Analize22 Jul 2020

Protesta e Rrugës së Kombit ishte kryengritje kundër oligarkisë

Dy vjet pas protestës kundër tarifës së koncesionit të autostradës Milot-Morinë, organizatorët tregojnë se si qeveria dhe opozita u rreshtuan në krah të koncesionarit, ndërsa të arrestuarit që nuk pranuan dënimin me marrëveshje, vazhdojnë prej vitesh të orvaten në gjykata në kërkim të pafajësisë.

Autor: Bashkim Shala BIRN Tiranë
Printo

Protestues duke u përleshur me policinë dhe djegur sportelet e pagesës së taksës në rrugën e Kombit, pranë tunelit të Kalimashit. | Foto : LSA 

Ibsen Elezi, ish-këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Kukësit ishte i bindur se rruga do të zhbllokohej, kur të shtunën e 31 marsit 2018 iu bashkua mijëra protestuesve të mbledhur kundër vendosjes së pikës së kontrollit për pagesën e taksës nga kompania koncesionare e autostradës Milot-Morinë.

“Kam qenë i bindur se do hiqej trau, por se do agravohej situata jo. Nuk kishte nevojë të agravohej, pasi 2 mijë protestues nuk i mban dot,” tha Elezi, ndërsa shpjegoi se përplasja doli jashtë kontrollit kur policia tentoi të shpërndante turmën e mbledhur duke përdorur gaz lotsjellës.

Demonstruesit iu përgjigjën policisë me gurë dhe më pas thyen dhe i vunë flakën sporteleve të vendpagesës së rrugës. Sipas Ministrisë së Brendshme, 12 policë u lënduan gjatë protestës. Të lënduar pati edhe mes protestuesve.

Arteria kryesore Milot –Morinë që lidh Shqipërinë me Kosovën – e mbiquajtur gjithashtu si ‘Rruga e Kombit’ iu dha me koncesion nga qeveria shqiptare një konsorciumi kompanish shqiptare në vitin 2016.

Kontrata koncesionare me një kohështrirje 30-vjeçare, krahas mirëmbajtjes dhe operimit, parashikonte miliona euro në investime për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugës, të cilat do të paguhen nga përdoruesit e saj nëpërmjet një tarife që luhatet nga  2.5 euro në 22.5 euro.

Pas protestës, kryeministri Edi Rama reagoi duke e cilësuar shkatërrimin e vendpagesës “krim të rëndë që u krye ndaj pronës së përbashkët dhe investimit të kryer sipas ligjit”. Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se protesta ishte shenjë se “durimit i ka ardhur fundi”, ndërsa Presidenti Ilir Meta kërkoi “evitimin e dhunës”.

Qeveria u përgjigj ashpër duke dërguar në Kukës forcat speciale të policisë dhe duke arrestuar 23 persona të akuzuar për shkatërrim prone. Dy vjet më vonë, një pjesë prej tyre po orvaten nëpër gjykata duke kërkuar pafajësinë, ndërsa pjesa më e madhe i kanë pranuar akuzat në marrëveshje me prokurorinë.

Ndërkohë, qeveria u tërhoq pjesërisht nga pozicioni i saj kokëfortë, duke subvencionuar nëpërmjet buxhetit të shtetit tarifën e rrugës për rezidentët e qarkut Kukës.

Megjithë uljen e taksës së rrugës për banorët e qarkut Kukës, organizatorët e protestës i thanë BIRN se fitorja nuk ishte e plotë dhe për këtë fajësojnë përpos qeverisë edhe drejtuesit e opozitës, që sipas tyre i sabotuan përpjekjet e tyre në favor të koncesionarit.

“Na u sul edhe shteti, edhe oligarkia, edhe opozita,” thotë biznesmeni  Sokol Kolgjini, protagonist i shumë ngjarjeve që kulmuan me protestën e 31 marsit.  “Të mbështetur prej askujt vetëm prej qytetarëve  dhe të sulmuar nga të gjithë, përveç qytetarëve,” shtoi ai, duke theksuar se ‘protesta ishte model’.

