Përgjatë dymbëdhjetë viteve nga viti 2005 deri më 2017, shqiptarët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë fillimisht PD-në duke premtuar ulje të TVSH-së ‘për ushqimet bazë’, pastaj PS-në dhe sërish PD-në, në një seri të pabesueshme premtimesh të pambajtura.
Në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, në Hotel Tirana International, një grup gazetarësh u përballën me një grup ‘ekspertësh’ që u vetëprezantuan si ‘Komiteti për Orientimin e Politikave’. Lulzim Basha ishte njëri prej tyre.
Gazetarët filluan të qeshin nëçastin kur ky grup ‘ekspertësh’ prezantoi të ashtuquajturin ‘program fiskal’ të asaj që më vonë u bë qeveria e parë e Partisë Demokratike. Thelbi i premtimit të tyre qe që ‘ulja e taksave sjell rritje të ekonomisë dhe rritje të të ardhurave fiskale’.
Shoqëria shqiptare e ka një problem me mungesën e memories historike, por edhe media shqiptare e ka një problem me fshirjen e arkivave elektronike. Për shembull, ‘plani fiskal’ i KOP u raportua gjerësisht në gazetat e asaj kohe, por pothuajse asnjë lajm i tillë nuk gjendet nëse kërkon aktualisht në Google sepse, për fat të keq, arkivat e gazetave janë fshirë.
Gjithsesi, për mungesën e arkivave dhe të memories po rikujtoj ‘programin’ e Partisë Demokratike të vitit 2005: “Parashikohet të ulet shkalla tatimore e TVSH nga 20% në 17% dhe në një fazë të dytë në 15% ose 25% ulje. Ndërkohë do të prezantohet një shkallë e dytë tatimore prej 6% ose një ulje prej 70% nga niveli i sotëm për furnizimet me energji elektrike dhe furnizimet bazë për bujqësinë. Ekspertët ekonomikë të KOP-it kanë parashikuar në projekt që të zgjerohet shporta e furnizimeve që tatohen me 0% për edukimin, veshjen dhe ushqimin e fëmijëve, furnizimet e barnave dhe shërbimeve mjekësore, furnizimet për mediat si dhe shitjen e ndërtesave të banimit”.
Personat që e prezantuan këtë program elektoral qenë anëtarët e Komitetit të Orientimit të Politikave, mes të cilëve, Lulzim Basha, aktualisht kryetar i opozitës, Florion Mima, ish-ministër dhe zëvendësministër i qeverisjes demokratike e aktualisht kandidat për deputet e shumë të tjerë.
Gazetarët kuptohet që nuk e morën seriozisht këtë ‘program’, pavarësisht se Florion Mima kishte reputacion si ekspert i njohur i financave publike. Mima u shtrembërua pak në fytyrë kur u detyrua të fliste gjëra të tilla të pakuptimta.
Gazetarët nuk e morën seriozisht për arsyen e thjeshtë se modeli ‘ulje taksash – rritje ekonomike – rritje të ardhurash’ përveç se është një përrallë e bukur nuk ekziston në realitet. Nëse qeveria ka 100 lekë të ardhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe vendos ta ulë këtë në 75 lekë, pra e ul TVSH-në nga 20 në 15 për qind, duke i lënë konsumatorit 25 lekë më shumë për konsum, rezultati final në ekonomi është i papërfillshëm. Rezultati në financat fiskale është negativ. Nëse konsumatori ka 25 lekë më shumë për të shpenzuar, atëherë qeveria e takson edhe këtë 25 lekësh me 15 për qind. Të ardhurat e shtetit nga konsumi shtesë janë 3.75 lekë. Shto këtu edhe 75 lekëshin e parë, bëhet 78.75 lekë. Pavarësisht se ulja e taksave e rrit konsumin privat në ekonomi, të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk rriten. Ato ulen.
Tetë vjet pas kësaj, Ridvan Bode, ministër i Financave i demokratëve ankohej se kryetari socialist i asaj kohe, Edi Rama, po premtonte të njëjtat gënjeshtra. ‘Programi’ i Rilindjes Ekonomike premtoi mes të tjerash: ‘Heqje apo përgjysmim i tatimit mbivlerën e shtuar për ushqimet jetiketë shportës’; ‘Ulje e TVSH-së së energjisëelektrike në nivelin 6% përpërdoruesit familjarë’.
Nëse mund ta dalloni, premtimet e KOP-it të Bashës më 2005 dhe premtimet e Rilindjes së Ramës më 2013 janë thuajse identike. Të dyja premtojnë ulje të TVSH-së për ushqimet bazë, ulje të TVSH-së për energji elektrike.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Basha përsëriti sërish në fushatën aktuale elektorale premtimet që pati dhënë në vitin 2005 partia e tij, ironikisht, të njëjtat premtime që pati dhënë kundërshtari i tij Edi Rama më 2013. ” “Vendimi im i parë do të jetë ulja e TVSH-së”, premtoi Basha nëTropojë. Basha qe ai që kur u shpall fitues i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike si kryetar, u ankua se Rama i pati fituar zgjedhjet me ‘premtime populiste’.
Tani është rradha e Ramës të ankohet se opozita po përdor premtime populiste dhe të parealizueshme në fushatë elektorale.
Rama dhe Basha kanë të përbashkëta premtime të tjera të shumta. PSH, Basha sot deklaron se do të heqë “taksën e qarkullimit të karburantet” duke ulur çmimin e naftës. Dhe Rilindja e Ramës premtoi më 2013, “Ulje rreth 35% e çmimit të naftës (50-55 lekë bazuar në çmimin aktual), me heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit, bashkë me tatimin mbi vlerën e shtuar që zbatohet mbi këto dy taksa”.
Kuptohet që si më 2005, ashtu edhe më 2013 edhe sot, ulja e TVSH-së është një premtim i kotë. Zbatimi i saj si ‘ndihmë për të varfrit’ është njëkohësisht i gabuar dhe i panevojshëm. Çdo vend normal nuk i ndihmon të varfrit me taksa më të ulëta, por me ndihmë ekonomike. Nuk është e mundur që kur ul TVSH-në për “mallrat e konsumit bazë” ta kufizosh përfitimin te të varfrit. Ulja e TVSH-së ndihmon disproporcionalisht të pasurit, ndërkohë që krijon një kaos të vërtetë në administrimin fiskal. Kur ul, fjala vjen, TVSH-në e bukës, atëherë duhet të kesh parasysh se bukë masive 80 lekë – 800 gramë hanë të varfërit, ndërsa bukë ‘luksi’ bagguette,150 lekë – 300 gramë hanë të pasurit. Ngrënësit e bagguette përfitojnë më shumë TVSH të ulët se sa varfanjakët e bukës masive.
Përsëritja kaq e shpeshtë e të njëjtave premtime tregon para së gjithash mungesë respekti për qytetarin shqiptar. Është një fyerje për inteligjencën e secilit prej nesh që të na gënjejnë në të njëjtën mënyrë vazhdimisht dhe vazhdimisht. Por kjo tregon gjithashtu shterpësi mendimi në partitë politike shqiptare. Të mësuara me qeverisje përmes klientelizmit, ato vështirë se mund të kenë ide më të zgjuara se sa gënjeshtrat elementare.