Të vënë nën shenjestër që prej mesit të majit, drejtues, ish-drejtues dhe inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Dibrës u arrestuan dhe u shpallën në kërkim të premten. Një pjesë e tyre ishin proceduar në gjendje të lirë edhe në fillim të qershorit.
Policia e Dibrës njoftoi të premten arrestimin e kryeinspektori dhe 3 inspektorëve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Dibrës, të akuzuar për lejimin e ndërtimeve pa leje. Policia po ashtu njoftoi se ka shpallur në kërkim ish-kryeinspektorin dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë.
Ndër të arrestuarit është kryeinpsektori Fitim Raska, 33 vjeç, inspektorët Jetmir Osmani, 32 vjeç, Agush Cena dhe Shpëtim Iskurit, 51 vjeç. Ndërkohë në kërkim u shpall ish-kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër Ermal Xheka.
“Ndalimi i këtyre personave është bërë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin nuk kanë ushtruar detyrën konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë ndaj B.SH, 62 vjeç, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit të bashkisë Dibër, A. C., 29 vjeç, përgjegjës i Kontrollit Territorit dhe E. Sh., 41 vjeç, përgjegjës i Sektorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, u njoftua fillimi i procedimit penal në gjendje të lirë.
Shkëlqim Murrja, kryetari në detyrë i bashkisë Dibër, deri në publikimin e këtij lajmi nuk ishte i disponueshëm për koment për arrestimet nga Policia në IVMT-në Dibër, strukturë nën varësinë e tij.
Prokuroria i akuzon të ndaluarit se kanë “lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B.” Ndaj një pjese të të arrestuarve ka pasur që në fillim të qershorin procedim penal në gjendje të lirë për lejimin e ndërtimeve pa leje gjatë fushatës.
Goditjet ndaj IVMT-së Dibër filluan pas një deklarate për mediat në maj 2021, të drejtorit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në qarkun e Dibrës, Lutfi Miftari, i cili akuzonte njësitë e qeverisjes vendore dhe strukturat e tyre të mbrojtjes së territorit, se nuk kishin marrë asnjë masë për frenimin e ndërhyrjeve në territor, pavarësisht se ishin njoftuar.
Ndërkohë strukturat e opozitës në Dibër, vazhdimisht kanë akuzuar drejtuesit e policisë dhe bashkive se kishin lejuar ndërtimet pa leje, në këmbim të votës në zgjedhjet e 25 prillit.
I pyetur në fillim të qershorit për akuzat Ermal Xheka, atëherë ende Kryeinspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër, mohoi të ishin bërë shkelje. “Të gjitha rastet që unë i kam në kompetencë dhe rastet e ndërtimeve pa leje që unë i kam konstatuar, kam marrë të gjitha masat e nevojshme. Nuk ka pasur asnjë tolerim për çdo rast që është konstatuar”, u shpreh Xheka tani i shpallur në kërkim nga policia.