Analize15 May 2019

Pasuria nga Vefa Holding: pse u shkarkua kreu i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shpallur vendimin duke dhënë arsyet përse votoi për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Fehmi Petku, i cili dështoi në të tre kriteret e vetingut.  

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Fehmi Petku, duke dalë nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Me datë 9 prill, trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e udhëhequr nga Genta Tafa Bungo, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko, shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Fehmi Petku, me funksion kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Komisioni i udhëhequr nga relatorja Xhensila Pine e hetoi Petkun për të tre kriteret e procesit të rivlerësimit kalimtar, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Raportet e institucioneve mbështetëse dhe hetimi administrativ i pavarur i KPK-së kanë konstatuar shkelje të shumta në të tre kriteret e vetingut për subjektin e rivlerësimit.

Në përfundim të hetimit, shumica e anëtarëve të komisionit i përfaqësuar nga Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo, ka arritur përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë, ka ndërmarrë hapa për të evidentuar në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi të tij, është në kushtet e papërshtatshmërisë për vazhdimin e detyrës si gjyqtar për shkak të mundësisë për vënien e tij nën presion nga strukturat kriminale, si dhe ka cënuar rëndë besimin e publikut të drejtësia.

Edhe pse ka votuar në favor të shkarkimit të gjyqtarit Fehmi Petku, nëpërmjet mendimit paralel relatorja Xhensila Pine ka kundërshtua përfundimet e shumicës së trupës gjykuese për sa i përket papërshtatshmërisë së gjyqtarit për të vazhduar detyrën. Sipas znj. Pine, gjetjet e komisionit për sa i përket pastërtisë së figurës së subjektit “nuk janë shkaqe që përligjin masën disiplinore të shkarkimit nga detyra.”

Petku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar pranë Gjykatës së Tiranës përgjatë viteve 2000-2009 dhe më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Në vitin 2015, Petku është emëruar kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Biznes me ‘Vefa Holding’

Si pjesë se procesit të rivlerësimit të gjyqtarit Petku, KPK ka administruar raportet mbi subjektin nga institucionet ndihmëse, përfshirë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit. Gjyqtari Petku ka qenë subjekt deklarimi i interesave private pranë ILDKPKI që nga viti 2003.

Sipas raportit të dorëzuar nga ILDKPKI pranë KPK-së, deklarimi i subjektit nuk është i saktë dhe në përputhje me ligjin, subjekti nuk ka burime të ligjshme për të justifikuar pasuritë, ka bërë fshehje pasurie, ka kryer deklarim të rremë, por nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

Përtej raportit të ILDKPKI, komisioni ka ndërmarrë një hetim të pavarur mbi asetet e subjektit të deklaruara në deklaratën veting. Këto asete përfshijnë një truall me sipërfaqe 372 m2 të blerë në Tiranë në vitin 1960 nga Komiteti Ekzekutiv me vlerë 7440 lekë, banesë mbi truall e përbërë nga tri kate, bodrum dhe papafingo, me sipërfaqe 1150m2. Një truall me sipërfaqe 6 mijë m2, me dy kontrata shitblerje në vitin 1996 për një total prej 9 milionë lekë.  Një shtëpi banimi të ndërtuar mbi truallin e mësipërm, e përbërë nga dy kate banimi dhe bodrume me sip. kati 130 m2. Truall me sipërfaqe 16,000 m2, ku subjekti ka në pronësi ¼ dhe është blerë nëpërmjet 4 kontratave në vitin 1996, për vlerën 2.79 milionë lekë. Tokë bujqësore me sipërfaqe 100 mijë m2 në fshatin Shqiten të bashkisë Kukës, me pjesë takuese ¼. KPK ka shqyrtuar edhe shitjen e shtëpisë me bodrume dhe tri kate të ndërtuara, për vlerën 520 mijë USD nga babai i subjektit  drejt kreut të ish-firmës piramidale Vefa Holding.

