I sapo dalë nga qelia, ish-kryebashkiaku i Dibrës rrezikon 3 vjet burg pasi prokuroria dërgoi për gjykim një tjetër dosje ndaj tij. Xhelili akuzohet për mosdeklarim të 34 mijë eurove me të cilat i biri kishte blerë një apartament.
Një muaj pasi la burgun, ku vuajti dënimin me 1 vit e 8 muaj për “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën,” ish-kryebashkiaku i Dibrës Shukri Xhelili, i duhet të shkojë sërish në gjykatë, me akuzën e “Mosdeklarimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë”, ndërsa rrezikon një dënim deri në tre vjet.
Në një njoftim për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme ditën e sotme, njoftohet se Prokuroria e Dibrës kishte mbyllur hetimet dhe dërgoi për gjykimin dosjen e Xhelilit, i cili ishte kallëzuar nga ILDKPI (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit) për fshehjen e 34 mijë eurove.
“Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Dibrës, rezultoi se i pandehuri nuk justifikon me dokumenta zyrtare kontratën për blerjen e një apartamenti në Durrës, me vlerë 34.000 euro, në emër të djalit të tij”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Xhelili pretendon se blerja e apartamentit nuk ishte deklaruar pasi ishte bërë me kontratë kleringu e shërbimi mes kompanisë së të birit dhe kompanisë së ndërtimit, por thotë se djali gabimisht kishte vënë emrin e tij në kontratë dhe jo atë të kompanisë. Ndërkohë thotë se nuk e kishte deklaruar apartamentin pasi ai ende nuk ishte hipotekuar.
“…duke mos pasur një titull pronësie, hipotekën, nuk e kam deklaruar në deklaratën e paraqitur pranë ILDKP-së, për më tepër me këtë kompani akoma nuk janë përfunduar të gjitha punimet më shërbimin që i janë ofruar”, i ka thënë ai prokurorisë gjatë marrjes në pyetje.
Por Prokuroria e Dibrës thotë se prej hetimeve të kryera prej saj rezulton se apartamenti ishte blerë me para të thata dhe se Xhelili dhe i biri duhej ta kishin deklaruar atë. “…me procesverbalin e këqyrjes të datës 26.06.2017 është administruar kopje e kontratës së sipërmarrjes datë 18.02.2014, për ndërtimin e apartamentit me sipërfaqe 91.78 m2 ndodhur në plazh, kundrejt shumës prej 34 000 eurosh ndërmjet shoqërisë “T…C…” dhe porositësit “Ervis Xhelili”. Në nenin 3 të kontratës thuhet: “1. Shuma totale e apartamentit objekt porosie është 34 000 euro. Pagesa për këtë apartament objekt porosie është bërë si më poshtë: Shuma e mësipërme është likuiduar totalisht nga porositësi cash në dorë duke mos pasur asnjë lloj detyrimi ndaj njëri tjetrit”, njoftoi prokuroria.
Akuza thotë se nuk ka gjetur prova për të mbështetur një tjetër pretendim të ILDKPI e cila kallëzonte Xhelilin edhe për fshehje të të ardhurave për blerjen e një makine. “Nga të dhënat hetimore të Prokurorisë së Dibrës, rezultoi se blerja e këtij automjet është i justifikuar me burime të ligjshme”, thuhet në njoftimin që sqaron dërgimin për gjykim të dosjes. Prokuroria po asht ka gjetur se një apartament në Kashar që dyshohej nga ILDKPI se i përkiste sërish djalit të ish-kryebashkiakut, ishte i një personi tjetër me të njëtin emër.
Ish-kryebashkiaku i Dibrës përfundoi në fund të muajit Maj dënimin me 1 vit e 8 muaj burg, përfshi kohën e paraburgimit, për akuzën e “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Xhelili u arrestua në Maj 2016 pas trasmetimit të një kamera të fshehtë ku ai shfaqej duke i ofruar një vend pune një vajze në këmbim të favoreve seksuale. Xhelili, i zgjedhur kryebashkiak në Dibër në vitin 2015 si kandidat i Partisë Socialiste u shkarkua menjëherë nga kryeministri Edi Rama dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimin e tij duke lënë në fuqi shkarkimin.
Ai u dënua fillimisht në Shkallën e Parë për “korrupsion pasiv” me 2 vjet e 8 muaj burg, por më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e ndryshoi akuzën dhe i uli dënimin me 1 vit. Xhelili u dënua edhe me 5 vjet heqje të drejte për ushtrim të funksioneve publike.