Qeveritë në Ballkanin Perëndimor po shikojnë perspektivën e mbajtjes së zgjedhjeve sapo të hiqen masat emergjente, me shpresën për të mbledhur sa më shumë vota para se në vendet e tyre të nisin recesionet e pashmangshme.
Kur kriza COVID-19 nisi të shfaqej gjatë muajit mars, duke i shtyrë shtetet e Ballkanit të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të ndërmerrnin masa kufizuese në lëvizjen e njerëzve, ajo gjithashtu vuri në pritje përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci.
Tani, ndërsa numri i infeksioneve të reja ngadalë zvogëlohet dhe shtohet shpresa për një rikthim në një gjendje më normale, po fillojnë diskutimet, edhe pse diskrete, për zgjedhje të parakohshme.
Vëzhguesit politikë thonë se koha e këtyre zgjedhjeve do të përcaktohet nga elitat në pushtet. Ato nuk kanë gjasa t’i lënë gjërat rastësisë dhe me siguri do të preferojnë që zgjedhjet të mbahen më shpejtë sesa më vonë, gjatë verës, ndërsa fokusi mbetet te kriza shëndetësore.
Shtyrja e zgjedhjeve në fund të vitit sjell gjithashtu rrezikun që zgjedhjet të mbahen në mes të vështirësive ekonomike dhe një recesioni të pritur gjerësisht, i cili mund të jetë më shumë në dobi të partive të opozitës.
Gara e zgjedhjeve në Serbi do të rifillojë atje ku u ndal
Nëse në mes të marsit nuk do të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme, Serbia tashmë do t’i kishte mbajtur zgjedhjet e rregullta më 26 prill dhe tani do të ishte duke u marrë me bisedimet për formimin e qeverisë së re.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka ngrirë të gjitha aktivitetet e tij, që do të thotë se çështjet thjesht mund të rifillojnë atje ku u ndalën, sapo të mbarojë gjendja e jashtëzakonshme.
“Kjo do të thotë që nuk do të ketë asnjë rilajmërim për mbajtjen e zgjedhjeve, duke qenë se po flasim zyrtarisht/ligjërisht për të njëjtin cikël zgjedhor”, tha për BIRN analisti politik Bojan Klacar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
Të dielën, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, njëherësh kryetari i Partisë populiste Progresive Serbe, njoftoi se gjendja e jashtëzakonshme do të hiqet më 6 maj dhe se zgjedhjet do të mbahen më 21 qershor.
Zgjedhjet e hershme do të favorizonin Vuçiçin dhe Partinë Progresive, të cilët ishin më të favorizuarit për të fituar garën para shpërthimit të krizës.
Partia e Vuçiçit ishte praktikisht e vetmja pretendente e vërtetë pasi partitë e opozitës në Aleancën për Serbinë vendosën t’i bojkotojnë zgjedhjet, duke e akuzuar Vuçiçin për autoritarizëm dhe se kishte planifikuar të manipulonte rezultatet e zgjedhjeve.
Bojkoti erdhi pas një vit protestash në rrugë kundër qeverisë dhe pas disa përpjekjeve të dështuara të OJQ-ve dhe BE-së për të ndërmjetësuar një dialog midis dy palëve.
“Zgjedhjet më të hershme i shkojnë shumë për shtat partisë në pushtet sepse ata ishin të vetmit të dukshëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe mund të organizojnë më lehtë aktivitete zgjedhore, ndërsa opozita është pak më komode me zgjedhje të mëvonshme, pasi ata do të duhet të përpiqen të konsolidohen dhe t’i mësojnë votuesit me rrethana të ndryshme nga ato të COVID-19”, tha Klacar për BIRN.
Vëzhguesit mendojnë se fokusi I Vuçiçit do të jetë të sigurojë një pjesëmarrje të mirë dhe kështu të rrisë legjitimitetin e zgjedhjeve që përsëri ka shumë të ngjarë të mbahet pa ndonjë opozitë të vërtetë.
Disa nga masat popullore të shpallura në mes të krizës shëndetësore, si pagesa e një çeku stimulues prej 100 eurosh për çdo qytetar pas krizës, apo ndihma e shtetit në pagesën e pagave minimale për njerëzit në vështirësi, ka të ngjarë të ketë ardhur fiks në kohën e duhur për të ndihmuar Vuçiçin.
Kur bëhet fjalë për kohën e zgjedhjeve, opozita ka shumë pak për të thënë.
Më 21 prill, një nga udhëheqësit e opozitës të Aleancës për Serbinë, Bosko Obradoviç, kërkoi që zgjedhjet të shtyhen për në vjeshtë. Kryetarja e parlamentit Maja Gojkoviç, nga partia në pushtet, u përgjigj se kjo nuk ishte e mundur sipas kushtetutës.
