Lajm9 Dec 2019

Organizatat ndërkombëtare përsërisin thirrjen për ndalimin e “paketës antishpifje”

Shtatë organizatat më të rëndësishme në botë për lirinë e shprehjes publikuan një deklaratë të re të hënën duke përsëritur thirrjen që parlamenti të mos miratojë "paketën antishpifje, duke e konsideruar atë si një kthesë për keq në klimën e lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Attila Mong, Flutura Kusari dhe Sarah Clarke, gjatë një konference për shtyp për lirinë e medias në Shqipëri, Tiranë 21.06.2019 | Foto : Besar Likmeta

Shtatë organizata ndërkombëtare publikuan një deklaratë të dytë kundër nismës së kryeministrit Edi Rama për të mbikëqyrur dhe cenzuruar median online jashtë procesit të rregullt gjyqësor duke bërë thirrje që parlamenti t’i japë fund asaj që e quajtën “proces hileqar” të shqyrtimit të tyre parlamentar. Organizatat, të cilat publikuan një deklaratë të ngjashme një vit më parë kur qeveria “Rama” propozoi fillimisht këto projektligje, i konsideruan propozimet e Ramës si jo në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare si dhe të tilla që përbëjnë një “kthesë për keq” në klimën e përgjithshme të lirisë së shprehjes në Shqipëri.

“Ka shqetësim të gjithëpërhapur mbi këmbënguljen e qeverisë dhe parlamentit për të vijuar me këto projektligje ndërsa ato sinjalizojnë një kthesë për më keq në klimën e lirisë së medias në Shqipëri. Shqipëria ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në, Presidencën e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020. Nëse këto ligje do të miratohen, do të jetë shumë shqetësuese që Shqipëria të marrë këtë rol,” shkruhet në deklaratë.

Organizatat firmëtare janë Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ( ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO).

Duke rikujtuar deklaratën e tyre të parë në korrik, të shtatë organizatat vërejnë me shqetësim se parlamenti shqiptar po ndjek një mënyrë hileqare për procedurën e trajtimit të nismës.

“Ne ngritën shqetësimet tona serioze mbi legjislacionin e propozuar gjatë takimit [të korrikut 2019] me kryeministrin Edi Rama, duke e nxitur atë që amendamentet të sillen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në Korrik, ne i bëmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të tërheqë këto projektligje dhe i kërkuam parlamentit të mos i miratonte ato,” thuhet në deklaratë.

“Ne jemi të zhgënjyer që parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me këto projektligje pa trajtuar në tërësi sugjerimet e dhëna nga aktorët vendës dhe institucionet ndërkombëtare,” vijon më tej deklarata.

“Ne i bëjmë thirrje parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi hileqar i ndjekjes së këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshëm përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias,” përfundojnë organizatat. Projektligjet u kritikuan ashpër nga Këshilli i Europës, Komisioni Europian dhe OSBE në një dëgjesë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.

Deirdre Kevin, konsulentja e Këshillit të Europës, organizatës bazë nga rrjedhin të drejtat dhe liritë themelore të të drejtës europiane, i bëri thirrje në mënyrë eksplicite deputetëve të mos vijonin me projektligjet: “Bëni një hap pas dhe konsideroni ta rifilloni punën nga e para, pasi ky lloj rregullimi nuk është në linjë me standardet e Këshillit të Europës dhe çdo praktikë europiane që mund të identifikohet”, tha ajo.

Më herët, pesëmbëdhjetë organizata shqiptare të të drejtave të njeriut i konsideruan propozimet si një dhunim të lirisë së shprehjes në Shqipëri.