Grumbullimi i forcave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën jo domosdoshmërish nënkupton një luftë në një periudhë të afërt. Por kjo duhet të shërbejë si një kujtesë për të gjithë Evropën se rajoni nuk do të njohë paqe derisa Kremlini të mësojë të jetojë me një Ukrainë sovrane dhe demokratike.
A mund të pranojë Rusia të jetojë në paqe pranë një Ukraine sovrane, të pavarur dhe të pandarë? Apo lufta e hapur është e pashmangshme? Kjo ka qenë prej kohësh pyetja kryesore për Evropën Lindore dhe kjo është kthyer papritmas në plan të parë me grumbullimin masiv të forcave ushtarake ruse në Krime dhe përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.
Pavarësia e Ukrainës ishte çështja që shpërbeu përfundimisht Bashkimin Sovjetik tre dekada më parë. Ndërkohë që largimi i republikave të tjera sovjetike nuk do të kishte qenë domosdoshmërish një kërcënim ekzistencial, deklarata e pavarësisë e Ukrainës ishte absolutisht e tillë. Ajo vulosi fatin e Bashkimit Sovjetik, një kolaps të cilin presidenti rus Vladimir Putin e kujton si “katastrofa më e madhe gjeopolitike” e shekullit XX.
Për dy dekada pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia u përqendrua kryesisht në ndërtimin e shtetit të saj dhe krijimit të identitetit të saj. Kjo gjë ndryshoi kur Putini vendosi të kthehej në presidencë për një mandat të tretë në vitin 2012 (pasi kishte shërbyer një mandat të vetëm si kryeministër ndërsa miku i tij, Dmitri Medvedev, mbajti presidencën derisa Putini të ishte i kualifikueshëm në aspektin kushtetues për të kandiduar përsëri). Tani, ai nisi një kurs revizionist për të krijuar një të ashtuquajtur Bashkim Euroaziatik.
Ndërkohë, Ukraina kishte zhvilluar një preferencë të fortë për rreshtim me fqinjët e saj të Evropës Qendrore. Dhe megjithëse këto vende ishin anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk kishte asnjë arsye pse lidhjet më të ngushta me ta duhet të dobësonin lidhjet historike dhe kulturore të Ukrainës me Rusinë.
Në këtë kontekst, Partneriteti Lindor i BE-së, i cili rezultoi në Zonën e tij të Tregtisë së Lirë të Thellë dhe Gjithëpërfshirëse, ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të takuar Ukrainën në gjysmë të rrugës. Asnjë nga marrëveshjet tregtare BE-Ukrainë nuk ishte e papajtueshme me marrëveshjen tregtare që Ukraina kishte me Rusinë. Por Kremlini i pa gjërat ndryshe. Në pamundësi për të pranuar këto marrëveshje, ai filloi t'i bënte presion presidentit të dobët dhe të lëkundur të Ukrainës, Viktor Yanukovych, që të largohej nga BE-ja. Kjo nxiti një kryengritje popullore që rrëzoi Yanukovych-in (i cili u largua për në Moskë Moskë) dhe përgatiti terrenin për luftën që filloi në 2014.
Kremlini e shikonte Ukrainën si një shtet të dobët dhe të thyer që do të binte para një presioni të qëndrueshëm. Për të justifikuar revanshizmin rus, zyrtarët i mbajtën botës së jashtme ligjërata se si Ukraina ishte në të vërtetë thjesht një grumbull pjesësh të mbetura nga perandoritë e shkatërruara. Ndërkohë që kjo është e vërtetë deri në një farë mase, e njëjta gjë mund të thuhet për Rusinë dhe çdo shtet-komb tjetër modern në varësi se sa pas e kthen kokën dikush.
E përkushtuar ndaj idesë se Ukraina nuk është një vend i vërtetë, Kremlini duket se e ka bindur veten se aneksimi i Krimesë në fillim të vitit 2014 do të përshpejtojë kolapsin e Ukrainës. Shpresa ishte që Rusia atëherë mund të gdhendte një të ashtuquajtur Rusi të Re (Novorossiya) në lindje dhe në jug të Ukrainës, ndërsa linte një grumbull “Galicia Perëndimore” në atë që mbetej jashtë kontrollit të saj.
Me këto ambicie të mëdha në mendje, Rusia filloi vendosjen e kryengritësve, “vullnetarëve” dhe armëve, të shoqëruara nga një operacion masiv dezinformimi për t'i kthyer ukrainasit kundër njëri-tjetrit. Por kjo përpjekje dështoi. Pushtimi i vendeve të tjera është shumë rrallë një mënyrë e mirë për të bërë miq dhe ky rast nuk bënte përjashtim. Në vend që të ndante Ukrainën, Kremlini arriti ta bashkonte popullin ukrainas si kurrë më parë. Deri në vitin 2014, Rusia u desh të përdorte grupe të rregullta nga balatione të ushtrisë për të shpëtuar atë që kishte mbetur nga pika e saj e fortifikuar në rajonin Donbas të Ukrainës.
Që nga ajo kohë, përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike (nëpërmjet dy marrëveshjeve të Minskut) kanë dështuar. Konflikti i vazhdueshëm ka marrë 14,000 jetë dhe ka detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre. Ndërsa publiku ukrainas e ka pasur të vështirë të pranojë disa nga kompromiset që do të sillte çdo zgjidhje, pengesa e vërtetë për progresin ka qenë refuzimi i Kremlinit për të hequr dorë nga enklavat e tij në Ukrainë. Segmenti nacionalist i opinionit publik rus, ata që mbështesin Putinin, do ta kenë të vështirë të kapërdijnë “mposhtjen” në Ukrainë.
Tani, sipas Ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Rusia ka grumbulluar dy ushtri të plota dhe tre njësi ajrore në lindje dhe jug të Ukrainës, gjoja me qëllim organizimin e stërvitjeve ushtarake. Por stërvitje për çfarë? Mobilizimi duket qartë që ka si synim Ukrainën. Zëdhënësi i vetë Putinit ka thënë shprehimisht shumë, duke pretenduar se Rusia synon të ndërhyjë nëse është e nevojshme për të parandaluar sulmet ndaj folësve rusë në Ukrainë.
Pavarësisht nëse ky hap do të çojë në një konflikt të hapur në javët ose muajt e ardhshëm (për këtë edhe vendimmarrësit e Kremlinit ndoshta nuk janë të sigurt), situata do të mbetet e rrezikshme derisa Rusia të heqë dorë nga ambiciet e saj revanshiste. Në fund të fundit kjo është një pyetje që ka të bëjë me luftën ose paqen. Derisa Rusia të pranojë të jetojë së bashku me një Ukrainë sovrane, demokratike, nuk mund të ketë një rrugë të mesme të qëndrueshme.
Rezultati ka implikime përtej Rusisë dhe Ukrainës. Një axhendë e suksesshme revizioniste ruse nuk do të ndalej me ripushtimin e Kievit, por, përkundrazi, do të kërkonte të zbërthente të gjithë rendin e sigurisë së Evropës pas Luftës së Ftohtë. Kjo do të ishte tepër e rrezikshme për të gjithë, sidomos për vetë Rusinë. Për sa kohë që Kremlini mbetet i mbyllur në konfrontim me pjesën tjetër të Evropës, ai nuk do të përqendrohet në ndërtimin e së ardhmes demokratike dhe të begatë që meriton populli rus.
Në një mënyrë ose në një tjetër, fati i rajonit më të gjerë tani është i lidhur me fatin e Ukrainës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. War or Peace in Ukraine?