Analize11 May 2017

Mungesa e koalicioneve nxjerr në pah oligopolin politik

Gjatë ditëve të fundit, media pati mundësi të qeshë me disa parti të vogla, të cilat kanë arritur me mundim të plotësojnë kushtet minimale të kërkuara për të garuar në zgjedhje. Por një vështrim më i thelluar i kodit zgjedhor të vitit 2008, nxjerr në pah padrejtësitë e mëdha të krijuara nga dy partitë kryesore ndaj pjesës tjetër të spektrit politik.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qendër votimi gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 | Foto nga :AP

Partia MEGA, Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, e gjeti veten në mediat kryesore të vendit gjatë ditëve të fundit për një arsye aspak të këndshme. Në listat e saj të kandidatëve për deputetë, rezultuan shumë njerëz me të njëjtët mbiemra të shpërndarë në listat për të 12 qarqet e vendit. Media e interpretoi këtë si një lajm për të qeshur, me interpretimin e thjeshtuar “kandidon një familje e tërë”. Por për Kristo Kiçon, kryetar i kësaj partie, kjo nuk është aspak një situatë për të qeshur.

“Ne jemi një parti që përfaqësojmë minoritetin grek, por pavarësisht kësaj, kemi detyrimin ligjor për të kandiduar deputetë edhe në Shkodër, edhe në Kukës… Kjo nuk është për t’u tallur. Konkurrimi në zgjedhje në Shqipëri sot është shumëfish më i vështirë se sa më parë. Kjo nuk është demokraci,” tha ai.

Megjithëse se MEGA është një parti që shpreson të marrë një deputet në qarkun e Vlorës ose të Gjirokastrës, ku minoriteti grek është i pranishëm si faktor politik, kësaj partie politike kodi zgjedhor i imponon detyrimin për të kandiduar me listë të plotë deputetësh në të dymbëdhjetë qarqet e vendit, pavarësisht nëse kjo parti ka apo jo gjasa të fitojë qoftë edhe një votë të vetme në këto qarqe dhe pavarësisht nëse kjo parti dëshiron të kandidojë apo të fitojë vota.

“Detyrimi ligjor për të kandiduar në Shkodër apo në Kukës nuk bën sens,” tha Kiço për BIRN. “Unë nuk kam elektoral atje,” shtoi ai, duke i këshilluar medias të shohë më seriozisht problemin e demokracisë në përgjithësi se sa të humbë kohë duke gjuajtur mbiemrat e kandidatëve për deputetë të partive të vogla. MEGA jo vetëm që nuk ka interes të kandidojë me lista të plota në Tiranë, Shkodër apo Durrës, por edhe votat e pakta që ajo mund të fitojë në këto zona nuk vlejnë. Sistemi aktual elektoral bën që nëse një parti e vogël fiton, fjala vjen, 100 vota në Shkodër, këto vota nuk i llogariten në ndarjen e mandateve në kuvend. Por pavarësisht kësaj, partia ka detyrimin ligjor të kandidojë në të gjithë Shqipërinë.

Kodi si duopol i PS dhe PD

Në vitin 2008, dy partitë e mëdha, PD dhe PS, arritën një marrëveshje brenda një nate për të ndryshuar thelbësisht kodin zgjedhor të vendit me një synim të qartë për bllokimin e rrugëve të aksesit në politikë për forcat e tjera politike, pa lejen e dy partive të mëdha.

Kodi i vitit 2008 ashpërsoi kushtet që një subjekt zgjedhor duhet të plotësojë për të fituar të drejtën për të garuar në zgjedhje si dhe imponoi detyrimin për të kandiduar një numër të barabartë kandidatësh me numrin e posteve në dispozicion. Kjo solli nga njëra anë pamundësinë e një numri të madh partish për të plotësuar kushtet për të garuar dhe nga ana tjetër, keqpërdorim të këtyre partive nga dy partitë e mëdha. Por nga ana tjetër, përcaktimi i detyrimit për të garuar në të gjithë Shqipërinë me 140 kandidatë për zgjedhjet e parlamentit dhe me mbi 1600 kandidatë për zgjedhjet për pushtetin vendor, duket se detyroi partitë e vogla t’i luten njerëzve për të vënë formalisht emrin në listën e kandidatëve, pavarësisht se gjasat për të fituar janë inekzistente. Rrjedhimisht, media ka mundësi të tallet me, fjala vjen, renditjen e një familjeje të tërë në listat e kandidatëve për deputet të një partie të vogël apo kandidimi i njerëzve të thjeshtë si këpucarë apo të papunë si kandidatë për deputetë. Por nga ana tjetër, të tallurit e vërtetë janë votuesit, të cilët, ndonëse në zgjedhjet e shkuara kanë pasur mundësi të zgjedhin mes mbi 60 partive, nuk janë tërësisht të informuar se shumica dërrmuese e këtyre partive garojnë vetëm me lejen e dy partive të mëdha.

