Opinion13 Mar 2020

Koronavirusi në Itali: Epidemi Vs. Demokraci

Vetëm një konsensus i vërtetë demokratik mbi atë se çfarë duhet bërë do të mundësojë zbatimin e masave të rrepta dhe efikase –kur ato janë të domosdoshme.

Autor: Antonia Williams-Annunziata Open Democracy Romë
Printo

Foto ilustruese: Shutterstock.

Rreth orës 2:30 të dielën në mëngjes, kryeministri italian, Xhuzepe Konte dekretoi karantinën e pjesshme mbi një rreth rajonesh në Italinë e Veriut. Vetëm 24 orë më vonë, ai e zgjeroi masën në të gjithë vendin me mbi 60 milionë banorë.

Këto vendime ishin ndër masat më agresive të ndërmarra kundër koronavirusit që prej shpërthimit të tij në janar. Italia është duke vuajtur shpërthimin e dytë më të keq në botë, me më shumë vdekje se çdo vend tjetër jashtë Kinës.

Të reklamuara fillimisht si bllokim i plotë i Veriut të Italisë, masat e Kontes- siç u bë më pas e qartë, doli të ishin të kufizuara. Ai urdhëroi disa ndalime të lëvizjeve dhe aktiviteteve publike në të gjithë vendin. Për të qarkulluar, qytetarët supozohet që të plotësojnë një apliklim në Ministrinë e Brendshme, duke dhënë edhe arsyet e lëvizjes: për punë; për një situatë të domosdoshme; për arsye shëndetësore; si dhe për t’u kthyer në shtëpi.

Aplikimi është me “vetëdeklarim”, ndaj nuk është e qartë se si informacioni do të verifikohet. Policia do të vazhdojë të kryejë kontrolle.

“Ne duam të garantojmë shëndetin e qytetarëve tanë. E kuptojmë që këto masa do të kërkojnë sakrifica, ndonjëherë të vogla dhe ndonjëherë shumë të mëdha,” tha Konte.

Demokracia e hapur

Masat nuk duhet të krahasohen me një bllokim të plotë, të paktën jo si ai që u praktikua në Kinë, ku bartësit e dyshuar të virusit u ndaluan në rrugët e qytetit të Vuhanit, epiqendra e krizës.

Në Itali njerëzit nuk janë urdhëruar të qëndrojnë brenda dhe as nuk janë bërë subjekte të kontrolleve derë më derë apo të stivosjes në karantina të kontrolluara. As mjekët nuk janë burgosur për nxjerrje informacioni apo për kritika ndaj mënyrës se si qeveria po e përballon krizën, siç ndodhi në Kinë. Gazetarët gjithashtu nuk janë zhdukur për publikimin e artikujve të paautorizuar apo raportimet e tyre online.

Megjithatë, për një shoqëri të hapur, kufizimet e Italisë janë të paprecedenta dhe të ngjashme vetëm me periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Si e tillë, Italia është në ballë të vendeve të hapura demokratike në luftën kundër virusit.

Shtetet e tjera europiane janë duke vëzhguar ngushtësisht. Kontinenti duhet të adoptojë masa kundër përhapjes sit ë Italisë –tha presidenti austriak, Sebastian Kurz. “Është e rëndësishme që të vendoset se kur duhet ndërmarrë çdo hap,” shtoi ai.

“Mund t’i mbyllni shkollat për një ose dy javë…Do të ndodhë edhe në vende të tjera të Europës. Por pyetja thelbësore është se kur duhen mbyllur ato”.

Sjellje korrekte?

Shpërthimi i koronavirusit në Itali ishte gjithnjë e mundshme për të qenë një sfidë për demokracinë ndonjëherë jo-funksionale të vendit. Masat e pjesshme në vend të mbylljes së plotë reflektojnë njëherazi natyrën e shoqërisë dhe atë të demokracisë italiane; ku politika është e pavarur, ku debati i hapur është endemik dhe ku njerëzit refuzojnë t’u thonë se çfarë duhet të bëjnë.

Departamenti Amerikan i Shtetit i këshilloi amerikanët në Itali që të ndjekin rregullat italiane, por shtoi :” mbetet e paqartë se çfarë mekanizmash parashikon qeveria italiane për zbatimin e parashikimeve të dekretit”.

Pak para njoftimit zyrtar të Kontes mbi Lombardinë, raportet mbi masat e ndërmarra krijuan panik dhe rrëmujë në Milano, kryeqendra rajonale. Qindra njerëz u sulën në stacionin kryesor të trenit dhe në terminalet e autobusëve.

Videot që qarkulluan në median sociale shfaqën njerëz të grumbulluar në trena të tejmbushur. Një pasagjer milanez, të cilit fatorinoja i tha se treni ishte plot, bërtiti: “Telefononi ministrin dhe merrni më shumë trena”.

Kritikat politike shpërthyen shpejt. Guvernatori i Venetos e konsideroi vendimin si “jashtë proporcionit”. Guvernatorët gjetkë u thanë italianëve që po i largoheshin Veriut që të qëndronin larg.

