Lajm7 Jun 2018

Ortaku shqiptar i “Air Albania” premton fluturime brenda verës

Pas vendimit të qeverisë për krijimin e një kompanie nën bashkëpronësi mes Turkish Airlines, Albkontollit dhe një kompanie të saporegjistruar nga Vlora, bashkëaksioneri i kompanisë së flamurit Sinan Idrizi i tha BIRN se fluturimet pritet të nisin brenda verës ndërsa brenda dhjetorit synohen edhe fluturime transatlantike.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Dizajni i aeroplanit të Air Albania sipas një postimi në Facebook të kryeministrit Edi Rama

Qeveria Shqiptare urdhëroi kompaninë shtetërore të kontrollit të ajrit Albkontroll të krijojë një kompani nën bashkëpronësi me Turkish Airlines dhe një kompani të saporegjistruar në Vlorë me emrin MDN Investment, me synimin e nisjes së fluturimeve ajrore. Kompania e re, me emrin Air Albania nuk është regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, por vendimi i qeverisë i 16 majit kërkonte përcaktimin e kuotave të pjesëmarrjes “brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit”. Qeveria kërkon gjithashtu që Albcontrol dhe kompania MDN Investment të kenë së paku 51% në kompaninë e re duke lënë Turkish Airlines në minorancë.

BIRN nuk ishte në gjendje të komunikonte me AlbControl, por aksioneri i vetëm i MDN Investment, Sinan Idrizi, tha se synimi i kompanisë së re ishte nisja e fluturimeve brenda verës së këtij viti për destinacionet në kontinentin Europian dhe nisja e fluturimeve transatlantike brenda dhjetorit.

Sinan Idrizi, 50 vjeç, e regjistroi kompaninë MDN më 3 maj ndërsa njihet më së shumti si sponsor dhe anëtar i Këshillit Drejtues të skuadrës së futbollit Flamurtari të Vlorës, e cila është nën pronësinë e Bashkisë Vlorë. Kompania ka një kapital thelemues të deklaruar prej 100 mijë eurosh, por pyetur nga BIRN mbi shumën e pritshme të investimit në Air Albania, Idrizi refuzoi të japë një shifër konkrete, duke thënë se kjo është një çëshje për t’u diskutuar më vonë. Idrizi nuk ka aktivitete biznesi në Shqipëri, por i tha BIRN se ai ka aktivitete biznesi në Turqi dhe se bashkëpunon me kompaninë Atlas Global.

Kompania e tij e saporegjistruar MDN Investment ka një gamë të gjerë aktivitetesh të synuara, duke përfshirë ndërtim aeroportesh, fluturime ajrore, kambizëm, shërbim taksi, investime në turizëm, konsulencë teknike dhe ekonomike, Agjenci Funerale, etj. [Link, ekstrakti i MDN Investment].

Aksioneri i vetëm, Sinan Idrizi i tha BIRN se stafi i kompanisë së ardhshme ajrore Air Albania gjendet aktualisht duke u trajnuar nga Turkish Airlines dhe do të kthehet në Shqipëri pas pak javësh për të filluar punën.

“Ne do të jemi agresivë në treg,” tha Idrizi. “Brenda verës do të fillojnë fluturimet në destinacionet europiane ndërsa synimi është që nga dhjetori të nisim fluturime drejt Shteteve të Bashkuara.”

Pyetur mbi aktivitetet e tij të tjera të biznesit, Idrizi tha se disponon disa kompani të regjistruara në Turqi dhe se është prej vitesh partner i kompanisë turke Atlas Global. Ai nuk dha detaje se sa do të jetë pjesa e tij e aksioneve në kompaninë e re.

Kompania e fluturimeve ajrore shqiptare është një premtim i kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Turqisë Recep Tajip Erdogan. Vetë kompania Turkish Airlines konfirmoi interesin e saj në krijimin e kompanisë shqiptare në një intervistë të drejtorit ekzekutiv Bilal Ekşi ditën e mërkurë.

Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen Europiane të qiejve të hapur në vitin 2006, marrëveshje që lejon çdo kompani ajrore të regjistruar në një nga vendet anëtare të fluturojë kudo që dëshiron brenda hapësirës ajrore të marrëveshjes. Marrëveshja e Qiejve të Hapur ka nxjerrë jashtë loje konceptin e mëparshëm të kompanisë flamur, e cila i jepte prioritet kompanive flamurmbajtëse të vendeve përkatëse përmes lejimit të shfrytëzimit prej tyre të të drejtave të flamurit.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar edhe thirrjen për aplikime për punësim në mars të këtij viti.