Lajm19 Oct 2018

Konfirmimi i gjyqtarit Artur Malaj konsiderohet “i pajustifikueshëm” nga ONM

Vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se gjyqtari Malaj është pronari “de facto” i një vile 3-katëshe në Vlorë dhe kontribues i aseteve në emër të familjarëve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kritikohet gjithashtu se nuk mori parasysh informacionet e DSIK për “kontakte të papërshtatshme” dhe dokumente të denoncuesve.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës Administrive e Apelit, Artur Malaj duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, në Tiranë më 31 korrik 2018. Foto: LSA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e konsideron “të pajustifikueshëm” vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Artur Malaj dhe kërkon përmes një rekomandimi fshikullues apelimin e rastit.

Ndryshe nga KPK, vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se gjyqtari Malaj dështoi të arrinte nivel të besueshëm të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale-sjellje që sipas tyre nuk i shërbejnë krijimit të një sistemi të besueshëm gjyqësor.

“Në të kundërt, rezultatet e hetimit rivlerësues të KPK-së çojnë vetëm në një përfundim: shkarkimin nga detyra,” argumentojnë vëzhguesit ndërkombëtarë në rekomandimin e dorëzuar në institucionin e Komisionerit Publik.

Gjyqtari Artur Malaj u konfirmua në detyrë më 3 gusht nga trupa gjykuese e drejtuar nga Genta Tafa Bungo dhe anëtare Suela Zhegu dhe Pamela Qirko. Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit mban datën 10 gusht, ndërkohë që Komisioneri Publik nuk e ka ushtruar ende të drejtën e ankimimit.

Kontestimi i ONM-së bazohet në gjetjet e hetimit të kryer nga KPK, të cilat ngritën dyshime për pasuri të fshehura apo të pajustifikuara të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, por që i rrëzuan në fund përmes një vendimi të diskutueshëm. Rekomandimi mbështetet gjithashtu në informacionet e agjencive ligjzbatuesve për kontakte të papërshtatshme dhe përfshirje në korrupsion-të cilat u rrëzuan nga KPK si të pabazuara në prova.

ONM ngre gjithashtu pikëpyetje për hetimin e aftësive profesionale të subjektit.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë besojnë se KPK nuk mori në konsideratë disa prej dokumenteve të përmendura në denoncimet respektive. Marrja e këtyre dokumenteve ishte e thjeshtë, përsa kohë që referencat e vendimeve ishin përmendur në denoncime,” thuhet në rekomandim.

Gjyqtari Artur Malaj ka drejtuar Gjykatën e Vlorës në vitet 2004-2013 dhe prej këtij viti punon si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Vëzhguesit ndërkombëtarë argumentojnë se ai besohet të jetë pronari “de facto” i një vile pranë shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë, ka kryer deklarime të pasakta për blerjen e një apartamenti dhe një garazhi si dhe dyshohet të jetë kontribuesi kryesor i pasurive të regjistruara në emër të personave të lidhur.

Gjatë seancës dëgjimore, Malaj kundërshtoi të kishte lidhje me vilën 3-katëshe dhe mbrojti idenë se të afërmit e tij kanë burime të ligjshme për pasuritë e tyre.

Vila 3-katëshe pranë shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë është një pikë e rëndësishme e kontestimit të ONM-së dhe konsiderohet prej vëzhguesve si “shembull i pasurisë së fshehur”. Një investigim i publikuar më 12 tetor nga BIRN zbuloi se kjo vilë e regjistruar në emër të ish-sekretares së Malajt është banuar për vite me radhë prej tij, nënës dhe vëllait të gjyqtarit si dhe është përfituar përmes një vendimi të dyshimtë të Gjykatës së Vlorës.

Rekomandimi i ONM-së nxjerr në pah kontraditat mes gjendjes “de jure” dhe “de facto” të pronës, përdorimin e saj si adresë zyrtare nga gjyqtari Malaj përgjatë viteve 2004-2012 si dhe dëshminë kontradiktore të njërës prej pronareve në “letra”, ish-sekretares së gjyqtarit Malaj, Alma Dautaj.

Vëzhguesit ndërkombëtarë sqarojnë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thirri për dëshmi të tre pronaret e vilës, por vetëm njëra prej tyre u shfaq, duke pretenduar se ishte e sëmurë dhe se dy të tjerat nuk do të dëshmonin.