Kjo ka bërë që në një palë zgjedhje, numri i kandidatëve të jetë formalisht i stërmadh, dhe mundësitë e votuesve për të zgjedhur, teorikisht të larmishme. Në zgjedhjet për pushtetin vendor 2015 p.sh, formalisht 36 mijë shqiptarë garuan të ndarë në 63 parti, kur në garë gjendeshin më pak se 1600 poste këshilltarësh.

Për Ben Blushin, kryetar i partisë së re Libra, e cila garon për herë të parë në këto zgjedhje, kritere të tilla janë pjesë e monopolizimit të jetës politike të vendit nga dy partitë e mëdha.

“Sistemi aktual është treguesi më i mirë i monopolizimit të jetës publike nga këto parti,” tha Blushi për BIRN. “Partitë e mëdha kanë imponuar kritere thuajse të pamundura dhe të kushtueshme për alternativat e reja dhe e konsiderojnë veten padronë të skenës politike. Ata vetë përfitojnë fondet e buxhetit të shtetit ende pa marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa kanë ndërtuar sistemin e koalicioneve që i diskriminon alternativat kritike,” tha ai, duke iu referuar formulës së ndarjes së mandateve të vitit 2008, e cila bën që partitë alternative të detyrohen të marrin dy herë më shumë vota për të fituar një deputet në krahasim me partitë kryesore.

Gjergj Bojaxhi, kryetar i partisë Sfida, e cila garon gjithashtu për herë të parë në zgjedhje, sistemi aktual zgjedhor është bërë në mënyrë të tillë që partitë e mëdha të mund të minimizojnë mundësitë për alternativat e reja.

“Unë e shijoj si një artificë e partive të mëdha për të detyruar alternativat e reja ose të detyrohen të bashkëpunojnë me partitë e mëdha, ose të kenë sforco të panevojshme për të gjetur kandidatura të plota në të gjitha qarqet e Shqipërisë,” tha Bojaxhi për BIRN, duke shtuar se kandidatët e alternativave të tilla, jo vetëm që duhet të garojnë, fjala vjen, në vend të 34 në listën me 34 deputetë të Tiranës, por do të duhet të përballen edhe me presionin e sistemit.

“Kjo në kontekstin ku ne jetojmë në një shoqëri ku kemi një demokraci të dështuar, ku njerëzit kanë frikë që të dalin publikisht në betejë me sistemin,” tha ai.

Shtrëngimi i kritereve

Në kodin zgjedhor të vitit 2003, partitë e vogla kishin detyrimin të mblidhnin 300 firma për të kandiduar në një nga 100 zonat zgjedhore të vendit, ndërsa mund të paraqisnin një listë prej pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë kandidatësh në listën e proporcionalit kombëtar, sipas dëshirës. Vetëm partitë që kishin mbi 20 për qind të votave në zgjedhjet paraardhëse kishin detyrimin për të garuar në të gjithë vendin.

Në vitin 2008, dy partitë e mëdha ranë dakord që një parti të kishte detyrimin të paraqiste 5 mijë firma mbështetëse dhe që secila nga këto parti duhej të kandidonte së paku 140 vetë. Për partitë e vogla, ky është një ushtrim i vështirë dhe i kushtueshëm. Mbledhja e 5 mijë firmave është një operacion që kërkon shumë njerëz. Por detyrimi për të kandiduar 140 deputetë i ka shtyrë disa nga këto parti të fusin në lista çfarë të munden. Nuk është e lehtë që të gjesh një person që të kandidojë, fjala vjen, në vendin e tridhjetë e katërt në Tiranë, kur teorikisht dhe praktikisht asnjë parti, qoftë e vogël apo e madhe, nuk mund të fitojë 100 për qind të votave e nuk mund të marrë 34 deputetë.