Trau i ‘Rrugës së Kombit’ ndan Shqipërinë nga Kosova

Mijëra vetë, të ardhur edhe nga Kosova, janë mbledhur për të protestuar kundër vendosjes së taksës për rrugën e Durrës-Kukës me 31 mars 2018-të | Foto : LSA

Autostrada e pagëzuar si “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej në vitin 2007 dhe ka kushtuar mbi 1 miliardë euro, ndonëse ende nuk ka përfunduar në mjaft pjesë të saj. Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Koncesioni për mirëmbajtjen e saj u dha po ashtu pas një sërë debatesh dhe akuzash në vitin 2016 në favor të konsorciumit të kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha.  Kompania e krijuar për këtë qëllim, Albanian Highway Concession kontrollohet sot 50 për qind nga  “Kastrati Group” dhe 50 për qind nga kompania “Salillari”.

Dhënia me koncesion e mirëmbajtjes dhe operimit të ‘Rrugës së Kombit’ e ka zanafillën në vitin 2011, pas përurimit të segmentit Rrëshen-Kalimash. Gjatë dekadës në vazhdim, ky koncesion është kthyer në një pikë të nxehtë debati midis partive politike, shoqërisë civile dhe ka rënduar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Megjithëse dhënia me koncesion e autostradës ka qenë alternativa e vetme – si e Partisë Demokratike ashtu dhe e Partisë Socialistë kur kanë qenë në pushtet, të dyja e kanë akuzuar njëra-tjetrën duke kërkuar të shënojnë pikë politike nga pozicioni i partive opozitare.

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit të vitit 2011, kreu i mazhorancës së asaj kohe – ish-kryeministri Sali Berisha shpalli personalisht idenë e dhënies me koncesion të rrugës, apo siç e quajti ai “privatizimin” e ‘Rrugës së Kombit’, pasi sipas tij Shqipëria nuk kishte kapacitete për mirëmbajtjen e saj.

“Ministria e Punëve Publike dhe e Transportit ka kontaktuar me IFC për t’a dhënë sa më shpejt në menaxhim privat autostradën Durrës-Kukës-Morinë,” deklaroi Berisha në një mbledhje qeverie në maj 2011 .

Privatizimi i “Rrugës së Kombit”  sipas qeverisë do të ndodhte  para dimrit të 2012-ës, ndërkohë që ekspertët e IFC-së të përzgjedhur nga qeveria shqiptare për përcaktimin e shoqërisë private nuk e kishin  përcaktuar ende nivelin e taksës që do të paguhej në rrugën Milot-Kukës-Morin.

Për këtë qëllim, autoriteti kontraktues publikoi në muajin dhjetor të 2011-ës në gazetën “International Herald Tribune” dhe në dy gazeta shqiptare të përditshme kushtet për garën mbi marrëveshjen koncesionare, ku procesi i përzgjedhjes do të kryhej me dy faza, parakualifikimi dhe kualifikimi.

Më 12 qershor 2012, ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi bëri publike edhe vlerën e taksës që do të vendosej për kalimin të autostradës.

“Të gjithë ata qytetarë që do të kalojnë në rrugën Durrës -Kukës do të paguajnë një tarifë prej 5 eurosh,” deklaroi ai.

Sipas të ndjerit Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik në vitin 2013, kjo tarifë ishte minimale dhe nuk pritej të rëndonte në xhepat e qytetarëve.

Por dhënia me koncesion e rrugës dhe vendosja e tarifës u kundërshtua nga Partia Socialiste – në atë kohë në opozitë.

“Kjo masë, nëse vendoset është njësoj sikur të vendosësh regjim vizash midis dy krahëve të shqiptarëve,” u shpreh në vitin 2011 ish-zyrtari i Partisë Socialiste, Sadetin Çeliku.