Për shkak se shitja e kësaj banese ka shërbyer si burim krijimi i pronave të tjera dhe ka ndodhur në kohën kur subjekti i rivlerësimit ishte në funksion, trupi gjykuese është përqendruar në origjinën dhe transaksionet e kryera me këtë pronë.  Shitja e kësaj pronë ka shërbyer për babain e subjekti si burim financiar për blerjen e 26,882 m2 tokë, me vlerë 23.9 milion lekë në vitet 1996-1997.

Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se nga shumë 520 mijë USD që babai i subjektit kishte marrë nga kompania Vefa Holding, 270 mijë USD i ka investuar në pasuri të paluajtshme, ndërsa 250 mijë USD i ka dhënë me fajde tek kompania huamarrëse.

Kjo pronë ka qenë në qendër të një konflikti gjyqësor midis familjes së subjektit dhe kompanisë Vefa Holding. Në vitin 2002, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka shpallur të pavlefshme kontratën e shitjes dhe kthimin e pronës në gjendjen fillestare. Gjykata e Apelit ka njohur pronar të vetëm të pronës babain e subjektit në vitin 2003 dhe në të njëjtin vit Gjykata e Lartë  vendosi prishjen e vendimit të Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim me tjetër trup gjykues. Gjatë rishqyrtimit në Apel, babai i subjektit ka ngritur pretendimin se ka depozituar në vitin 1996 pranë shoqërisë Vefa Holding, 475 mijë USD dhe 800 mijë lekë. Në përfundim gjykata ka vendosur shuarjen e detyrimeve të ndërsjella dhe njohjen e babait të subjektit si pronar të ndërtesës.

Si pjesë të hetimit të këtij transaksioni, KPK ka administruar kontratat e huamarrjes midis babait të subjektit dhe kompanisë Vefa Holding, për të vërtetuar nëse shitja e shtëpisë kishte shërbyer si burim për pasuritë e tjera. Pas marrjes së  provave dhe analizimit të tyre, KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit për krijimin e pasurisë nga personi i lidhur, duke nënvizuar që në vitet 1994-1996 babait i tij rezulton me një bilanc negativ prej 35 milionë lekë. Gjithashtu KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit për shqyrtimin në kundërshtim me ligjin të një çështje, ku palë në gjykim ka qenë shtetasi Vehbi Alimuça – kreu i kompanisë Vefa Holding, me të cilin babai i subjektit ka pasur një marrëdhënie interesi.

Gjyqtari Petku i ka kundërshtuar gjetjet e KPK-së duke pretenduar se Komisioni në mënyrë të gabuar ka pretenduar se pronat e familjes janë ngritur me të ardhurat deri në vitin 1996, ndërkohë që ato janë ngritur me të ardhurat deri në vitin 2002. Në analizën ligjore të fakteve, KPK arrin në përfundimin se shpjegimet e subjektit te rivlerësimit pas kalimit të barrës së provës janë të ndryshme nga ato të dhëna nga ai gjatë hetimit administrativ.

“Në analizë të vërtetësisë të deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive, subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar deklarim gjatë hetimit administrativ në lidhje me burimin e kohën e krijimit të pasurive,” shprehet KPK.

Komisioni ka bërë një analizë përmbledhëse krahasuese të pasurive të blera dhe të krijuara nga babai i subjektit të rivlerësimit, burimeve kryesore të të ardhurave deri në fund të vitit 1996, mbështetur në shpjegimet e subjektit të rivlerësimit dhe dokumentacionin ligjor shoqërues. Nga kjo analizë ka rezultuar se babai i subjektit ka pasur pamjaftueshmëri në të ardhurat e deklaruara. Gjithashtu sipas KPK-së deklarimet e subjektit në lidhje me pasurinë e personit të lidhura kanë qenë të pavërteta.

