Lajm19 Jun 2020

Prokurori i Apelit Durrës, Moisi Duda përballet me probleme të pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se prokurori Duda nuk ka vërtetuar pagesën e plotë të një apartamenti në Lushnjë si dhe se ka balanca negative për disa vite. Avokati i tij kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Avokati i Moisi Dudës, Koçi Mato gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Apelit të Durrësit, Moisi Duda mungoi të premten në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku u përfaqësua nga avokati Koçi Mato. Procesi i vetingut për të është mbyllur vetëm mbi kriterin e pasurisë.

Trupa gjyqësore drejtohej nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessingh.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi probleme me blerjen e një apartamenti në Lushnje si dhe balanca negative për disa vite.

Për një apartament me sipërfaqe 108.5 m2 në Lushnjë, i blerë në vitin 2014 në vlerën e 4.1 milionë lekëve, relatorja Pine tha se nuk është provuar me dokumentacion ligjor pagesa e  të gjithë çmimit. Sipas KPK, Duda ka provuar vetëm pagesën e shumës 11 mijë euro.

Si burim për krijimin e kësaj pasurie, prokurori Duda ka deklauar të ardhurat nga pagat dhe interesat e depozitave. Në seancë dëgjimore u evidentua se apartamenti i blerë nga Duda ishte ndërtuar nga dy sipërmarrës si shtesë në tarracën e një pallati 4-katësh, për të cilën kishin siguruar më parë leje nga bashkia.

Sipas Pines, në kontratën e marrëveshjes mes prokurorit Duda dhe ndërtuesve të katit shtesë, nuk pasqyrohej vullneti i njërit prej shitësve.

Avokati Mato sqaroi në seancë se prokurori Duda kishte lidhur kontratë vetëm me njërin prej dy sipërmarrësve që ndërtuan katin shtesë, pasi këta të fundit ishin ortakë. Mato shtoi se subjekti ia ka dhënë vlerën e apartamentit një prej sipërmarrësve, i cili më pas e ka kaluar në llogari të kompanisë ndërtuese.

KPK konkludon se Duda ka pasur mundësi financiare për krijimin e gjendjes cash në vlerën 3.2 milionë lekë gjatë periudhës 2011-2013, që e ka deklaruar si një prej burimeve për blerjes e apartamentit.

Sipas Komisionit, prokurori Duda nuk ka vërtetuar pjestimin e pasurisë në fshat me vëllanë e tij. Ai ka deklaruar se në fshatin Biçakaj të Lushnjës ka qenë bashkëpronar në një sipërfaqe toke bujqësore 7.8 dynymë dhe të një shtëpie 40 m2, nga e cila kishte hequr dorë kundrejt shumës 1.5 milionë lekë të dhënë nga vëllai.

Avokati i prokurorit Duda shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se klienti i tij nuk ishte trajtuar me racion të plotë të tokës bujqësore, pasi në atë kohë kishte qenë në marrëdhënie pune në shtet. Ai shtoi se prokurori Duda ishte djali i vogël dhe kishte qëndruar së bashku me prindërit.

Sipas vokatit Mato, vëllai i subjektit kishte blerë një shtëpi në Lushnjë dhe më pas prokurori Duda kishte blerë objektin 23 m2. “I ka shitur të dyja këto pasuri në vlerën 2.7 milionë dhe shtëpinë e tokën në fshatin Biçakaj ia ka lënë të vëllait. Pjesa e subjektit në vlerën e shitjes ka qenë 1.2 milionë lekë”, pohoi avokati Mato.

Relatorja Pine tha se nuk është vërtetuar pjesëtimi i pasurisë në fshat, pasi figuron ende në pronësi të babait.

I pyetur nga relatorja Pine, lidhur me paqartësinë e marrëveshjes me vëllain për ndarjen e tokave dhe të shtëpisë, avokati Mato pranoi se nuk ishte formalizuar ende tek noteri pjesëtimi vullnetar.

Ndërkohë, për vlerën 1.2 milionë lekë të përfituar nga shitja e objektit 23 m2 në Lushnjë, që Duda e kishte blerë në vitin 2004, ka rezultuar se nuk është paguar tatim fitimi dhe nuk është konsideruar në analizën financiare.

