Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir tha se propozimi i pronarëve të televizioneve private dëmton RTSH-në, ndërsa shtoi se çdo sistem subvencionesh shtetërore duhet të përfshijë “të gjithë sektorët dhe aktorët e medias, me procedura transparente dhe pa ndërhyrje politike”.
Kërkesa e pronarëve të gjashtë televizioneve private për të përfituar gjysmën e fondit që mblidhet nga tarifa e aparatit televiziv ka shkaktuar shqetësim për OSBE-në. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir tha përmes një deklarate për shtyp të enjten se propozimi mund të dëmtojë transmetuesin publik, ndërkohë që nënvizoi faktin se skema të tilla subvencionesh shtetërore duhet të paraprihen nga konsultimi publik si dhe të përfshijnë të gjithë aktorët e medias.
“Jam i shqetësuar se ky propozim mund të dëmtojë qëndrueshmërinë financiare të RTSH-së,” tha Désir.
“Çdo sistem subvencionesh shtetërore për median duhet të jetë objekt i një konsultimi publik, ku të përfshihen të gjithë aktorët e medias. Gjithashtu, ai duhet të ketë një objektiv të qartë dhe të gjerë për mbështetjen e të gjithë sektorëve të medias, përfshirë atë online, shtypin dhe median lokale, me kritere dhe procedura transparente, pa ndërhyrje politike dhe me qëllimin për të forcuar pluralizmin në media,” shtoi ai.
Propozimi i mësipërm, i cili synon të ndryshojë ligjin “Për mediat audiovizive..” për t’i hapur rrugë financimit të televizioneve private me fonde publike u dorëzua nga pronarët e dy televizioneve private kombëtare dhe 4 televizioneve lokale fillimisht në Autoritetin e Mediave Audiovizive, prej nga u përcoll më tej në Ministrinë e Financave.
I shkruar në formën e një projektligji, propozimi synon kalimin e tarifës së aparatit televiziv në një fond të financimit të transmetimeve dhe ndarjen e tij përgjysmë mes transmetuesit publik, RTSH dhe televizioneve private që mbështeten në gazetari.
Propozuesit e draftit e justifikuan nevojën e tij gjatë një takimi konsultativ të zhvilluar më 11 qershor në AMA me rritjen e kostove për shkak të kalimit në transmetimet dixhitale si dhe me “rritjen e pavarësisë, nxitjen e gazetarisë investigative dhe mbrojtjen e publikut nga lajmet e rreme”.
Në një shkrim të mëparshëm, BIRN publikoi propozimet financiare të pronarëve të medias për ndarjen e fondit që kap vlerën e rreth 10 milionë eurove në vit. Sipas draftit, 50 për qind e fondit do t’i shkojë RTSH-së për aktivitetin e saj vjetor dhe 20 për qind do të përdoret sërish nga RTSH për të blerë dekodera për publikun.
Fondi fillestar për televizionet private parashikohet të jetë 30 për qind e shumës, së cilës do t’i shtohet më pas edhe 20 për qindëshi i destinuar për blerjen e dekoderave. Përveç ndarjes përgjysmë të tarifës së paguar nga qytetarët shqiptarë mes transmetuesit publik dhe televizioneve private, drafti zbulon edhe dakordësinë mes pronarëve të medias për ndarjen e parave mes tyre.
Në paragrafin e dytë të nenin 131/2 parashikohet që 65 për qind e fondit të destinuar për mediat private do të ndahet mes televizioneve me program gjeneralist dhe 35 për qind e tij për televizionet informative analoge, të cilat në dy vitet e fundit “kanë transmetuar minimalisht 7 edicione të plota informative çdo ditë”.
Në këmbim, pronarët e televizioneve private premtojnë transmetimin pa pagesë të reklamave me karakter informues/sensibilizues si dhe të krijohet një institucion i besueshëm i matjes së audiencës deri në 24 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit.
Përveç OSBE, plani i pronarëve të mediave private për t’u financuar me para publike është kundërshtuar edhe nga RTSH dhe opozita.
“Fondet që RTSH merr aktualisht nga publiku janë të pamjaftueshme. RTSH mban barrën kryesore të dixhitalizimit, duke mbështetur në platformën e saj edhe mediat private, paguan kredi dhe tarifën e shërbimit [për rrjetet numerike] në një vlerë të përafërt prej 5.7 milionë euro në vit,” tha Gëllçi për BIRN duke paralajmëruar se “nuk do t’u kalojë asnjë qindarkë privatëve”.
Ndërsa Partia Demokratike deklaroi se skema e subvencionimit do të rriste varësinë e medias nga pushteti si dhe paralajmëroi rritjen e taksës së televizorit për qytetarët shqiptarë.
“Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë argument ekonomik, teknik apo shoqëror që paratë e taksapaguesve të shkojnë për të financuar sipërmarrje private, qofshin ato edhe media. Propozimi që po përgatit qeveria për këtë gjë është edhe më skandaloz për faktin se ai parashikon rritjen e taksës së televizorit që qytetarët shqiptarë paguajnë aktualisht për televizionin publik, e cila që tashmë është një nga taksat më të shpërdoruara në vend,” deklaroi Partia Demokratike.
Përfaqësuesit e qeverisë kanë heshtur ndaj propozimit të pronarëve të televizioneve private, duke mos dhënë ende një qëndrim nëse do ta mbështesin apo jo atë.