Reportazh12 Jun 2020

Maturantët shpërthejnë në protesta pas testit të maturës shtetërore

Ndërkohë që Ministria e Arsimit kishte premtuar thjeshtëzime për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, maturantët ankohen se testi i lëndës së letërsisë dukej sikur synonte t’i “t’i kapte mat” dhe jo të maste njohuritë.

Autor: Esmeralda Keta BIRN Tiranë
Printo

Jona Mahmutaj, maturante nga shkolla Petro Nini Luarasi | Foto : E. Keta

“Besa na preve në besë”, një hashtag i krijuar nga maturantët menjëherë pas provimit të letërsisë, i shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, mblodhi të premten në një protestë para ministrisë së Arsimit qindra gjimnazistë të zhgënjyer.

Jona Mahmuti, së cilës i ka dalë tashmë e drejta e studimit në “New York”, thotë se nuk mund të lejojë që mundi i saj të shkojë dëm, ndaj ka ardhur në protestë.

“12 vite përkushtim dhe përpjekje, nuk mund të lejoj të na hidhen poshtë në këtë mënyrë,” thotë maturantja nga shkolla e mesme Petro Nini Luarasi.

“Pyetjet ishin jashtë tekstit dhe nuk kishte asnjë lidhje me testin provë që ne zhvilluam një javë më parë,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se nxënësit “kërkojmë rishikim të testit, pasi ai ishte një test absurd.”

Edhe Hamide Çelo, maturante nga shkolla e mesme “Besnik Sykja”, e ka zgjedhur tashmë degën e saj në një universitet privat. E reja shprehet ky test ishte i çuditshëm për të gjithë.

“Unë e kam mesataren 8.5 dhe nuk pretendoj të marr pikët maksimale, por ama është turp që maturantët të dalin më dobët në testin e Gjuhës Shqipe se në të anglishtes,” tha Çelo. “Ky nuk ishte test i vështirë, pasi ne ishim përgatitur për këtë, ky ishte një test absurd,” shtoi ajo.

Çelo shprehet e vendosur për vazhdimin e protestës, qoftë duke sakrifikuar provimet e tjera të Maturës.

“Ne kërkojmë vetëm të drejtën tonë dhe nuk largohemi që këtu pa marrë përgjigje,” nënvizoi Hamideja. “Mund të bojkotojmë jo vetëm provimin e Matematikës që është të hënën, por edhe provimet e tjera”, pohoi ajo.

Pretendimit të të rinjve se testi ishte në tejkalim të asaj se çfarë kanë mësuar në shkollë, i janë bashkuar edhe mësuesit e kësaj lënde, por edhe pedagogë e studiues të letërsisë.

Të rinjtë kanë hartuar një peticion me 6 kërkesa që i dorëzuan në ministrinë e Arsimit, por Rezana Vrapi, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, në një deklaratë për mediat gjatë mesditës nuk e ka pranuar pretendimin se testi mund të ketë gabime.

Maturantët e Tiranës bllokuan rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit në shenjë proteste kundra tezave absurde të testeve të maturës shteterore | Foto : Nensi Bogdani

“Hartimi i testit dhe pilotimi i të gjithë setit të pyetjeve për saktësinë shkencore ka protokolle të qarta dhe kalon në disa grupe specialistësh. Pretendimet e maturantëve nuk qëndrojnë, nuk ka asnjë pyetje jashtë programit orientues. Pas pretendimeve të të rinjve ne e kemi analizuar sërish testin dhe konfirmoj se ai nuk ka asnjë gabim shkencor apo ndonjë gjë pyetje që duhet ta heqim,” ka deklaruar Vrapi.

Sipas saj, nuk do të ketë rishikim të testit, por ajo la të hapur mundësinë e rishikimit të fashave të vlerësimit sipas nivelit të vështirësive.

“Pasi të përfundojë korrigjimi ne do të analizojmë nëse testi është arritur të zgjidhet sipas pritshmërive që ne parashikojmë. Nëse ne do të shikojmë se, ta zëmë se fasha e notës 9-10 është shumë e vogël dhe të gjithë kanë gabuar në të njëjtën pyetje, atëherë ne do të bëjmë një rishikim të kufirit të vlerësimit të kësaj fashe”, – ka deklaruar Vrapi, e cila ka këmbëngulur se ende nuk ka në dorë një pretendim për pyetje konkrete.

Më tej ajo ka sqaruar se çelësi i përgjigjeve do të publikohet pas datës 18 qershor, kur të përfundojë edhe korrigjimi i këtij testi.