Kodi aktual zgjedhor nuk është ai që dy partitë e mëdha miratuan në vitin 2008. Në fakt, në variantin fillestar të tyre, partive të reja ose atyre joparlamentare, u kërkohej të mblidhnin 10 mijë firma për të fituar të drejtën për të garuar, si dhe t’i mblidhnin këto firma me procedurë noteriale. Procedura noteriale kushton praktikisht 200 lekë për çdo firmë dhe, nëse vullneti i dy partive të mëdha do të triumfonte, një partie të re do t’i nevojiteshin efektivisht mbi 2 milionë lekë vetëm për procedurat noteriale. Një parti e vogël, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, e ankimoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2010 dhe këto pengesa për partitë e vogla apo të reja, u shfuqizuan pjesërisht si antikushtetuese. Në vitin 2014, ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor u bënë për të reflektuar pjesërisht boshllëkun e krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kështu, u hoq detyrimi për të mbledhur firma të noterizuara por numri i firmave të nevojshme u la në 5 mijë, shumë herë më shumë nga sa kishte qenë në zgjedhjet e kaluara.

Më e lehtë brenda koalicioneve

Kodi zgjedhor i hartuar nga Berisha dhe Rama dhe i votuar nga deputetët e tyre të parlament vendosi një skemë tjetër shumë diskriminuese ndaj alternativave politike të reja apo të vjetra. Kodi përcaktoi se nëse një parti vendoste, fjala vjen, të mos garonte vetë por të garonte në koalicion me një nga partitë e mëdha, jeta e saj lehtësohej menjëherë. Një parti në koalicion nuk ka nevojë të mbledhë 5 mijë firma për të fituar të drejtën për të garuar dhe nuk ka detyrimin që të kandidojë 140 deputetë në të gjithë Shqipërinë por vetëm gjysmën, d.m.th., 70 deputetë. Kjo sërish e rrit në mënyrë artificiale numrin e kandidatëve formalë në zgjedhje, shumica dërrmuese e të cilëve janë jashtë çdo probabiliteti arithmetik e praktik për të hyrë në parlament. Megjithatë, formula e llogaritjes së numrit të deputetëve takues është e tillë që për partitë brenda koalicioneve kërkohen dy herë më pak vota për çdo deputet të fituar se sa për partitë jashtë koalicioneve. Në thelb kjo shkel barazinë e votës, atë parim të shenjtë të instaluar në Kushtetutën e Republikës, si dhe parimin tjetër kushtetues të proporcionalitetit.

Mungesa e koalicioneve spastroi fushën

Për zgjedhjet e 18 qershorit fillimisht 46 parti u regjistruan, duke përjashtuar një numër partish në opozitë të cilat deklaruan se do t’i bojkotonin zgjedhjet. Shumica dërrmuese e këtyre partive pritën deri në çastin e fundit që Partia Socialiste të krijonte koalicionin e vet parazgjedhor. Koalicioni nuk u bë në çastin e fundit e për rrjedhojë, partive iu desh të regjistroheshin si subjekte garuese vetëm duke paraqitur së paku 5 mijë firma. Në finale, vetëm 15 nga 46 partitë që pretendonin të garonin arritën t’i plotësonin kriteret. Shumicës iu desh të luftojë në ditët e fundit për të mbledhur të pesë mijë firmat, ndërsa një pjesë u gjetën të papërgatitura pasi shpresonin thjeshtë të bënin koalicion me PS.

Kodi thotë se një parti ka detyrimin të mbledhë firma mbështetëse në rast se nuk disponon së paku një deputet në parlamentin ekzistues. Aktualisht janë tetë parti që plotësojnë këtë kriter ndërsa pjesa tjetër hyri në garë me lista mbështetëse.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve problemi lindi kur listat mbështetëse të partive garuese duhej të verifikoheshin. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan verifikimin e tyre me dyshimin se nuk kuptohet se si shumica e partive të vogla arritën të mbledhin 5 mijë firma në çastin e fundit. Por KQZ nuk ka burimet dhe as mekanizmat për të verifikuar vërtetësinë e firmave, veçanërisht në kushtet kur këto lista duhet të dorëzohen 45 ditë para zgjedhjeve ndërsa fleta e votimit duhet të fillojë të shtypet më pak se 35 ditë nga dita e zgjedhjeve. Ndryshe nga zgjedhjet e viteve 2009 dhe 2013, numri i firmave në listat mbështetëse është me dhjetëramijëra, dhe KQZ vendosi së fundmi t’i bjerë shkurt dhe të mos i verifikojë këto lista.

Pavarësisht mungesës së koalicioneve dhe bojkotit të partive të opozitës, sërish në Shqipëri pritet që së paku 2100 kandidatë të garojnë për 140 poste një parlament, shumica dërrmuese e të cilëve kanë zero shanse për t’u zgjedhur, por janë kandidatë për shkak se dy partitë e mëdha e kanë bërë detyrim ligjor kandidimin sa për numër.