Lajm11 Jul 2018

Pas vetingut, gjyqtari Thanza nën hetim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit

Pas ekspozimit në KPK të një dënimi për vjedhje në Itali, anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është marrë në hetim nga Prokuroria për fshehjen e këtij fakti nga formulari i dekriminalizimit.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nnga : LSA

Një ditë pas ekspozimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të dënimit që gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza kishte marrë në Itali, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi nisjen e një hetimi për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, hetimet kanë nisur nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”.

“Menjëherë pas publikimit të fakteve, seksioni i dekriminalizimit ka nisur punën në grumbullimin e të gjithë dokumenteve që vërtetojnë dënimin penal të gjyqtarit, e më pas dosja do t’i kalohet për hetime Prokurorisë së Tiranës,” tha këshilltari për mediat i Prokurores së Përgjithshme, Denion Ndrenika.

Prokuroria e Përgjithshme i ka nisur hetimet kryesisht, por nuk ka regjistruar ende një procedim penal në emrin e gjyqtarit Thanza.

“Pas plotësimit të të gjithë dokumentacionit mbi të shkuarën e gjyqtarit, materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës, e cila ka tagrin ligjor për të nisur procedim penal,” shtoi Ndrenika.

Në seancën dëgjimore që u zhvillua më 10 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi faktin se gjyqtari Thanza ishte dënuar me 40 ditë burg të konvertuara me gjobë në vitin 1999 në Itali. Sipas informacioneve të siguruara nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Thanza është dënuar për vjedhje në bashkëpunim.

Ndryshe nga ç’parashikon ligji i njohur gjerësisht si dekriminalizimi, Thanza nuk e kishte deklaruar dënimin në Itali në formularin e dorëzuar prej tij. Përveç problemeve ligjore në të shkuarën, Thanza rezultoi i hetuar për përfshirje në korrupsion pasiv, ndërkohë që probleme u gjetën edhe në deklaratat e tij të pasurisë.

Në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Gjykatës së Lartë e ka shpjeguar vendimin penal si një incident të marrë përsipër prej tij për të shpëtuar nipin e tij të sëmurë, ndërkohë që sipas tij vjedhja ishte kryer nga ish-kunata.

“Te jeni koshientë, kurrë në jetën time unë s’mund ta bëja një veprim të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur, është djali i vëllait tim. Vjedhjen e ka bërë ish kunata. Kurrë nuk e dija,” tha Thanza.