Pas ardhjes në pushtet, Partia Socialiste ndryshoi qëndrim përsa i përket dhënies së rrugës me koncesion dhe ndikimin që kjo do kishte mbi krijimin e ndasive midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Në shtator 2016, Komisioni i Prokurimit Publik shpalli fitues të tenderit për koncesionin e rrugës një grup kompanish, të udhëhequra nga kompanitë “Kastrati” dhe “Salillari”, duke skualifikuar konsorciumin e kompanive turko-indoneziane, të udhëhequr nga “Vendeka Bilgi”.

Ndërsa në dhjetor 2016, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama i hapi rrugë koncesionit, duke miratuar  kontratën  mes Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe dy  firmave për koncesionin.

Dhënia me koncesion e autostradës që u kushtoi taksapaguesve shqiptarë më shumë se 1.1 miliardë euro, kundrejt një tarife mesatare prej  5 eurosh për një automjet që kalon në këtë rrugë, e zemëroi opinionin publik – sidomos atë të qarkut të Kukësit, të cilët përmes peticioneve kërkuan anulimin e tenderit.

Megjithatë, aplikimi i tarifave nuk zgjati as dy ditë në fund të marsit të vitit 2018, pasi banorët e zemëruar të Kukësit shkatërruan gjatë protestës së 31 marsit stacionin e pagesës dhe më pas i vunë atij flakën.

Që nga ajo kohë e në vazhdim, të gjitha autoveturat dhe automjetet e transportit publik të licencuara të qarkut të Kukësit kanë përfituar një skemë lehtësuese, ku paguajnë 100 lekë për një kalim.

Megjithatë, tarifa ka krijuar një barrë të rëndë për bizneset dhe qytetarët e Kosovës.

Gjatë forumit ekonomik “Sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri”, e mbajtur në maj 2019, u theksua se Shqipëria renditet pas Serbisë për tarifat dhe burokracitë në doganë për bizneset kosovare. Barrierat tarifore dhe burokratike si dhe pagesat për kalim në Rrugën e Kombit kanë dëmtuar konkurrueshmërinë e dy vendeve në rajon.

Sipas qeverisë së Kosovës, pagesa për kalim në ‘Rrugën e Kombit’ dhe pagesat për skanimin e kontenierëve – një tjetër projekt koncesionar i shumëdebatuar, janë “haraç” për bizneset e Kosovës.

Madje në një intervistë televizive, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu pakënaqësinë e tij ndaj tarifës për autostradën Milot-Morinë, duke theksuar se shteti shqiptar ishte bërë “skllav i koncesionarit”.

“Duke ardhur këtu pashë vetëm një gjë. Mu desh t’i paguaj pesë euro te ai trau aty. Kur shkoj në Shkup një euro, kur vij në Tiranë paguaj pesë euro. Jo pesë euro, por edhe 50 euro ia jap shtetit shqiptar. Por pse t’ia jap Kastratit pesë euro. Unë jam klasë e mesme, Kastrati është multimilioner. Pse unë i klasës së mesme duhet t’ia jap pesë euro multimilionerit,” pyeti Kurti.

“Unë dua të vij në shtetin e Kastriotit e jo në shtetin e Kastratit,” shtoi lideri i Vetëvendosjes, duke iu referuar biznesmenit Shefqet Kastrati, drejtuesi i Kastrati Group, një prej kompanive aksionere të koncesionit.

Sokol Kolgjini, i cili drejton edhe shoqatën “Biznesi për biznesin” në Kukës mendon se tarifa e autostradës Milot-Morinë është një taksë e paligjshme, pasi i detyron përdoruesit e saj të paguajnë dy herë për mirëmbajtjen e rrugës – njëherë sipas ligjit 157/2014 me taksën e qarkullimit në karburant dhe njëherë taksën e koncesionarit në tra.

“Nuk ka ndryshuar padrejtësia. Ka ndryshuar vlera monetare,” tha Kolgjini.  “Një pushtet i përgjegjshëm dhe i drejtë duhet t’a rikonsiderojë këtë problem,” shtoi ai.

Sipas Kolgjinit, trau i ngritur në Kalimash prej 27 muajsh do të jetë precedent për shumë trarë të tjerë në gjithë Shqipërinë, e do të përpjestojë krahinë për krahinë e qytet për qytet duke falimentuar  shumë biznese.

