Investigim27 May 2017

Koncesioni i sterilizimit u kushton 3.2 milionë USD shqiptarëve në 10 muajt e parë

Të dhënat e siguruara në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm tregojnë se koncesionari i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale ka mbuluar rreth 14 mijë ndërhyrje kirurgjikale me një kosto prej rreth 320 milionë lekësh gjatë 10 muajve të parë të operimit të tij.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ghatë një konference për shtyp në shtator pë recetën elektronike | Foto nga : LSA

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, i fituar nga konsorciumi Sani Service u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 320 milionë lekë gjatë 10 muajve të parë të operimit.

Pagesa e mësipërme përfshin vetëm setet kirurgjikale të ofruara nga koncesionari për rreth 14 mijë operacione të kompleksitetit të lartë, të mesëm dhe të ulët, të kryera në qendrën universitare “Nënë Tereza” gjatë muajve Maj 2016-Mars 2017.

Përveç seteve sterile kirurgjikale, kontrata koncesionare parashikon që kompania të ofrojë edhe materiale mjekësore një përdorimëshe apo dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Por vlera e përfituar nga këto shërbime mbetet ende e panjohur, pasi koncesionari e ka filluar këtë shërbim në Prill 2017.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i vuri në dispozicion BIRN pasqyrat përmbledhëse të ndërhyrjeve kirurgjikale të mbuluara nga Sani Service për 10 muajt e parë të operimit. Kërkesës për numrin e materialeve të sterilizuara me avull, të destinuara për aktivitete ndihmëse, FSDKSH u përgjigj se “nuk disponon ende informacion statistikor”.

Kontrata e koncesionit për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale u firmos mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sani Service në dhjetor 2015 për një afat 10 vjeçar me një vlerë të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.

Kompania koncesionare Sani Service përbëhet nga bashkimi i kompanive Investital Llc, Servizi Italia S.p.a, U.Jet S.r.l dhe Tecnosanimed.

Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital Llc- një kompani e vogël me kapital 1 mijë euro e regjistruar në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Ndërkohë, paketa e mbetur e aksioneve të koncesionit ndahet në 15 për qind për Servizi Italia, 15 për qind për Tecnosanimed dhe 15 për qind për U.Jet S.r.l.

Në dokumentet e tenderimit, Ministria e Shëndetësisë shpjegoi se shërbimi i dhënë me koncesion do të ofrohet në spitalet universitare dhe ato rajonale të vendit. Sipas studimit të fizibilitetit që i parapriu koncesionit, numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në këto spitale arriti në 50 mijë gjatë vitit 2013.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Qendrën Kombëtare të Bizneseve tregojnë se deri në fund të marsit 2017, Sani Service e kishte shtrirë aktivitetin e saj vetëm në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe në maternitetin Koço Gliozheni.

Me shtrirjen e këtij shërbimi në të gjitha spitalet universitare dhe rajonale-siç edhe parashikohet në kontratë, vlera e këtij shërbimi pritet të rritet shumëfish në vitet e ardhshme.

Kontrata koncesionare

I vendosur nën kritika për politikën e dhënies me koncesion të shërbimeve të kushtueshme në shëndetësi, kryeministri Edi Rama është mburrur vazhdimisht se kjo praktikë ka bërë të mundur modernizimin e shërbimeve.

Në qershor 2016, Rama inspektoi funksionimin e koncesionit të sterilizimit të kompanisë Sani Service dhe e quajti atë” një operacion të jashtëzakonshëm…dhe një tjetër hap me rëndësinë funksion të rilindjes së sistemit shëndetësor”.

Megjithatë, kontrata e koncesionit të cilën BIRN e disponon, tregon se shqiptarët do ta paguajnë gjithnjë e më shtrenjtë këtë shërbim. Në kontratën e lidhur, çmimet për njësi për pajisjet e seteve kirurgjikale janë ndarë në tre kategori, atë të kompleksitetit të lartë, të kompleksitetit të mesëm dhe të kompleksitetit të ulët.

Seti kirurgjik për ndërhyrjet e kompleksitetit të lartë do të kushtojë 37.700 lekë, ai për ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm 22.300 lekë dhe për ndërhyrjet me kompleksitet të ulët 13.900 lekë.

Sipas FSDKSH, Sani Service ka mbuluar me sete kirurgjikale 14 528 ndërhyrje kirurgjikale gjatë periudhës Maj 2016-Mars 2017. Nga këto, 3217 ndërhyrje kanë qenë të kompleksitetit të lartë, 5024 ndërhyrje të kompleksitetit mesatar dhe 6287 ndërhyrje të kompleksitetit të ulët.

Llogaritë matematikore tregojnë se Sani Service është paguar 320 705 400 lekë për setet kirurgjikale për të trija kategoritë ose rreth 3.2 milionë dollarë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kompania koncesionare ka ofruar gjithashtu instrumente të sterilizuara me avull për pacientët ambulantë dhe sterilizim me temperaturë të ulët, të cilat kushtojnë respektivisht 266 dhe 1090 lekë për njësi. Por Fondi sqaroi për BIRN se ky shërbim ka filluar më 8 Prill 2017.

Kontrata koncesionare përcakton që marrëdhënia mes FDSKSH dhe kompanisë të procedohet përmes raporteve ditore dhe atyre mujore të ndërhyrjeve të planifikuara kirurgjikale.

“Personeli spitalor duhet të njoftojnë koncesionarin në lidhje me shërbimet e përfituara  duke i dërguar këtij të fundit një informacion ditor dhe mujor. Informacioni ditor do të përfshijë ndër të tjera, numrin identifikues, tipin e ndërhyrjes, datën, klasifikimin e ndërhyrjes, paketime me avull,  ose me temperaturë të ulët,  të kryera nga struktura spitalore,” thuhet në nenin 5 të kontratës.

Kontrata përcakton penalitete për autoritetin kontraktor, në rastet kur përdoren më shumë materiale sterile se ato të përcaktuara apo kur vonohet disbursimi i pagesave.

Në rastin e parë, kompanisë i lind e drejta të paguhet për çmimin më të lartë plus 40 euro, ndërsa në rastin e pagesave të vonuara, kompania duhet të paguhet bashkë me një interes prej 7 për qind.