Zyra e Avokatit të Popullit, znj. Erinda Ballanca kritikoi ashpër të hënën rastin e torturës së një qytetari të dënuar, i cili u konstatua se u mjekua i lidhur me pranga në QSUT, ndërsa kërkoi ndjekje penale për nënkomisarin e policisë për “torturë”.
Zyra e Avokatit të Popullit lëshoi të hënën një deklaratë për shtyp ku dënoi ashpër shkeljen e të drejtave të një të dënuari, ndërsa merrte mjekim në spital, duke e konsideruar si çnjerëzor trajtimin ndaj tij nga punonjësit e policisë.
“Avokati i Popullit njofton opinionin publik se ka rekomanduar fillimin e hetimeve penale në ngarkim të një punonjësi të Policisë së shtetit, për veprën penale të “Torturës” – thuhet në deklaratë.
Duke e cilësuar si jo të panjohur fenomenin e trajtimit të padenjë të të burgosurve nga ana e policisë, Avokati i Popullit denoncoi rastin e një qytetari të dënuar me inicialet F.B i cili në çastin e marrjes së ndihmës në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë është mbajtur i prangosur.
“Mbajtja e lidhur me pranga e të dënuarve që marrin shërbim shëndetësor konsiderohet një sjellje çnjerezore dhe element torture si dhe është i përjashtuar shprehimisht nga Manuali i “Rregullave dhe Procedurave Standarde për Trajtimin & Sigurimi e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar në Njësitë Policore”- tha Avokati i Popullit në deklaratë.
“Edhe Komiteti i Parandalimit tё Torturёs (KPT) tё Kёshillit tё Europёs ёshtё shprehur se praktika e mbajtjes sё prangosur nё spital e personave tё burgosur ёshtё njё akt degradues ndaj individёve dhe duhet zëvëndёsuar me masa tё tjera alternative sigurie,” shtoi institucioni.
Pas ankesës së të dënuarit dhe konstatimeve të punonjësve të Avokatit të Popullit për mbajtjen në pranga të të dënuarit pavarësisht pranisë së punonjësve të policisë, si dhe pas marrjes së dëshmive të oficerëve shoqërues, Zyra ka thirrur për shpjegim nënkomisarin e Policisë, me iniciale A.D, i cili e ka injoruar thirrjen e Avokatit të Popullit.
Kontaktuar nga BIRN, Drejtoria e Policisë së Shtetit u shpreh se nuk kishte dijeni për rastin e mësipërm të denoncuar nga Avokati i Popullit.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar: “fillimin e hetimeve penale në ngarkim të punonjësit të policisë N/Komisar A.D. për veprën penale të “Torturës”; masa të menjëhershme për njohjen e punonjësve të Policisë së Shtetit me Manualin e “Rregullave dhe Procedurave Standarde për Trajtimin & Sigurimi e Personave të Arrestuar dhe Ndaluar në Njësitë Policore”; respektimin e të drejtave themelore kushtesuese të shtetasit F.B., duke i hequr prangat dhe mos mbajtjen e tij të lidhur pas krevatit gjatë kurimin në QSUT “Nënë Tereza” Tiranë”.
Avokati i Popullit e përmbylli deklaratën duke kërkuar analizim të këtij rasti për të mos përsëritur shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.