Pak më vonë reagoi edhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila e konsideroi një protestë për “provimet e vështira” dhe i dha ngjyra politike.

“Është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare, po mbase këtu s’ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave fallco, diplomave fallco, universiteteve fallco, provimeve fallco, promovimeve fallco”, ka deklaruar në rrjetin social facebook, Besa Shahini.

Duke iu referuar pretendimeve të maturantëve ajo ka deklaruar se i beson Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA). Më herët më 31 mars, në një dalje publike, Ministria e Arsimit deklaroi se testet e maturës këtë vit do të përshtateshin për kushtet e pandemisë.

“Duhet të kemi kujdes me pyetje që i bëjmë, të heqim temat që nuk janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe që testi të jetë sa më i drejtë,” deklaroi Ministria e Arsimit. “Maturantët nuk kanë nevojë të shqetësohen, ne do të marrim parasysh se cilat tema i kanë zhvilluar dhe cilat jo,” shtoi ajo.

Të rinjtë e mbledhur në protestë të premten pretendojnë se ka ndodhur krejt e kundërta.

Testi i Gjuhës dhe Letërsisë, të cilit i janë nënshtruar rreth 30 mijë maturantë, përmbante 60 pyetje me alternative dhe ka qenë në katër variante, nga të cilat 30 pyetje masin njohuritë gjuhësore dhe 30 ato të letërsisë. Mospublikimi i tezës së pyetjeve dhe çelësit të përgjigjeve nga ana e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka shtuar dyshimet se vërtetë diçka nuk shkon në këtë test.

Arlind Devole, maturant te shkolla “Qemal Stafa” në Tiranë, pretendon  se ndryshe nga vitet e kaluara, në Letërsi “u thye çdo rregull ku u dhanë dy vepra në vargje, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. E për më tepër Lasgushi dhe Homeri”.

Arlindi shprehet se përgjigjet që kërkoheshin ishin aq absurde, të tipit “Cila është fjalia që ju mendoni se i përshtatet më mirë vazhdimit të tekstit? (Ku çdokush mund të zgjidhte kë përgjigje të dëshironte), apo të bënim interpretim fotoje ose të caktonim fatet e personazheve”.

Testi është kontestuar ashpër dhe nga mësuesit e letërsisë nëpër gjimnaze. Njëra prej tyre, e cila nuk dëshiron të identifikohet me emër, ju dërgoi një sms të gjatë nxënësve të saj ku kërkonte rishikim të pragut të vlerësimit.

SMS-ja e mësueses
“Së pari, pjesa e gjuhës nuk ishte e hartuar sipas testit provë. Nuk kishte dy tekste, por disa. Për të mos folur më pas për mënyrën e hartimit të pyetjeve e alternativave, që dukshëm bëhen me logjiken “i ngecim e jo i masim njohuritë”).
Së dyti, pjesa e letërsisë, ndryshe nga vitet e kaluara, kishte 2 tekste poetike. Dikush që e njeh letërsinë dhe që ka qenë mësuese qoftë dhe disa muaj, e di mirë që teksti poetik është më i vështirë se ai në prozë.
Së treti, në test përfshihet Lasgush Poradeci, autori më i vështirë në të gjithë programin e maturës. Mund ta dimë ne dhe nxënësit tanë, pse?!
Pse, pa pikë përgjegjshmërie, ju shkatërroni ëndrrat e nxënësve më të mirë të Shqipërisë?
Kur një pjesë e madhe e Europës anulon provimet e maturës, ju bëni të kundërtën, jo vetëm që i bëni provimet, por hartoni një test të tillë… Më vjen keq për të rinjtë e këtij vendi që po i jepni arsye, çdo ditë e më shumë, të heqin dorën nga ëndrrat e tyre…
Në emër timin e të nxënësve të mi, kërkoj PATJETËR që të pakten të rishikoni uljen e pragut për notat 8, 9 dhe 10”, shkruan ndër të tjera ajo.

Teza nuk ka qenë absurde vetëm për maturantët dhe mësuesit e tyre, por edhe për vetë pedagogët e Fakultetit të Filologjisë.

Lili Sula, shefe e departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës shprehet se pasi ka parë disa variante testi disa pyetjeve është në dilemë nëse di t’u përgjigjet apo jo.

“Mu desh thuajse 30 minuta të kuptoja testin e nuk më doli koha të zgjedh alternativat, për të cilat, për një pjesë syresh, po pres me drojë të publikohet çelësi, ndoshta edhe më jep të drejtë”, tha Sulaj.

