Policia e Durrësit njoftoi kapjen e organizatorit të tentativës për të trafikuar 38 kg heroinë drejt Italisë dy javë më parë, duke e transportuar përmes një kamioni që tentoi të nisej nga Porti i Durrësit.
55 vjeçari me iniciale P. Ç., dyshohet sipas policisë të jetë organizatori dhe poseduesi i sasisë së drogës të kapur më 17 maj në Portin e Durrësit. Rasti i regjistruar gjatë masave shtrënguese për kufizimin e përhapjes së SARS-CoV-2 tregoi se linjat e trafikut nuk u ndikuan nga situata që krijoi pandemia.
“Nga Policia Kufitare u sekuestruan 68 pako me lëndë narkotike heroinë dhe u vu në pranga drejtuesi i kamionit në të cilin u konstatua lënda narkotike”, sqaroi policia për operacionin e quajtur “Parkingu”, që nisi 2 javë më parë.
Sipas policisë kontrolli u ushtrua në mënyrë të rastësishme, bazuar në analizën e riskut dhe në vijën e dytë të kamionëve, në automjetin që drejtohej nga Dhimitër Zykaj, poshtë sediljeve, u konstatuan dy vende të fshehura brenda të cilëve gjendeshin pakot me heroinë. 49 vjeçari që banonte në Babrru (Tiranë) u arrestua mbrëmjen e gjetjes së drogës.
Policia e cilësoi rastin si tentativë për trafikim të drogave të forta drejt Italisë dhe tha se kapja e organizatorit ditën e mërkurë kishte ardhur pas një pune operativo-gjurmuese dhe hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, në bashkëpunim me Sektorin për Narkotikët në Policinë e Durrësit.
Organizatori i dyshuar i trafikimit të heroinës, u ndalua pranë banesës së tij në zemër të Durrësit, në Rrugën Kumini. Autoritetet njoftuan se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe materialet për organizatorin e dyshuar i kaluan Prokurorisë për veprën penale, “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”.