Maqedonia e Veriut gjithashtu mendon t’i mbajë në verë zgjedhjet
Ashtu si fqinji i saj serb, Maqedonia e Veriut u detyrua të ngrinte të gjitha aktivitetet zgjedhore vetëm dy ditë para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 12 prillit, të cilat tashmë janë shtyrë.
Ashtu si në Serbi, afatet për mbajtjen e zgjedhjeve do të vazhdojnë automatikisht sapo vendi të dalë nga gjendja e jashtëzakonshme, që pritet ta bëjë në mes të majit, nëse kushtet e lejojnë këtë.
Ndryshe nga Serbia, ku Vuçiçi pritej të fitonte zgjedhjet, Maqedonia e Veriut parashikoi një betejë të ashpër midis Social Demokratëve në pushtet, LSDM, të udhëhequr nga Zoran Zaev, dhe partisë së krahut të djathtë, VMRO DPMNE, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski.
Social Demokratët vendosën të mbanin zgjedhje të parakohshme pas vjeshtës së kaluar, kur Franca bllokoi fillimin e bisedimeve të pranimit të saj në BE. Kjo zhgënjeu shumë një vend që kishte arritur një marrëveshje historike miqësie me Bullgarinë dhe Greqinë dhe madje kishte ndryshuar emrin e saj në përpjekje për të hapur rrugën e anëtarësimit në BE.
Opozita e sulmoi ashpër Zaevin për pranimin e tij për ndryshimin e emrit pa siguruar përfitimet e pritshme, dhe, në një situatë kur përfitimet ekonomike nuk janë aspak të dukshme, vëzhguesit prisnin një betejë të barabartë.
Sidoqoftë, si për ironi, siç thekson analisti politik Petar Arsovski, arsyet fillestare për mbajtjen e zgjedhjeve nuk ekzistojnë më. Në mars vendi më në fund mori dritën jeshile për të filluar bisedimet e pranimit.
Por Arsovski shtoi se, për shkak të përqendrimit te shëndeti dhe ekonomia në krizën aktuale, Zaevi nuk mund të flejë i qetë edhe pas pranimit në NATO dhe fillimin e bisedimeve për në BE.
“Të gjitha narrativat që partitë përgatitën për zgjedhjet tani duhet të rishikohen në dritën e kësaj krize”, tha ai.
“Në këtë drejtim, Social Demokratët do të përfitojnë nga zgjedhje më të shpejta dhe VMRO DPMNE me shumë gjasa do të përfitojë nëse zgjedhjet mbahen në vjeshtë, kur vendi pritet të zhytet në vështirësi ekonomike”, shtoi Arsovski.
Arsovski sugjeroi se partia qeverisëse mund të përdorë frikën e një vale tjetër koronavirus gjatë vjeshtës për t’i mbajtur zgjedhjet më herë, “duke e justifikuar lëvizjen me nevojën për një qeveri të qëndrueshme deri atëherë që mund të përballojë sfidat”.
Sidoqoftë, të gjitha përllogaritjet për datën e zgjedhjeve mund të mënjanon nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit do të mblidhet të mërkurën për të vendosur nëse do të pranojë kërkesën e një gjyqtari pa emër, i cili argumenton se gjykata duhet të anulojë vendimin e parlamentit më 16 shkurt për t’u shpërndarë përpara zgjedhjeve të shtyra të prillit.
Nëse kjo ndodh, procesi zgjedhor do të duhet të fillojë nga e para dhe mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë do të duket më e predispozuara sesa mbajtja e tyre në verë.
Heshtja zyrtare mbi çështjen e datës së zgjedhjeve u thye nga presidenti, Stevo Pendarovski, i cili propozoi një takim të liderëve të partive në mes të majit për të diskutuar si për gjendjen shëndetësore, ashtu edhe për zgjedhjet.
Presidenti do të duhet të vendosë deri atëherë nëse do ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme edhe me 30 ditë të tjera.
Lideri i Malit të Zi është në garë me recesionin
Lideri i Malit të Zi Milo Djukanoviç, ashtu si krerët politikë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, është nën presion për të mbajtur zgjedhjet para se rënia ekonomike të prishë planet.
Për më tepër, vendi i tij ka të ngjarë të goditet më shumë sesa të tjerët, për shkak të varësisë së tij nga sektori i turizmit.
Më 22 prill, Komisioni Europian vlerësoi se Mali i Zi do të përballej me një recesion të madh ekonomik në vitin 2020, me disa që parashikuan një tkurrje të vërtetë të ekonomisë deri në 9 për qind.
Zyrtarisht, vendi duhet të caktojë mbajtjen e zgjedhjeve deri në fund të tetorit.
Por, pasi organi kombëtar koordinues për sëmundjet infektive, pas një rënie të rasteve të reja me COVID-19, tha se kufizimet mund të hiqen deri më 1 qershor, presidenti Djukanoviç mund të caktojë shpejt datën e mbajtjes së zgjedhjeve në të cilat partia e tij, DPS, ka mbajtur pushtetin për mbi 30 vjet, do të garojë përsëri kundër partive të përçara të opozitës.
