Investigim9 May 2019

Konflikti i interesit; ndërtimi i ujësjellësit iu dha kompanisë së vëllait të kryebashkiakut

Kompania e vëllait të kryebashkiakut të Mallakastrës përfitoi një kontratë të majme për ndërtimin e ujësjellësit për furnizimin me ujë të dy fshatrave, gjatë kohës që Agron Kapllanaj drejtonte ish-komunën Qendër Mallakastër, një prokurim që ngre shqetësime për konflikt të mundshëm interesi.  

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i bashkisë Mallakastër, Agron Kapplanaj | Foto nga : LSA

Në zgjedhjet vendore të vitit 2015, Agron Kapllanaj fitoi garën në bashkinë Mallakastër si përfaqësues i Partisë Demokratike – pjesë e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet me 54.9% të votave.

Kapllanaj i ka rrënjët në botën e biznesit dhe përpara se të zgjidhej kryetar i bashkisë Mallakastër – e zgjeruar në vitin 2015 si rrjedhojë e reformës administrativo-territoriale, ai kishte shërbyer për dy mandate si kryetar i komunës Qendër Mallakastër.

Në gusht 2012, komuna Qendër Mallakastër hapi një procedurë prokurimi për ndërtimin e ujësjellësit nga depoja e Qafës së Kashit deri në fshatin Lapulec, investim që synonte të furnizonte me ujë fshatrat Lapulec dhe Lofkend të kësaj njësie administrative vendore.

Në tender morën pjesë 5 kompani dhe fitues u shpall shoqëria ‘Shkëlqimi 07’ sh.p.k – një kompani ndërtimi e drejtuar nga vëllai i kryebashkiaku të Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe ku ky i fundit kishte punuar si drejtor administrativ në vitet 2000-2006. [kliko këtu për kontratën]

Të dhënat që dalin nga deklaratat periodike të interesave private të kryetarit të bashkisë Mallakastër të depozituar nga ILDKPKI – ngrenë shqetësimin për një konflikt të mundshëm interesi, i cili duhet të ishte deklaruar dhe mbikëqyrur nga Inspektoriati.

Kapllanaj dhe ILDKPKI nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN, për hapat e ndërmarrë për shmangien e konfliktit të interesi në kontratën për ndërtimin e ujësjellësit.

Megjithatë, një kopje e kontratës, e siguruar nga BIRN nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, tregon se ish-kreu i komunës Qendër Mallakastër – tani kryebashkiak, nuk e ka firmosur me dorën e tij kontratën me kompaninë ‘Shkëlqimi 07,’ por ka autorizuar punonjësin më të vjetër të komunës në shkallë hierarkike nëpërmjet një urdhri të brendshëm.

“Unë Agron Kapllanaj, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor… vendos zëvendësimin tim si Titullarit të Autoritetit Kontraktor në procesin e prokurimit me objekt : Ndërtimi Ujësjellësit Depo Qafa e Kashit – Lapulec,” shkruhet në urdhrin e brendshëm të ish-kryetarit të komunës Qendër Mallakstër, që mban datën 5 gusht 2012.

Tenderi për ujësjellësin

Projekti për ndërtimin  e ujësjellësit nga Qafa e Kashit në Lapulec është një projektet i përzgjedhur nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve në vitin 2012, por financimi i këtij projekti ka vazhduar për disa vite.

Projekti ka pasur një fond limit pa TVSH prej 73.5 milionë lekësh dhe në tender kanë marrë pjesë 5 kompani ndërtimi.  Kompania me ofertën më të ulët financiare ka qenë Sardo Sh.p.k, e cila ka ofruar vlerën 53.98 milionë lekë pa TVSH për realizimin e projektit.

Megjithatë, ky operator u skualifikua nga autoriteti kontraktor – komuna Qendër Mallakastër, me argumentin se nuk përmbushte kriteret e tenderit, për arsye se nuk arriti të paraqesë kontratë të ngjashme sipas kërkesave në dokumentet e tenderit, certifikatën ISO 9001, si dhe stafin inxhiniero-teknik dhe mjetet domosdoshme për realizimin e kontratës.

Nëpërmjet një njoftimi në Buletinin e Prokurim Publik me datë 12 gusht 2012, komuna Qendër Mallakastër njoftoi kompaninë ‘Shkëlqimi 07’ Sh.p.k si fituese të tenderit, duke e klasifikuar ofertën e saj me vlerën 64 milionë lekë pa TVSH si ofertën më të ulët nga 4 kompanitë e mbetura në garë.

