Organizatat ndërkombëtare dhe vendase të medias kanë akuzuar qeverinë dhe opozitën për ndryshime ligjore që do të kufizojnë më tej lirinë e medias dhe do të shtrembërojnë tregun e medias.
Qeveria e Maqedonisë dhe opozita kanë përdorur turbullirat që shoqërojnë referendumin e ardhshëm të emrit për të rifutur reklamat e financuara nga shteti, që u ndaluar disa vjet më parë, dhe për të prezantuar futjen e kontrolleve mbi mediat online – lëvizjet që organizatat e specialistëve dhe gazetarët thonë se do të frenojnë lirinë e medias dhe do të shtrembërojnë tregun e mediave përsëri.
Parlamenti i miratoi këto dispozita, të cilat tani janë pjesë e Kodit Zgjedhor, më 25 korrik, pasi katër partitë kryesore politike në vend ranë dakord për të si pjesë e bisedimeve të tyre rreth referendumit të ardhshëm mbi marrëveshjen historike të emrit me Greqinë.
“Ndryshimet mundësojnë ndërhyrjen e autoriteteve publike në lirinë për të pasur opinione dhe për të marrë dhe dhënë informacione dhe ide gjatë fushatave zgjedhore dhe në pavarësinë e tyre editoriale,” tha në një deklaratë të hënën Federata Europiane e Gazetarëve, EFJ.
Më 9 gusht, platforma e Këshillit të Europës për mbrojtjen e gazetarisë gjithashtu paralajmëroi parlamentin maqedonas rreth dispozitave.
Shoqata kryesore e gazetarëve në vend, ZNM, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave, SSNM, Këshilli Maqedonas i Etikës së Medias, SEEM, dhe madje edhe Agjencia shtetërore Audio dhe Audiovizuale AVMU, i kanë kritikuar të gjitha ndryshimet.
Dispozita e parë lejon që partitë politike të përdorin paratë e buxhetit të shtetit për reklamat e tyre politike gjatë zgjedhjeve.
“Kjo rikthen fuqishëm fushatat reklamuese të qeverisë nga koha e regjimit të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, kur qeveria shpenzonte paratë publike në fushata mediatike rreth sukseseve të tyre të pretenduara,” tha Naser Selmani, kreu i ZNM.
Edhe pse qeveria e udhëhequr nga Social Demokratët pretendon se kjo do të rregullojë financimin e partive politike dhe do të prezantojë një fushë loje të barabartë, gjatë kohës që ishin në opozitë social demokratët kaluan vite duke kritikuar ashpër paraardhësit e tyre, administratën e udhëhequr nga Gruevski, ish-kreu i partisë së djathtës VMRO DPMNE, e cila shpenzoi miliona në fushatat meditike të sponsorizuara nga shteti.
Ish-qeveria ndaloi fushatat e saj kontraverse në vitin 2015 pas kritikave të gjera se ajo po e përdorte atë për të kontrolluar mediat dhe për të prishur tregun e mediave. Ajo e bëri këtë pasi u ngatërrua në një skandal të madh përgjimi që çoi në largimin e saj nga pushteti në 2017, pas një krize të thellë dhe të gjatë politike.
Një tjetër ndryshim i diskutueshëm i Kodit Zgjedhor autorizon Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të regjistrojë dhe monitorojë mediat online në raportimin e zgjedhjeve. Përveç kësaj, neni 181a i ligjit parashikon vendosjen e gjobave deri në 4,000 euro për mediat tradicionale dhe ato online nëse ato shpallen fajtorë për “raportim të pabarabartë ose të paanshëm”.
Kjo është hera e parë që Komisioni Zgjedhor është ngarkuar me monitorimin e raportimit të mediave.
Më parë, ishte AVMU-ja që monitoronte dhe gjobiste mediat për njëanshmëri në raportim, por hoqi dorë nga kjo praktikë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, duke thënë se praktika ishte me të meta dhe jo në përputhje me standardet europiane.
Para se të vinin në pushtet, social demokratët u zotuan të nderonin mendimet e organizatave të mediave dhe profesionistëve, të cilët kryesisht janë kundër rregullimit të ngushtë të sferës së medias, duke këmbëngulur se vetë-rregullimi i kombinuar me një politikë qeveritare mos-ndërhyrjeje është i preferueshëm.