Lajm14 Nov 2019

Kompetencat, Gjykata Administrative e Apelit e çon çështjen e “Botanikut” në Shkallë të Parë

Gjykata Administrative e Apelit e shpalli veten jo-kompetente në gjykimin e padisë së Universitetit të Tiranës ndaj Këshillit të Ministrave sa i përket pronësisë së Kopshtit Botanik. Çështja do të gjykohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kopshti Botanik i rrethuar nga të gjitha anët nga pallate të larta prej betoni. Foto: Vladimir Karaj.

Një trupë gjykuese me pesë gjyqtarë e gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë e shpalli veten jo kompetente në gjykimin e padisë së Universitetit të Tiranës ndaj Këshillit të Ministrave sa i përket pronësisë së Kopshtit Botanik.

Gjykata po ashtu vendosi kalimin e çështjes për gjykim në themel në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Në një deklaratë për shtyp të Drejtorisë Juridike dhe Marrdhënieve me Jashtë të Universitetit të Tiranës përgënjeshtroi lajmet se “padia ishte rrëzuar” apo që ajo “ishte në kundërshtim me ligjin”, publikuar ndër të tjera edhe në faqen onlinë të televizionit publik RTSH.

“Kërkesë padia e ngritur nga Rektori i UT-së kundër VKM-së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë. Gjykata Administrative e Apelit nuk ka rrëzuar padinë e Rektorit të UT, por ka përcaktuar kompetencën funksionale”, thuhet në deklaratën e UT.

“Është vendosur vetëm për kompetencën, dosja siç është kalon në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe aty do të gjykohet”, tha në një bisedë telefonike me BIRN përfaqësuesja e universitetit në gjykatë.

Ajo shtoi se veprimet e mëtejshme pa përfunduar gjykimi në themel i çështjes ishin të pamundura, pasi për to kërkohet nënshkrimi i marrëveshjes mes UT dhe bashkisë së Tiranës. “Rektori i UT nuk do të nënshkruaj marrëveshja pa përfunduar gjykimi i çështjes”, tha ajo.

Disa javë më parë Gjykata Administrative e Apelit vendosi se padia ishte legjitime dhe se çështja duhej të kalohej në gjykim. Gjykata shtyu atëherë seancën për të krijuar një trupë me pesë gjyqtarë për të marrë vendim mbi kompentencën. Kjo trupë vendosi që çështja duhej të gjykohej në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Universiteti i Tiranës ngriti padi kundër një Vendimi të Këshillit të Ministrave të 17 korrikut të këtij viti, sipas të cilit Kopshti Botanik që administrohej nga UT, kalon nën administrimin e Bashkisë së Tiranës është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe cënon autonominë e univesitetit. Vendimi i qeverisë kundërshtohet po ashtu nga profesorati dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, profesorë të të cilit kanë themeluar dhe më pas mbajtur kopshtin që prej krijimit të tij dhe që akuzojnë se trasferimi i pronësisë i zhvesh ata edhe nga pronësia e punës intelektuale e bërë për vite me rradhë në kopësht.

Lexo edhe:

Fakulteti i Shkencave të Natyrës ngre kambana alarmi për Kopshtin Botanik

Beteja për Botanikun: pedagogë dhe studiues kundër ‘shpronësimit’ nga Bashkia