Lajm29 Oct 2018

Një kompani kroate dhe dy shqiptare fitojnë supertenderin e tatimeve

Tenderi që synon të përmirësojë sistemin e faturave fiskale u fitua me një ofertë të barabartë me 99.75% të fondit limit ku konkurrenti i vetëm hodhi ofertë të barabartë me fondin limit dhe nuk u kualifikua pasi nuk plotësonte kushtet. Siç ishte paralajmëruar, tenderi u fitua pjesërisht nga një kompani kroate.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kasë fiskale | foto ilustrative

Një tender me vlerë afro 1.9 miliardë lekë i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u fitua nga një bashkim tre kompanish, dy nga të cilat janë shqiptare dhe një është kroate. Rezultati i tenderit, i cili u shpall në Agjencinë e Prokurimit publik, bëri të ditur se tenderi me fondin limit 1,869,825,960 lekë (afro 1.9 miliardë), i fitua nga kompanitë shqiptare Jehona e Datech si dhe kompania kroate Neos d.o.o., me ofertë 1,865,153,906 lekë, shifër kjo e barabartë me 99.75% të fondit limit.

Fitimi i tenderit nga “një kompani kroate” ishte paralajmëruar nga Partia Demokratike në opozitë në shtator, kur tenderi sapo ishte hapur. Në një konferencë për shtyp më 22 shtator 2018, dy deputetë të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Endri Hasa, e patën shpallur tenderin e tatimeve korruptiv, dhe patën parashikuar se fituesi ishte një firmë kroate. [Link]

“Faktet tregojnë se Edi Rama nuk është tërhequr nga vjedhja e biznesit që vepron në Shqipëri, për llogari të një firme kroate, besoj lidhjet me të cilën do të zbulohen së shpejti,” deklaroi në atë kohë Endri Hasa.

Subjekti Neos d.o.o me numër TVSH-je 77018181695 është me të vërtetë një kompani kroate me zyrë në Zagreb.

Sipas njoftimit të shpalljes së fituesit, një ofertë e hedhur nga BNT Electronics ishte e barabartë me fondin limit. Por pavarësisht kësaj, oferta e Jehona, Datech dhe Neos ishte e vetmja e kualifikuar.

Tenderët që përfundojnë me ofertë fituese fare pranë fondit limit si dhe me oferta shumë pranë ose shumë larg njëra-tjetrës klasifikohen në legjislacionin ndërkombëtar të prokurimeve si të dyshimta. Për shembull, udhërrëfyesi i Bankës Botërore mbi “flajmujtë e kuq” në fushën e prokurimeve publike, e rendit si tregues të mjaftueshëm për të ngritur dyshime faktin nëse ofertat e hedhura në garë janë në mënyrë të pashpjegueshme tepër pranë njëra tjetrës ose tepër larg, p.sh., më pak se 1% ose më shumë se 10%. Diferenca mes dy ofertave është vetëm 0.25% dhe po kaq është diferenca nga fondi limit. Po kështu edhe udhërrëfyesi i Bashkimit Europian mbi Mashtrimet në Prokurimet Publike rendit afrimësinë e ofertës fituese me fondin limit si një arsye për të ngritur dyshime. [Link]

Sistemi që pritet të krijohet nga kontrata e re synon të përmirësojë sistemin ekzistues të kasave fiskale që transmetojnë një herë në ditë xhiron e llogaritur nga një biznes i caktuar. Kasat, të cilat i kanë kushtuar bizneseve disa dhjetëramilionë euro gjatë dekadës së fundit, rezultojnë sipas tatimeve, joefikase për të luftuar evazionin fiskal.

Ky është prokurimi më i madh i realizuar nga Shqipëria për efekt të administrimit tatimor ndërsa tatimet refuzuan t’i përgjigjen pyetjes me shkrim të BIRN nëse është bërë apo jo një studim fizibiliteti për të parë se sa leverdishmëri ekonomike do të ketë për taksapaguesit ky investim i ri.

Sipas kontratës, kompanitë fituese do të dorëzojnë programin e ri brenda 24 muajve të ardhshëm.