Kompania që operon linjat e transportit urban në bashkinë e Shkodrës ka pezulluar aktivitetin të mërkurën, duke paralajmëruar se protesta mund të përshkallëzohet nëse bashkia nuk i jep mbështetje financiare.
Kompania që ofron shërbimin e transportit publik në Shkodër ka pezulluar punën për 24 orë, duke kërkuar ngritjen e çmimit të biletës ose subvencione nga bashkia.
“Shkodra rrezikon të ngelë pa transport urban publik,” paralajmëroi Melidion Dervishi, drejtuesi i kompanisë Ergys 2010MS Shpk.
Dervishi tha se pezullimi i shërbimit për 24 orë ishte marrë pasi kompania përballej me një seri problematikash, përfshirë mungesën e infrastrukturës, çmimin e ulët te biletës, rritjen e çmimit të naftës, si dhe mungesën e subvencioneve për kategoritë përfituese.
“Të gjitha keto kërkesa dhe problematika janë derguar me shkresa zyrtare Bashkisë Shkodër por kanë rënë në vesh të shurdhër,” theksoi Dervishi, ndërsa paralajmëroi grevë të përshkallzuar nëse nuk do të ketë reagim nga pushteti vendor.
Disa orë pas pezullimit të lëvizjes së autobuzëve ka reaguar Bashkia Shkodër. Në një deklaratë bashkia u shpreh se shoqëria është përzgjedhur në një tender të hapur në vitin 2018, ku ka marë pësipër plotësimin e kushteve të vendosura nga Këshilli Bashkiak – mes të cilave itinerari, standardi i mjeteve që duhet të përdorin dhe tarifat e miratuara.
“Bashkia e Shkodrës kërkon nga shoqëria “Ergys 2010MS” shpk respektimin e kontratës, respektimin e licencës në bazë të ligjit,” thuhet në deklaratën e Bashkisë Shkodër.
“Në asnjë rast Bashkia Shkodër nuk mund të veprojë kundër ligjit,” shtoi ajo.
Lidhur me kërkesat e paraqitura nga operatori i transportit urban Bashkia Shkodër tha se do t'ia përcjellë dikasterit përkatës kërkesën për të vlerësuar rishikimin e normativave ligjore për subvencionin për grupet në nevojë, të cilat deri tani nuk janë të parashikuara me ligj.
“Kujtojmë se subvencioni për grupet në nevojë nuk është miratuar me ligj, edhe pse Bashkia Shkodër ka bërë disa kerkesa të tilla gjatë gjithë këtyre viteve,” përfundoi deklarata e bashkisë.