Lajm29 Jul 2020

KPA rrëzon ankimin e ish-gjyqtarit Genci Sinjari kundër ndërprerjes së procesit të vetingut

Ish-kryetari i Gjykatës Administrative Durrës, Genci Sinjari ankimoi vendimin e KPK-së për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit pas dorëheqjes së tij nga detyra. Sinjari nuk e shfrytëzoi të drejtën për t’u dëgjuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, që vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën të rrëzojë ankimin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Genci Sinjari kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj tij për shkak të dorëheqjes – si dhe humbjes së të drejtës për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Vendimi i shtatorit 2018 i KPK, për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtarin Genci Sinjari erdhi pas një vendimi të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD për mbarimin e statusit të magjistratit. KLD vendosi përfundimin e statusit të magjistratit për Sninjarin, pasi ky i fundit kishte paraqitur dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit dhe i kryetarit pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama shpjegoi se Sinjari pretendonte në ankimin e tij se KPK nuk kishte kryer proces të rregullt ligjor, nuk i ishte dhënë e drejta të dëgjohej si dhe vendimi ishte marrë në interpretim të gabuar të nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ai kërkonte ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe vazhdimin e procesit të rivlerësimit.

Kryesuesja Ina Rama shpjegoi gjatë shpalljes së vendimit se ankuesit Genci Sinjari i’u dha e drejta që të dëgjohej në seancë publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke u korigjuar kështu shkelja proceduriale e kryer në shkallën e parë. Sipas Kolegjit, edhe pse Sinjari kishte konfirmuar marrjen dijeni për zhvillimin e seancës publike kur do të shqyrtohej ankimi i tij, nuk u paraqit si dhe nuk parashtroi ndonjë shkak për mosprezencën.

Pretendimi i ngritur nga Sinjari se shkaku i dorëheqjes nga detyra kishte qenë objektiv si pasojë e gjendjes së tij shëndetësore, u vlerësua nga Kolegji është pa efekt.

Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator dhe Albana Shtylla, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz anëtarë, e vlerësuan të drejtë vendimin e KPK dhe e lanë në fuqi.