësaj procedure prokurimi,  e ka referuar çështjen për ndjekje të mëtejshme nga strukturat e Agjencisë së Prokurimit Publik, si institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit për prokurimin publik.

Kapllanaj i ka rrënjët në botën e biznesit dhe përpara se të zgjidhej kryetar i bashkisë Mallakastër ai ka shërbyer për dy mandate si kryetar i komunës Qendër Mallakastër. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 ai fitoi garën në bashkinë Mallakastër si përfaqësues i Partisë Demokratike – pjesë e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 54.9% të votave.

Kryebashkiaku nuk po rikandidon në zgjedhjet vendore të 30 qershorit pasi opozita e ka bojkotuar procesin duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri teknike që do ta çonte vendin në zgjedhje të parlamentare.

Hetimi i ILDKPKI vjen pas publikimit nga BIRN të një investigimi mbi një tender të mbajtur nga komuna Qendër Mallakastër në vitin 2012 – kohë në të cilën drejtohet nga Agron Kapllanaj, i cili u fitua nga kompania ‘Shkëlqimi 07’, e cila është në pronësi të vëllait të kryebashkiakut.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, Kapllanaj mohoi të ishte në kushtet e konfliktit të interesit në lidhje me këtë tender, duke argumentuar se procedura e prokurimit ishte kontrolluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Kjo kontratë si dhe të gjithë kontrat e tjera kanë qenë objekt auditimi dhe kontrolli nga institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk ka konstatuar në raportet e tij përfundimtare asnjë shkelje të lloj të konfliktit të interesave,” tha Kapllanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *