Analize17 Apr 2019

Pas 4 vitesh abuzime seksuale, shteti premton një strehë për tre motrat në Lezhë

Të braktisura prej 4-vitesh dhe të abuzuara seksualisht në sytë e të gjithëve, tre motrave me probleme të shëndetit mendor në Lezhë u premtohet më në fund një zgjidhje nga Shërbimi Social Shtetëror.

Autor: Vladimir Karaj, Elvis Hila BIRN Tiranë dhe Lezhë
Printo

Gratë dhe vajzat në protestë kunder dhunes më 8 Mars 2019. Foto ilustruese: Loreta Çuka/BIRN

Pas katër vitesh abuzime seksuale dhe pas denoncimit të shtatzanisë së katërt si pasojë e këtyre abuzimeve, Ministria e Shëndetësisë dhe Punëve Sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror kthyen të mërkurën sytë nga tre motrat me probleme të shëndetit mendor në Lezhë, duke premtuar strehimin e tyre në qendra sociale.

Shërbimi Social Shtetëror i tha BIRN se “ka marrë masa të menjëhershme për t’i risistemuar (motrat) përsëri në institucione socio-shëndetësore”. Sipas njoftimit të Shërbimit, dy prej motrave do të vendosen në Shtëpitë Mbështetëse në Vlorë dhe njëra në Qendrën Sociale në Elbasan.

Në dijeni të abuzimit të vazhdueshëm seksual prej kohësh, institucionet u shkundën vetëm pasi xhaxhai i tre motrave denoncoi se njëra prej tyre kishte mbetur sërish shtatzanë.

“Kjo është një situatë mjaft e rëndë, pasi prej vitesh abuzohet seksualisht me to. Kam kërkuar që shteti t’i mbrojë, por asgjë nuk është bërë dhe ato janë në situatë rruge,” i tha xhaxhai i vajzave BIRN-it pak ditë më parë.

Rasti i motrave të abuzuara seksualisht u denoncua publikisht në pranverë të vitit 2018, ndërkohë që të gjitha institucionet lokale dhe qëndrore ishin në dijeni të abuzimeve,  por fajësonin njëra-tjetrën dhe dështuan të ofronin zgjidhje.

I pyetur në telefon nga BIRN për vonesën e një zgjidhjeje, drejtori i Komunikimit pranë Shërbimit Social Shtetëror tha se “kishte qenë e komplikuar”.

Historia e gjatë e braktisjes dhe e abuzimit seksual të tre motrave me probleme mendore në sytë e të gjithëve në Lezhë reflekton problemet e shumta të institucioneve të mbrojtjes sociale në Shqipëri.

Vasilika Laçi, drejtuese programi pranë organizatës Civil Rights Defenders i tha BIRN se zvarritja e gjetjes së zgjidhjeve vinte për shkak të mungesës së vullnetit.

“Mbrojtja sociale është në ditën e saj me të zezë në Shqipëri: si pasojë e mungesës së  vullnetit për të bërë ndryshime reale,” tha Laçi për BIRN.

Historia e abuzimit

Hyrja e Shërbimit Social të Bashkisë Lezhë | Foto nga : Vladimir Karaj

Në maj 2018, BIRN raportoi mbi pasojat e braktisjes së tre grave dhe nënës së tyre, të katërta me probleme shëndetësore si dhe faktin se institucionet lokale në Lezhë fajësonin njëra-tjetrën për përgjegjësitë mbi ngjarjen. Një tryezë e thirrur nga prefekti i Lezhës pak ditë pas raportimit të BIRN u kthye gjithashtu në një platformë për heqje përgjegjësish nga Shërbimi Social dhe Bashkia e Lezhës.

Thuajse një vit më pas, BIRN gjeti se historia dramatike është përsëritur, ndërsa njëra prej tre motrave që jetojnë në situatë rruge raportohet se është sërish shtatzanë si pasojë e abuzimit seksual. Ky ishte rasti i katërt i shtazanisë si pasojë e abuzimit të tyre.

Në mungesë të një qendre në qytetin e Lezhës, motrat me probleme mendore u lanë në situatë rruge dhe u kthyen në viktima të abuzimit seksual për katër vite me radhë. Si pasojë e abuzimeve dy prej tyre kanë lindur dy fëmijë, njëra është përballur me abortin dhe aktualisht njëra nga to është në muajin e gjashtë të shtatzanisë.

Pas denoncimit të xhaxhait se njëra prej motrave ishte sërish shtatzanë si pasojë e abuzimit seksual, BIRN iu drejtua Shërbimit Social në Lezhë, i cili u shfajësua për situatën e përsëritur në të njëjtën mënyrë si një vit më parë.

“Bashkia Lezhë është institucioni që duhet të gjejë zgjidhje për këtë çështje. Duhet të sigurojë një qender që t’i strehojë tre motrat dhe nënën e tyre, të cilët janë me aftësi të kufizuara mendore,” tha Marte Fetaj, specialiste e Shërbimit Social Shtetëror të Lezhës.

“Ne kemi organizuar disa tryeza dhe i kemi ndarë detyrat, por rasti nuk ka marrë zgjidhje dhe kjo nuk është përgjegjësi e jona,” shtoi ajo.

Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë, Aleks Gjoni thotë se Bashkia nuk ka tagër ligjor për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë zgjidhje problemit.

“Ne si bashki kemi kërkuar për të marrë kujdestarinë ligjore, por nuk na është dhënë. Në këto kushte, ne nuk kemi tagër ligjor për të ndërhyrë, pasi nuk la lejohet,” tha Gjoni.

I pyetur se pse nuk gjendet një qendër për strehimin e tyre, Gjoni u përgjigj se i kanë kërkuar zgjidhje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes shkresave zyrtare.

“Në Lezhë nuk ka qendër ku ne mund t’i trajtojmë. I kemi kërkuar përmes shkresave zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që t’u gjejë një qendër ku ato mund të strehohen dhe të trajtohen dhe në këtë mënyrë mund të largohen nga rruga dhe të shmanget abuzimi me to,” thotë Gjoni.

Zgjidhja pas 4 vjetësh

BIRN iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Punëve Sociale për një qëndrim rreth situatës së përsëritur edhe më parë. Ministria e adresoi çështjen te zyra qendrore e Shërbimit Social Shtetëror për një përgjigje.

Të martën më 16 prill, Drejtori i Komunikimit pranë Shërbimit Social Shtetëror, Besart Mataj i tha BIRN se do të zhvillohej një tryezë tjetër teknike me institucionet. I pyetur për faktin se një mori tryezash të ngjashme ishin mbyllur pa rezultat, Mataj kërkoi më shumë kohë për përgjigje.

Të mërkurën Mataj shkroi në një mesazh për BIRN se rasti ishte në menaxhim dhe se Shërbimi Social Shtetëror “po merrej” me të. Disa orë më vonë, Shërbimi Social Shtetëror njoftoi se kishin vendosur strehimin e motrave në Vlorë dhe Elbasan.

“Shërbimi Social Shtetëror në koordinim me Ministrinë e Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka rivleresuar rastin e motrave në Lezhë ka marrë masa të menjëhershme për t’i risistemuar përsëri në institucione socio-shëndetësore, sipas shkallës së aftësisë së kufizuar që motrat kanë”, thuhet në njoftimin e Mataj.

Mataj tha në telefon se çështja ishte diskutuar dhe se kishte pasur denconim edhe nga xhaxhai i vajzave dhe ishte gjetur kjo zgjidhje. Ai tha se situata kishte qenë e komplikuar.

Përfaqësues të organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e konsideruan ngjarjen një tregues të mungesës së vullnetit për të gjetur zgjidhje.

Vasilika Laçi e Civil Right Defenders i tha BIRN se një sërë reformash të ndërmarra në këtë fushë kanë mbetur në letër “dhe me shumë kanë krijuar rrëmujë rreth përgjigjësive dhe kanë nxitur mosveprime të insitucioneve”.

Laçi tha se këtë situatë e vuanin grupet e rrezikuara, fëmijët si dhe personat me aftësi të kufizuar. “Megjithë ndryshimet ligjore në fushën e personave me aftësi të kufizuar në praktikë të drejtat e tyre janë kufizuar”, tha ajo.

Laçi tha se dikush duhet të mbajë pergjëgjësi për situatën në Lezhë, ndërsa shpjegoi se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe me rastin e dhunimit të një fëmije në Kavajë.

“Kam pritur që me rastin e vajzës në Kavajë institucionet të reflektojnë dhe te kryejnë një hetim të mirëfilltë të sistemit që lejon abuzimin seksual dhe çfarë mund të ndryshojnë në të ardhmen”, tha Laçi. Sipas saj ende nuk ka qartësi se te cili institucion duhet të rapotohen raste të tila.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, Irena Shtraza tha se motrat në Lezhë nuk janë të vetmet që vuajnë probleme të tilla, ndërsa shtoi se vendi nuk kishte një qendër apo strehëz për këto raste.

“Mungesa e një qendre e kthen problemin në një rreth vicioz”, tha ajo.