Në lidhje me të ardhurat e personit të lidhur dhe pasuritë e ngritur me burimet e tij financiare, KPK ka arritur në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurive, në kundërshtim me nenin D të Aneksit të Kushtetutës, ka bërë deklarim të rremë gjatë hetimit administrativ në lidhje me burimin e përdorur për krijimin e pasurive, si dhe ka bërë deklarim të pamjaftueshëm.

Origjina e 3 vilave

KPK ka hetuar edhe mbi shtëpinë e banimit, e deklaruar si e përbërë nga 2 kate prej 130 m2 dhe bodrume të ndërtuar në truallin prej 6 mijë m2, e cila është legalizuar në vitin 2005 dhe i ka kaluar subjektit me trashëgimi në vitin 2015-të. Nga hetimi administrativ i kësaj pasurie, KPK ka konstatuar se subjekti ka mungesë të dokumentacionit ligjor financiar lidhur me mundësinë e babait të subjektit, për ndërtimin e objektit me sip. totale 403.9 m2, si dhe mospërputhje deklarimesh për kohën e ndërtimit të tij. Sipas KPK-së ka mospërputhje deklarimesh në deklaratën veting me deklaratën periodike për vitin 2015, pasi në deklaratën veting është deklaruar vetëm një shtëpi banimi e ndërtuar mbi truallin e mësipërm – e përbërë nga dy kate banimi dhe bodrume me sip kati 130 m2, kurse në deklaratën për vitin 2015 janë deklaruar tre shtëpi banimi të ndërtuara mbi truallin e mësipërm. Gjithashtu, bazuar në deklarimet  bërë nga familjarë të tjerë gjatë procesit të legalizimit, ka dyshime se investimi për këto ndërtesa është bërë nga subjekti dhe jo babai i tij.

Subjektit i ka kaluar barra e provës për ndërtimin e 3 vilave. Gjyqtari Petku ka insistuar se burim për këtë pronë kanë shërbyer të ardhurat nga shitja e shtëpisë kompanisë huamarrëse Vefa Holding. Komisioni ka arritur përfundimin se subjekti nuk ka arritur të shpjegojë të kundërtën e barrës së provës, ndërkohë që ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me këtë pronë.

Ndërtimi i fshehur dhe Kepi Dragojëve

KPK ka hetuar dhe prezencën e një ndërtimi infomal mbi truallin me sipërfaqe 16,000 m2 të blerë nga babai i subjektit në vitin 1996. Sipas subjektit kjo ndërtesë është pjesërisht 1 dhe 2 kate dhe e papërfunduar si dhe e palegalizuar. Petku deklaron se në momentin e nisjes së procedurave të legalizimit ai dhe in vëllai, si dhe nëna e tij, kanë hequr dorë nga çdo e drejtë mbi këtë objekt dhe mbi përfshirjen në legalizimin e tij.

Megjithatë, komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për sa i përket burimeve financiare për ndërtimin e këtij objekti, si dhe fshehjen e tij në deklaratën veting dhe atë të interesave private periodike.

Në lidhje me këtë rezultat hetimi, Petku ka deklaruar se ai nuk ka të drejta pasurore mbi këtë pasuri dhe për këtë arsye nuk ka gjetur pasqyrim as në deklaratat periodike e as në deklaratën veting. Megjithatë, ky argument nuk është pranuar nga trupa gjykuese e cila ka arritur në përfundimin se subjekti ka fshehur pasurinë, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe nuk ka arritur të vërtetojë të kundërtën e barrës së provës.

Që nga viti 1994 e deri në vitin 2014, babai i subjektit ka qenë pronar i shoqërisë ‘Kepi Dragojëve’ Sh.p.k. dhe në vitin 2000 dhe 2001, ai i ka dhënë borxh kësaj shoqërie shumën 105,7 milionë lekë, shumë për të cilën nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare.