“Qeveria do të përpiqet të përfitojë nga lufta e suksesshme kundër pandemisë, kështu që mund të presim që zgjedhjet të mbahen më shpejt”, tha për BIRN analisti politik Boris Raoniç.
Qeveria tashmë ka filluar ato që ngjajnë si promovime politike duke zbuluar masa ekonomike për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset e prekura nga pandemia.
Më 9 prill, Kryeministri Dusko Markoviç prezantoi një buxhet prej 71.4 milionë eurosh për të ndihmuar kompanitë e vogla, sektorin e turizmit dhe qytetarët e prekur. Ai gjithashtu premtoi ndihmë financiare për të moshuarit dhe punëtorët e prekur nga masat pandemike të qeverisë.
Ndërkohë, presidenti Djukanovic gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të ndihmojë menjëherë kompanitë private dhe qytetarët e moshuar.
Opozita ndërkohë e akuzoi partinë në pushtet se po shfrytëzon krizën për të promovuar veten e saj dhe kërkoi më shumë kohë që të krijohen kushte për zgjedhjet e duhura demokratike.
“Nuk ka kushte për zgjedhje të ndershme deri në tetor dhe opozita duhet të insistojë për vonesën e tyre. Përndryshe, koalicioni qeverisës do të vazhdojë me shkelje elektorale dhe blerje të votave”, tha për BIRN një deputet i opozitës, Nedjeljko Rudoviç.
Duke pasur parasysh përvojat e mëparshme, janë shumë të pakta shanset që zëri i opozitës të dëgjohet për këtë çështje.
Të dyja palët në Kroaci mund të përfitojnë nga mbajtja e zgjedhjeve në verë
Kroacia gjithashtu duhet të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme deri në fund të vitit dhe edhe këtu çyshtja e kohës është shumë e rëndësishme.
Mbështetja për qendrën e djathtë të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, nën drejtimin e kryeministrit Andrej Plenkoviç, është rritur gjatë krizës shëndetësore, siç kanë treguar sondazhet e fundit, dhe shumë vëzhgues besojnë se partia do të preferojë që zgjedhjet të mbahen sa më herët për ta kapitalizuar këtë.
Sven Marceliç, një asistent profesor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Zadarit, tha për BIRN se koha ideale për HDZ në pushtet do të ishte “një ditë pas përfundimit të masave të ndërmarra për përfundimin e pandemisë”, sepse, “me kalimin e kohës , do t’i kushtohet më shumë theks ekonomisë dhe ne e dimë që do të ketë edhe një recesion”.
Ai shtoi: “Në përgjithësi, sa më larg të jetë data e zgjedhjeve, aq më keq është situata për HDZ, sepse ne e dimë se ky lloj homogjenizimi me qeverinë gjatë pandemisë nuk mund të zgjasë shumë pasi rreziku nga ky kërcënim të kalojë.”
Deri më tani, Plenkoviç po luan mirë. Kur një burim pa emër i HDZ sugjeroi që zgjedhjet mund të caktoheshin për më 5 korrik, Plenkoviç këmbënguli se çyshtja shëndetësore për të ishte e para dhe se për të, mbajtja e zgjedhjeve në qershor, korrik, gusht ose shtator është thjesht “një detaj i vogël”.
Por kritikët thonë se disa nga masat e marra nga Autoritetet Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në të cilat partia në pushtet ka të drejtë fjale, ngjajnë si pjesë e një fushate elektorale të parakohshme.
Vendimet përfshinin një ndalim të punës të dielave, gjë që kënaqi shumë votues katolikë dhe konservatorë. Në një mënyrë të ngjashme, ky organ së fundmi lejoi që tubimet fetare të rihapnin nga 2 maji, përpara se të rihapen shkollat dhe vendet e tjera publike.
“Kjo është pjesa ku mbështetet HDZ-ja, kështu që në këtë drejtim do të thosha që kjo është tepër e lidhur me interesin e HDZ”, tha Marceliç.
Duke iu referuar temave që do të mbizotërojnë zgjedhjet në Kroaci, Marceliç sugjeron se përqendrimi do të mbetet te pandemia, pasi HDZ-ja ndihet më e sigurt për këtë.
“HDZ-ja ka të ngjarë të përfitojë më shumë nga zgjedhjet e parakohshme, sepse aktualisht kjo parti është më e dukshme nëpër media”, tha ai.
Megjithatë, Marceliç tha se opozita kryesore Social Demokratët, SDP, nën drejtimin e Davor Bernardiç, gjithashtu mund të përfitojë nga zgjedhjet e mbajtura këtë verë sepse kriza shëndetësore ka fshirë nga mendja e publikut rivalët e tjerë më të vegjël të krahut të majtë që në të kundërt do t’i kishin marrë disa vota SDP-së.