Me datë 24 gusht 2012, komuna Qendër Mallakastër nënshkroi kontratën me vlerë 79.8 milionë lekë, përfshirë dhe TVSH-në, me kompaninë Shkëlqimi 07. Kjo kontratë është firmosur nga Xhevit Sinaj, P/Z i Tatim Taksave në komunë, me autorizimin ish-kryetarit Agron Kapllanaj.

Sipas regjistrit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kompania Shkëlqimi 07 Sh.p.k është në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, vëllait të kryebashkiakut Agron Kapllanaj.  Në deklaratën e tij të interesave private para fillimit të detyrës, Agron Kapllanaj deklaron se nga viti 2000 deri në vitin 2006, ka punuar si drejtor i administratës për kompaninë Shkëlqimi 07.

Në kurrikulimin e tij jetësor të publikuar gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2015, Kapllanaj shpjegon se ishte përfshirë në botën e biznesit pas kthimit nga emigracioni në Itali.

“Në vitin 1991 merr rrugën e emigrimit për një jetë më të mirë, duke çarë Adriatikun me fuçi, të cilët media italiane i quajti ‘Luanët e Detit’,” shkruhet në CV e kryebashkiakut.

“Në vitin 1993 kthehet nga Italia dhe së bashku me vëllezërit  e tij vendos të krijojë një biznes, të cilin e ka drejtuar me sukses gjatë gjithë këtyre viteve duke e çuar në nivelet më të larta dhe punësuar në të afro 100 punonjës,” shton CV-ja.

‘Biznesmeni’ i varfër?

Edhe pse kryebashkiaku i Mallakastrës prezantohet në CV-në e publikuar gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore si një biznesmen i suksesshëm, ky sukses nuk është reflektuar në deklarimet e tij të pasurisë pranë Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

BIRN ka analizuar deklaratat e pasurisë së kryebashkiakut të administruara nga ILDKPKI, duke i paraqitur ato në një skedë grafike që ka për qëllim hedhjen dritë mbi pasurinë e tij në prag të zgjedhjeve për qeverisjes vendore të 30 qershorit. [kliko këtu për skedën]

Sipas të dhënave të administruara nga ILDKPKI, në deklaratën përpara fillimit të detyrës në vitin 2007, Kapllanaj deklaron një pasuri familjare prej 2.6 milionë lekësh. Ndërkohë në vitin 2017, pasuria e tij kap një vlerë prej 3.2 milionë lekësh, duke regjistruar një rritje të lehtë vjetore gjatë 10 viteve të deklarimit.

Pasuria e subjektit në fund të vitit 2017 përbëhet nga 2.4 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe 798 mijë lekë likuiditete bankare. Pasuria e paluajtshme përbëhet nga një apartament me sipërfaqe 57 m2 me vlerë 400 mijë lekë si dhe një shtesë apartamenti me sipërfaqe 47 m2 dhe vlerë 2 milionë lekë.

Nga viti 2007 deri në vitin 2017, kryebashkiaku Kapllanaj ka deklaruar të ardhura familjare në vlerë 18.55 milionë lekë, nga të cilat gati 10 milionë lekë ose 53 % vijnë nga paga për shkak të funksionit,  6.3 milionë lekë nga paga e bashkëshortes dhe pjesa tjetër nga pjesëmarrja në borde.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik-logjik i subjektit në 11 vite deklarimi rezultoi pa probleme.

Përveç kontrollit aritmetik-logjik, BIRN bëri dhe skanimin cilësor të deklaratave të subjektit. Nga ky kontroll rezulton se subjekti deklaratën periodike/vjetore 2008, subjekti ka deklaruar të ardhurat e krijuara nga bashkëshortja në firmën “Shkëlqimi shpk” për periudhën 2000-2009 në shumën 3,78 milionë lekë, ndërkohë që këto të ardhura duhet të ishin deklaruar në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2007.

Deklarata para fillimit të detyrës

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Me datë 20 maj 2019, kryetari i bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj  ka sjellë një përgjigje me shkrim për kërkesën për koment të dërguar nga BIRN me datë 08 maj 2015 – përpara publikimit të shkrimit. Në këtë dokument prej 4 faqesh [kliko këtu], Kapllanaj argumenton se nuk ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit, për sa i përket kontratës së lidhur midis komunës Qendër Mallakastër dhe kompanisë ‘Shkëlqimi 07’. Gjithashtu, Kapllanaj shton se kjo kontratë është audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit “i cili nuk ka konstatuar në raportet e tij përfundimtare asnjë shkelje.”