Vila 3 katëshe në lagjen ‘Kushtrimi’ në Vlorë.

“Zonja ishte për 10 vjet sekretarja e subjektit në Gjykatën e Vlorës. Në deklaratën përballë Komisionit, dëshmitarja dështoi në argumente dhe fakte për të provuar burimin e ligjshëm të origjinës së pronës dhe të investimit. Ajo nuk ofroi prova për paratë që tha se i trashëgoi dhe as për origjinën e ligjshme të këtyre parave. Ajo nuk ishte e besueshme sa i përket përdorimit që ajo dhe familja e saj i kanë bërë vilës..,”thuhet në rekomandimin e ONM-së.

Shpjegimet e Malajt dhe të ish-sekretares së tij nuk i kanë bindur vëzhguesit ndërkombëtarë. Për më tepër, në rekomandim përmenden edhe dy denoncime të mbërritura në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, të cilat edhe pse nuk konsiderohen provë mbështesin gjetjet e mësipërme.

“Opinioni i vëzhguesve ndërkombëtare është që ky është një shembull i pasurisë së fshehur, i përmendur në nenin D5 të Kushtetutës. Subjekti ka ndërmarrë hapa për ta fshehur këtë pasuri, e cila është “de fakto” pronë e tij,” thuhet në rekomandim.

Sipas ONM-së, gjyqtari dështoi gjithashtu të shpjegonte në mënyrë të besueshme pasurinë e personave të lidhur, e cila përbëhet nga tre apartamente, një sipërfaqe e konsiderueshme toke si dhe likujditete të investuara në obligacione, bono thesari dhe depozita bankare.

Pronat janë fituar përmes kontratave me shtetas apo bashkëpronarë të shtetasve me probleme të vazhdueshme me ligjin-të cilat në seancën dëgjimore u lanë të kuptohet se ishin shtetasit Artur Shehu dhe përfaqësuesi i tij në Vlorë, Pullumb Petritaj.

“Njëri nga këta shtetas dyshohet si personi kryesor i përfshirë në tjetërsimin e dosjes së pronave dhe tjetri dyshohet se është përfshirë në mashtrim financiar,” thuhet në rekomandimin e ONM-së.

Duke iu referuar hetimit të KPK-së, vëzhguesit ndërkombëtarë ngrenë dyshime se familjarët e gjyqtarit Malaj nuk i justifikojnë asetet me burime të ligjshme dhe se dyshohet se ai vetë ka qenë një ndër kontribuesit kryesorë për një pjesë të tyre.

“Dokumentet dhe justifikimet e subjektit nuk krijojnë një bindje të arsyeshme se personat e tjerë të lidhur kishin burime të mjaftueshme të ligjshme për të justifikuar krijimin e aseteve të tilla,” thotë ONM.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit gjykon se pavarësisht dokumenteve dhe shpjegimeve të gjyqtarit Artur Malaj për “pastërtinë e figurës”, raporti i DSIK ku evidentohen “kontaktet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar si dhe gjetjet për korrupsion mbeten të vlefshme”.

Bindja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është mbështetur edhe në një denoncim të ri kundër Malajt, i cili kishte mbërritur pas shpalljes së vendimit të KPK-së.

“Ky denoncim përfshin akuza për korrupsion, fshehje të aseteve dhe kontakte të papërshtatshme me persona të krimit të organizuar, të cilin vëzhguesit e konsiderojnë të rëndësishëm për analizim të mëtejshëm,” thuhet në rekomandim. Një kopje e denoncimit bashkë me dokumentet mbështetëse i janë dorëzuar Komisionerit Publik.

Gjurmët e denoncimeve e kanë çuar ONM-në në një tjetër kritikë për hetimin e kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, në procesin e vetingut ka munguar një analizë tërësore e aftësive profesionale të subjektit.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kujton qëllimin e procesit të vetingut dhe gjykon se sjelljet e gjyqtarit Malaj nuk i shërbejnë krijimit të një sistemi të besueshëm gjyqësor.

“Subjekti dështoi të arrijë një nivel të besueshëm të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe të aftësisë profesionale, duke dështuar të përmbushë kushtet e nenit 59 të ligjit të vetingut,” përfundon rekomandimi i ONM-së.