Sipas saj në këtë vit të pazakontë për të gjithë, maturantët tanë u testuan në provimin e Gjuhës Shqipe e të Letërsisë përmes një testi të pazakontë, jashtë standardit lëndor, me synimin për të vlerësuar sa nuk dinë nxënësit e jo sa dinë.

Ajo e konsideron këtë test një “fyerje të madhe për të gjithë maturantët, si dhe për nxënësit që i duan këto lëndë e që kanë mësuar tre vjet, por që papritur u gjendën nën kontroll absurd njohurish”.

Sulaj shkon edhe më tej, kur thotë se testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë që u mbajt të enjten për më shumë se 30 mijë maturantë u ngjalli atyre “ndjesinë e urrejtjes për artin e fjalës, për të mos lexuar vepra letrare, sepse, tek e fundit, të nxënit e letërsisë në tri vite shkollore nuk pati asnjë vlerë.”

“Hartimi i testit për kurrikulën, që formon identitetin kombëtar te të rinjtë e që e hodhi maturantin/en në qendër të grackës ishte promovimi më i mirë që iu bë distancimit të të rinjve ndaj leximit, si dhe thirrje e hapur për të mos studiuar e jetuar në Shqipëri,” nënvizoi ajo.

Belfjore Qose, studiuese e letërsisë shqipe gjithashtu pedagoge në Universitetin e Tiranës, është njësoj e revoltuar si maturantët dhe mësuesit e tyre për provimin e letërsisë së Maturës Shtetërore. Ndryshe nga drejtuesit e ministrisë së Arsimit, Qose mendon se testi kishte gabime dhe ngjante më shumë me “një vrapim nëpër tekste dhe pyetje kaotike te formuluara keq”

“Gjykoj se këtë vit është cënuar gjithçka me një test zhgënjyes, jo profesional, jo thelbësor, tallës dhe arbitrar,” tha ajo. “Fundja testi le të ishte i vështirë, por jo me gabime”, shtoi Qose.

Pedagogja shprehet e rezervervuar, sa kohë që nuk ka arritur të shohë të gjitha variantet e testeve që iu nënshtruan maturantët gjatë ditës së djeshme, por studiuesja e letërsisë rendit disa argumente që sipas saj nuk shkuan tek varaintet që ajo ka rritur të lexojë.

“Testi nuk mbështetet në njohuritë që nxënësit marrin në tre vite gjimnaz; testi nuk synon të masë dijet thelbësore, që lidhen me veçoritë e lëndës së letërsisë; shumica e pyetjeve për poezinë e Poradecit janë skandaloze,” tha Qose.

“Janë të gabuara për çdokënd që njeh sadopak tekstin letrar, thelbin e tij, por edhe vetë autorin në fjalë; Matja e njohurive gjuhësore ishte e papërfillshme”, shtoi  ajo.

Qose shkon edhe më tej, kur sugjeron se më mirë të hiqet fare provimi i letërsisë.

“Ngjarje të tilla po bëjnë njerëzit të urrejnë letërsinë. Nuk ka asnjë dozë dashurie apo kureshtjeje për letërsinë në këtë test. Edhe pse më dhemb, gjykoj se më mirë ta hiqni fare si provim”, përfundoi ajo.

Kritike ndaj testit është shprehur edhe Teuta Toska, shefe e departamentit të Gjuhësisë, në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

“Ndjesia ime e përgjithshme është që testi është hartuar nga dikush që ose e ka përkthyer tipologjinë dhe tekstin e pyetjes nga një gjuhë tjetër edhe e ka përshtatur trashë në shqip, ose testhartuesi është i formuar në shkolla të huaja dhe ka filluar punë prej pak kohësh në administratën shqiptare”, shprehet ajo, duke iu referuar pjesës së gjuhës.

Maturantët e Tiranës hedhin vezë ndak godinës së Ministrisë së Arsimit në shenjë proteste kundra tezave absurde të testeve të maturës shteterore | Foto : Nensi Bogdani

Prof.as.dr. Teuta Toska i referohet pyetjes së shumëpërfolur në rrjetet sociale me personazh kryesor Turin, dhe ku nxënësve ku kërkohet të gjejnë fjalinë që i përshtatet më shumë aksionit të tekstit.

Ajo druhet se e gjithë kjo situatë do të përfundojë me metodën e vlerësimit që përdor një mësues i keq.

“E di ti se si vlerëson një mësues i keq? Që të mbulojë gabimin që ka bërë, u vendos të gjithëve 10-ta”, përfundoi Toska.