Në rajonin jugor të Pulias, guvernatori Mikele Emiliano u bëri apel qytetarëve të tij në Lombardi “ndaloni aty ku jeni dhe kthehuni pas”. Ai paralajmëroi se do të fuste në karantinë këdo që mbërriti natën. Në Salerno, qytet në jug të Napolit, inspektorët ekzaminuan njerëzit që zbrisnin nga trenat për ethe.

Në valën e zemëratës, qeveria ia transferoi shpejt përgjegjësinë qytetarëve që minimizimin e virusit.

“Dekretet nuk janë të mjaftueshme. Vendi duhet të sillet siç duhet,” paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Zgjedhje të reja?

Italia ka hyrë në një territor të paeksploruar –komentoi Benedeta Allegranzi, një kordinatore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Ne nuk prisnim që përhapja e virusit të rritej kaq shpejt,” tha ajo duke shtuar: “Italia do të ketë shumë për t’i mësuar OBSH-së dhe pjesës tjetër të botës”.

Zgjerimi i papritur i shqetësimit zyrtar gjatë fundjavës ishte një përmbysje e gjendjes zyrtare në Itali. Qeveria urdhëroi mbylljen e muzeumeve, kinemave, klubeve të natës dhe hapësirave të tjera publike në Veri dhe në pjesën tjetër të vendit. Ndeshjet e futbollit- sporti kombëtar i Italisë –u zhvilluan në stadiume të boshatisura, ndërkohë që tani ndeshjet janë ndaluar plotësisht.

Për Italinë, pengesat ekonomike për kontrollin e epidemisë janë të mëdha. Përpara koronavirusit, ekonomia italiane ishte vendi me rritjen më të ulët në Europë. Me turizmin në rënie të fortë dhe mundësinë e mbylljes së fabrikave, vendi përballet tani me një recesion të mundshëm.

Vështirësia në marrjen e masave edhe më të ashpra reflekton gjithashtu dobësinë e qeverisë aktuale. Kabineti i Kontes është në pushtet prej shtatorit dhe është qeveria e gjashtë që krijohet në pesë vjet.

Koalicioni qeverisës është një aleancë e lëkundur mes lëvizjes populiste Pesë Yjet dhe Partisë Demokratike, në kundërshti të gjatë me njëra-tjetrën.

Opozita nacionaliste e kryesuar nga partia Lega e Mateo Salvinit është duke bërë thirrje për zgjedhje të reja.

Një komplikim i mëtejshëm në përgjigjen ndaj virusit është edhe decentralizimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor të vendit. Njëzet rajonet e Italisë janë përgjegjëse për spitalet e tyre dhe shpenzimet mjekësore. Në fillim të shpërthimit, Konte pati mosmarrëveshje me zyrtarët e shëndetësisë në Lombardi në lidhje me testimin e virusit, duke nxjerrë në pah të metat e menaxhimit rajonal.

Ku qëndron konsensusi i vërtetë demokratik?

Pranimi i kufizimeve nga publiku ka qenë i dobët. Më herët, disa qytetarë u përpoqën të iknin nga qytetet karantinë në Veri të Italisë.

Pavarësisht lajmërimeve për të mos lëvizur në turma, jeta e natës në distriktin e argëtimit të rinisë në San Lorenzo të Romës ka qenë e zënë. Të dashuruarit pas artit zunë radhët në muzeun Scuderie në afërsi të pallatit presidencial të Romës për të parë një ekspozitë të madhe pikturash të Raffaellos.

“Të paktën njeriu sëmuret me Raffaellon përpara syve,” tha një i moshuar që po priste të hynte brenda.

Italianët janë akuzuar gjithashtu për fshehje të simptomave të tyre nga frika e vendosjes në karantinë. Një punonjës publik i tha shefit të vet se kishte grip, “por iu lut që të mos i thonte askujt”, kështu që ai nuk do të testohej dhe me gjasë të futej në karantinë.

Xhuzepe Ipolito, drejtori shkencor i Institutit Kombëtar për Sëmundjet Infektive të Italisë tha në spitalin Spallanzani në Romë se njerëzit që ikën nga Veriu ishin “një rrezik për kombin”.

Ekziston frika se kjo epidemi nuk do të zvogëlohet, pavarësisht masave të reja. Kjo nga ana tjetër shtron pyetjen: Nëse jo, çfarë ndodh më pas?

Ka mundësi për qeverisje. Gjatë krizës së fundit financiare në Europë, vendi u vendos nën një qeveri të pazgjedhur “teknike” për të përballuar rënien e fortë ekonomike të Italisë. Efektivisht, kjo e nxorri vendimarrjen ekonomike jashtë arenës politike.

Qeveria e fundit teknike e Italisë, e drejtuar nga ekonomisti Mario Monti zgjati vetëm dy vjet dhe u rrëzua ndërsa u përpoq të godasë evazionin e taksave.

Nëse e shkuara mund të shërbejë si udhëzim, vetëm një konsensus me të vërtetë demokratik mbi atë se çfarë duhet bërë do të mundësojë zbatimin e masave të rrepta dhe efikase –në rastet kur ato janë të domosdoshme. Duke e penguar këtë, qeveria po investon në akte individuale për të frenuar valën e virusit.

Ky artikull u publikua fillimisht në  opendemocracy.net