Lajm10 Apr 2019

“Nuk arrin nivel të besueshëm”: Komisioneri kërkon shkarkimin e Donika Prelës

Nga të ardhurat e pataksuara të bashkëshortit deri te raportimet e Drejtorisë së Pastrimit të Parave; Komisioneri Publik argumenton se konfirmimi në detyrë i shefes së Krimeve të Rënda bie ndesh me vendimin e Kolegjit për Bashkim Dedjen apo rekomandimin e ONM-së për Xhezair Zaganjorin.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Drejtuesja e Prokurorise se Krimeve te Renda, Donika Prela pas konfirmimit ne KPK. Foto: LSA

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kundërshtoi të enjten konfirmimin në detyrë të shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e saj.

Sipas apelimit të Komisionerit Publik, Prela nuk arrin nivel të besueshëm kryesisht në kriterin e pasurisë. Megjithatë, kërkohet që shqyrtimi në shkallën e dytë të vetingut të bëhet për të tre kriteret e rivlerësimit.

Donika Prela u konfirmua unanimisht në detyrë më 5 shkurt nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici.  Por Komisioneri Publik konteston justifikimin e KPK-së për të ardhurat e pataksuara të bashkëshortit të prokurores Prela, duke sjellë në vëmendje precedentët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që për të njëjtin problem, u kushtuan karrierën disa kolegëve të saj.

Komisioneri rendit praktikën e ndjekur më parë nga Kolegji në rastin e shkarkimit të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja apo të gjyqtarit Artan Lazaj. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i KPK-së bie gjithashtu në kundërshtim me rekomandimet e ONM-së për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori apo sërish për Bashkim Dedjen.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se bashkëshorti i prokurores, Vangjel Prela rezultonte me taksa të papaguara për një pjesë të të ardhurave me vlerë 2.5 milionë lekë, por ia kaloi përgjegjësinë për këtë fakt kompanisë së ndërtimit ku ai punonte.

Ndryshe nga KPK, Komisioneri Publik kujton nenin D të Kushtetutës që përcakton se të ardhurat e ligjshme janë “ të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore”.

“Ky interpretim i përmbajtjes së nenit D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës… është konfirmuar tashmë edhe nga jurisprudence e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendime të dhëna mbi ankime të Komisionerit Publik, që në disa raste janë ushtruar edhe pas shqyrtimit të rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,” thuhet në ankim.

Përjashtimi i të ardhurave të pataksuara të bashkëshortit e kthen analizën financiare të Donika Prelës në një kështjellë prej rëre.

Sipas Komisionerit Publik, ajo rezulton me mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe prej 95.6 metrash katrorë në Tiranë si dhe për kursime në cash, të deklaruara si burim për këtë pasuri.

Komisioneri Publik argumenton ndryshe nga KPK edhe për një hua prej 15 mijë eurosh, marrë djalit të xhaxhait të bashkëshortit të saj me qëllim blerjen e apartamentit të mësipërm. Duke iu referuar dokumenteve në dosje, Komisioneri argumenton se i afërmi nuk kishte burime të ligjshme për dhënien e huasë. Ai arrin gjithashtu në përfundimin se Prela dhe bashkëshorti i saj nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të shlyer këstet e borxhit të mësipërm.

Komisioneri Publik ngre dyshime edhe mbi argumentet e përdorura nga Prela para KPK-së lidhur me padijeninë e të shoqit për taksat e papaguara dhe padinë e bërë ndaj kompanisë “Bruçi” sh.p.k. Ai thotë se për qëllim të detyrimeve tatimore, kompania ka paguar gjysmën e pagës me bankë dhe gjysmën me arkë, rrethanë kjo e mjaftueshme për të qenë në dijeni.

“Fakti që subjekti i rivlerësimit edhe gjatë procesit të rivlerësimit ka nënvizuar mospasjen dijeni të saj dhe të bashkëshortit për këtë shmangie të pagimit të detyrimeve tatimore në marrëdhëniet e punës, në konsideratë të vlerësimit etik dhe profesional, është rrethanë që rëndon pozitën e subjektit për qëllim të proçesit të rivlerësimit,” thekson komisioneri Ballhysa.

“Nënvizojmë se në periudhën në fjalë, subjekti i rivlerësimit ka ushtruar detyrën e prokurores së seksionit Task Forcë, ku brenda juridiksionit të veprimeve proceduriale/hetimit të tyre, ishte edhe hetimi i veprave penale të sferës ekonomike,” shton ai.

Një tjetër argument që ngre dyshime mbi besueshmërinë e mbrojtjes së Prelës para KPK-së, sipas Komisionerit Publik është edhe pushimi i padisë së ngritur nga bashkëshorti i saj ndaj ish-punëdhënësit. Duke iu referuar lajmit të një portali mediatik, që i kishte mbërritur Komisionerit Publik edhe nëpërmjet postës elektronike, gati një muaj pas konfirmimit të Prelës në detyrë, gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen me gjykimin se “padia ishte pa objekt”.

Përveç problemeve me të ardhurat e patatuara të bashkëshortit apo mungesës së burimeve të ligjshme për blerjen e një apartamenti, Komisioneri Publik përmend edhe dy raste të transaksioneve të bashkëshortit të Prelës, të cilat janë raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Rasti i parë lidhet me një hua prej 25 mijë eurosh, e cila nuk figuron në deklaratat e pasurisë dhe që u shpjegua prej Prelës se bashkëshorti i saj kishte ndjekur me prokurë dhënien dhe marrjen e borxhit nga persona të tretë. Por Komisioneri Publik thotë se sipas të dhënave të bankës, bashkëshorti i saj ka qenë kreditor i shumës në fjalë për gati tre vjet, duke e bërë këtë shumë subjekt të deklarimit.

Rasti i dytë i raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në ILDKPKI lidhet me një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh që Vangjel Prela kishte paguar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë.

“Nga aktet e administruara nuk provohet lidhja, shkaku ligjor dhe qëllimi i kryerjes së transaksionit nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit pranë ZVRPP Durrës, në muajin prill të vitit 2013, periudhë në të cilën bashkëshorti i subjektit ka qenë i punësuar pranë Bashkisë Tiranë, ndërkohë që marrëdheniet e punësimit me shoqërinë “***” sh.p.k., ishin ndërprerë prej nëntorit të vitit 2016,” thuhet në ankim.

Bazuar mbi argumentet e mësipërme, Komisioneri Publik vlerëson se për kriterin e pasurisë, Donika Prela ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe jo në përputhje me ligjin.

Komisioneri ka cekur gjithashtu edhe kriterin e aftësive profesionale, lidhur me “dy standardet e ndryshme të hetimit” nga Prela për veprën penale të “drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”, ku njëri prej të akuzuarve është proceduar në kushtet e “arrestit me burg” dhe tjetri në gjendje të lirë.

Njëkohësisht me gjetjet nga raporti i vlerësimit profesional, Komisioni ka hetuar edhe raste të denoncimeve nga publiku dhe media, për të cilat është marrë qëndrimi i subjektit, administruar edhe gjetjet e ONM-së dhe përfundimisht, Komisioni ka pranuar të konkludojë nga sa është argumentuar nga subjekti i rivlerësimit dhe rezultatet e hetimit të kryer për denoncimet e publikut.

Duke kërkuar shqyrtim për të tre kriteret e rivlerësimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, komisioneri Ballhysa vlerëson se Donika Prela nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmin në detyrë, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të Donika Prelës.