Sipas Komisionit, Duda ka rezultuar me diferencë negative gjatë disa viteve. Në vitin 2007 ka rezultuar në pamundësi për krijimin e një gjendje cash në vlerën 2 milionë lekë. Ndërkohë, vlera e investuar në bono thesari në vitin 2005 nuk është konsideruar në analizë, pasi rridhte nga shitja e objektit 23 m2 dhe nuk ishin paguar taksat.

Pine tha se Duda ka dhënë deklarime kontradiktore për gjendjen cash në vitin 2008, për të cilën ka pretenduar se ishte burim i krijimit të një depozite në vitin 2009 në vlerën 4 milionë lekë. Sipas relatores, në vitin 2008 Duda ka deklaruar si gjendje cash shumën 500 mijë lekë, ndërsa para Komisionit vlerën 31 mijë euro. Komisioni nuk e ka konsideruar diferencën e gjendjes cash të padeklaruar më parë.

Relatorja pohoi se KPK nuk ka përfshirë në analizën financiare edhe të ardhurat e bashkëshortes, rreth 5 milionë lekë, të deklaruara se janë përfituar nga disa punësime të pavërtetuara.

Avokati Mato kërkoi që të përfshiheshin në analizë financiare të ardhurat e bashkëshortes të përfituara nga puna si mësuese në shkolla jo publike, për të cilat nuk ishin paguar detyrimet. Sipas tij, ajo kishte punuar njëkohësisht edhe në shtet dhe për shkak se i paguheshin aty sigurimet, nuk ka patur interes që të paguajë detyrime edhe për punën në privat.

“Kemi sjellë si provë dëftesat e punuara nga bashkëshotja e subjektit që janë të firmosura edhe nga drejtori i shkollës, të cilat vërtetojnë se ajo ka punuar edhe në insitucione arsimore jo publike,” tha avokati Mato.

Në seancë u identifikuan deklarime kontradiktore të interesit lidhur me marrëdhënien e pronarit të një shtëpie që Duda e ka deklaruar si adresë banimi nga viti 2003 në 20015-ën. Sipas Komisionit, faturat e energjisë elektrike dhe të konsumit të ujit rezultojnë të jenë shlyer në emër të pronarit të shtëpisë.

Avokati Mato shpjegoi se nuk kishte pasur asnjë lloj konflikti interesi dhe se prokurori Duda kishte qenë në tratativa për ta blerë atë shtëpi, por në fund nuk ishte arritur marrëveshja. Sipas avokatit, subjekti e kishte pasur në përdorim shëpinë në fjalë dhe se i kishte paguar faturat për shpenzimet e energjisë elektrike dhe të ujit në emër të pronarit të shtëpisë.

KPK evidenton edhe mosdeklarimin e depozitave bankare në vitet 2004 dhe 2005 dhe një hua  në shumën 5 mijë euro të marrë nga kunati në vitin 2008, për të cilën i është kaluar barra e provës të vërtetojë burimin e krijimit.

Avokati Koçi Mato, njoftoi në seancë trupin gjykues se kishin siguruar dokumentacionin nga institucionet e shtetit grek ku punon e jeton kunati i subjektit, që sipas tij vërtetojnë të ardhurat. Komisioni u tërhoq dhe vendosi të pranojë dokumentacionin e depozituar të premten lidhur me burimin e huasë 5 mijë euro.

Në përfundim të seancës dëgjimore, avokati Mato e cilësoi hetimin objektiv. Ai tha se gabimet në administratimin e pronave dhe të ardhurat kanë ndodhur për mosnjohjen e ligjit. “Në këtë periudhë tranzicioni, faji është edhe i noterëve dhe i institucioneve që nuk kanë vepruar gjithmonë bazuar në legjislacionin përkatës,” tha ndër të tjera ai.

Ai kërkoi që të përfshihen në analizën financiare të ardhurat e bashkëshortes së Dudës të përfituara nga punësimi si arsimtare në shkollat jo publike edhe depozitat bankare si dhe riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 24 qershor, ora 09:00.