Gjyqtari Petku nuk ka paraqitur në KPK, shpjegime dhe dokumentacion që justifikon ligjshmërinë e burimit të krijimit të këtyre vlerave monetare, për këtë arsye KPK i ka kaluar barrën e provës.

Duke u bazuar në të dhënat e deklaruara nga subjekti i rivlerësimit, dokumentacionin financiar pjesë e dosjes përkatëse të ILDKPKI-së, si dhe të dhëna nga institucione shtetërore, subjekte të ndryshme private, si dhe shpjegime të dhëna pas rezultateve të hetimit, KPK ka bërë një analizë të treguesve financiarë të gjyqtarit Fehmi Petku. Në përfundim të kësaj analize, trupi gjykues, në unanimitet, ka arritur në përfundimin se Petku, ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë. Subjekti i rivlerësimit nuk ka mundur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit administrativ me shpjegimet dhe provat e paraqitura prej tij dhe të bindë trupin gjykues mbi pavërtetësinë rezultateve të hetimit.

Vlerësimi i figurës

Si pjesë e procesit të vlerësimit të kriterit të dytë të vetingut – pastërtisë së figurës, KPK ka administruar raportin e përpiluar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për subjektin. DSIK ka dërguar një raport fillestar në KPK ku konstatohet përshtatshmëria e subjektit, por theksohet fakti se ky raport është hartuar në mungesë të informacionit nga njëri prej organeve ligjzbatuese. KPK i ka kërkuar DSIK-së ta rishikojë raportin. DSIK ka dërguar një raport të dytë ku ka konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtarit Fehmi Petku për vijimin e ushtrimit të detyrës.

KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur në lidhje me informacion e përmbajtur në raportin e DSIK-së. Ky hetim konsistoi në verifikimin e rrethanave, që e kishin çuar Grupin e Punës të DSIK-së në konstatimin e papërshtatshmërisë së subjektit për vazhdimin e detyrës, si dhe vërtetësisë së ngjarjeve konkrete – me qëllim gjetjen e provave, për realizimin e një procesi të rregullt ligjor.

Bazuar në raportin e DSIK-së, rezulton se disponohen të dhëna për subjektin e rivlerësimit se ngrihen dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv gjatë gjykimit të disa çështjeve gjyqësore. Autoritetet verifikuese bëjnë gjithashtu me dije se disponohen të dhëna për djalin e subjektit të rivlerësimit, shtetasin Bekim Petku.

Për konstatimet e raporti të dytë të DSIK-së, KPK i kaluar subjektit barrën e provës. Subjekti ka deklaruar se gjetjet e raportit i gjen në kundërshtim me ligjin, por sipas KPK-së nuk ka dhënë asnjë provë apo sqarim bindës për të provuar të kundërtën e rezultatit të hetimit.

Në përfundim të shqyrtimit të kriterit të pastërtisë së figurës, shumica e trupit gjykues ka konkluduar se subjekti është në kushtet e papërshtatshmërisë për vazhdimin e detyrës si gjyqtar, për shkak të mundësisë për vënien e tij nën presion nga strukturat kriminale. Ky përfundim i shumicës është kundërshtuar në mendimin paralel nga relatorja Xhensila Pine.

Profesionalizmi

Nga të dhënat që KPK ka administruar nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, konstatohet se gjatë periudhës trevjeçare të rivlerësimit të profesionalizmit për gjyqtarin Fehmi Petku janë paraqitur gjithsej 4 ankesa në Inspektoratin e KLD-së.  Tri ankesa të vitit 2015 janë arkivuar pas shqyrtimit fillestar – dy ankesa me arsyetimin se pretendimet mund të zgjidhen përmes apelimit gjyqësor dhe ankesa e tretë ka rezultuar e përsëritur. Një ankesë e vitit 2016 është verifikuar në lidhje me procedurën e hedhjes së shortit, por është arkivuar pasi pretendimet rezultuan të pabazuara.

Ndërkohë, sipas të dhënave të regjistrit të procedimeve disiplinore, për gjyqtarin Fehmi Petku përgjatë periudhës së rivlerësimit nuk është regjistruar asnjë kërkesë për procedim dhe nuk është dhënë asnjë masë disiplinore.

Nga vëzhgimi i pesë dosjeve të shortuara nga KPK, rezultoi se katër çështje janë përfunduar brenda afateve standard, ndërsa vetëm njëra prej tyre është përfunduar tej këtij afati. Nga vëzhgimi i pesë dosjeve të shortuara, rezultoi se gjyqtari Fehmi Petku nuk i kushton sa duhet rëndësi arsyetimit në kohë të vendimeve, pasi në asnjë rast vendimi nuk është arsyetuar brenda afatit ligjor 5-ditor. Megjithatw, KPK pranon se duhet evidentuar se gjyqtari Fehmi Petku ka pasur ngarkesë sasiore mbi standardin minimal. Nga shqyrtimi i këtyre dosjeve ka rezultuar se në një rast subjekti nuk ka respektuar rregullat procedurale. Ndërkohë, nga kontrolli gjyqësor i Gjykatës së Lartë mbi pesë dosjet e vëzhguara nuk janë konstatuar gabime gjyqësore.

Megjithatë, nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se në vitin 2006, Ministri i Drejtësisë ka përcjellë në KLD një kërkesë për procedim disiplinor ndaj këtij gjyqtari. Sipas relacionit të përgatitur nga Drejtoria e Inspektimit në Ministrinë e Drejtësisë rezulton se gjyqtari Fehmi Petku në gjykimin e disa çështjeve penale ka lejuar shkelje të ligjit material e procedural. Sipas relacioni subjekti ka favorizuar padrejtësisht të pandehurit dhe ka cenuar besueshmërinë e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

Në sqarimet e tij subjekti ka deklaruar se procedimi disiplinor i iniciuar ndaj tij ka qenë i padrejtë dhe, për këtë arsye, KLD-ja ka vendosur pushimin e procedimit disiplinor, si rezultat e tërheqjes së kërkesës për procedim nga Ministri i Drejtësisë.

Sipas hetimit të KPK-së gjyqtari Petku ka shqyrtuar në vitin 1999  për dy seanca çështjen ndaj ish kreut të firmës piramidale Vefa Holding, Vehbi Alimuça, edhe pse ndodhej në konflikt interesi për shkak të transaksioneve financiare të familjarëve të tij me të pandehurin. Në këtë proces vëllai i subjektit ka qenë gjithashtu në cilësinë e dëshmitarit. Petku ka kundërshtuar kërkesën e prokurorit të çështjes për përjashtimin e tij nga trupi gjykues duke e cilësuar të padrejtë. Megjithatë, Gjykata e Apelit ka vendosur përjashtimin nga çështja të gjyqtarit, vendim që është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë.

Në analizë të fakteve KPK ka vlerësuar se subjekti ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit, ai ka pranuar dhe madje ka drejtuar dy seanca gjyqësore kundër Vehbi Alimuça, në një kohë kur vetëm tre vjet para këtij gjykimi familjarët e tij kishin hyrë në marrëdhënie tregtare me këtë të pandehur. Megjithëse shkelja e etikës së gjyqtarit, për shkak të ushtrimit të detyrës në kushtet e konfliktit të interesit është jashtë periudhës së rivlerësimit, KPK ka çmuar se ky veprim ka lidhje me vlerësimin e kriterit pasuror të subjektit, përveçse vlerësimit të aftësive profesionale të tij.

“Në përfundim të vlerësimit tërësor të të tria kritereve: të pasurisë, të figurës dhe të vlerësimit profesional…duke përfshirë këtu edhe etikën e gjyqtarit, shumica konkludon se subjekti i rivlerësimit, z. Fehmi Petku, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka cenuar rëndë besimin e publikut te drejtësia,” përfundon KPK.