Ai thekson gjithashtu se ky tra do të favorizojë portin e Selanikut, përkundrejt portit të Durrësit, që nënkupton orientimin ekonomik të Kosovës drejt Greqisë.  Kolgjini ka studiuar dhe humbjet  që mund të ketë ekonomia nga dekurajimi i turistëve nga Kosova, si pasojë e koncesionit.

“Vetëm nga turizmi ditor, sipas një studimi që ne kemi bërë, rrezikon që të humbim në ekonominë e Shqipërisë 24 milion euro në vit, përkundrejt 1.4 milionë eurove që janë taksa që do i paguajë koncensionari,” tha ai.

“Nuk e di nëse do ketë ndonjë biznesmen në botë, apo ndonjë njeri i zakonshëm  që kalkulon fare thjesht të thotë “OK”, po rrezikoj 24 milionë euro se do fitoj 20 herë më pak,” theksoi Kolgjini.

Të njëjtin mendim me Kolgjinin ndan edhe biznesmeni Lutfi Meçka.

“Për mua protesta nuk ia arriti qëllimit. Në të vërtetë, Kukësi ka përfituar, por Kosova u la jashtë,” tha ai.  “Taksa prej 5 euro dëmton turizmin në Shqipëri, sidomos atë të uikendit ku fundjavat në Shqipëri  frekuentohen shumë nga kosovarët përgjatë gjithë vitit,” theksoi Meçka, ndërsa tregoi që këtë shqetësim e kishte ndarë edhe me kryeministrin Edi Rama në një takim pas protestës së 31 marsit.

Investimet e vonuara

Nyje e investuar nga kompania koncesioanre në kryeqëzimin e fshatit Mamëz | Foto : Bashkim Shala

Sipas kontratës, koncesionari i Rrugës së Kombit “Albanian Highway Concesion” parashikohet të kryejë një vlerë investimi prej 262 milionë euro për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës dhe të përfitojë rreth 400 milionë nëpërmjet tarifës. Prej tyre, kosto totale e investimit për punime ndërtimi për 30 vjet shkon në 100 milionë euro.

Vetëm në 4 vitet e para, kompania koncesionare duhet të kryejë 5.3 miliardë lekë (43.5 milionë euro) investime rehabilitimi dhe ndërtime në rrugë, ku përfshihet dhe ndërtimi të Urës së Drinit të Zi në Kukës me vlerë 15 milionë euro.

Ky projekt koncesionar është pjesërisht me mbështetje nga buxheti i shtetit. Kontrata është bërë efektive më 9 shtator 2017. Sipas raportit vjetor të Ministrisë së Financave për monitorimin e koncesioneve, ky projekt është aktualisht në fazën e ndërtimit dhe operimit, e cila duhet të përfundojë në vitin 2022.

Deri në shtator 2019, kohë kur është publikuar raporti, Ministria thotë se janë realizuar 48% e punimeve të ndërtimit të parashikuara në 4 vitet e para. Sipas Ministrisë, në vitin 2018 dhe 9 mujorin e parë të vitit 2019, kompania koncesionare ka investuar në rrugë 2.3 miliardë lekë, ose 927 milionë lekë më pak se plani i investimeve.

Në të njëjtën periudhë, koncesionari AHC ka pasur të ardhura nga tarifa prej 1.42 miliardë lekësh dhe 623 milionë lekë nga buxheti i shtetit, për një total prej 2 miliardë lekë të ardhura nga 22 muajt e parë –ndonëse 6 muajt e parë të vitit 2018 u ndikuan nga djegia e sheshit të pagesës.

Kompania ka hasur në mënyrë të veçantë vështirësi për realizimin e urës së re mbi Drinin e Zi në hyrje të qytetit të Kukësit.  BIRN ka mësuar se kompania koncesionare nuk i ka kapacitetet që të ndërtojë vepra të këtyre përmasave, ndaj ka kërkuar kompani të specializuara ndërtimi.

E para u paraqit një kompani turke, ndërtuese e Urës së Vashës në Rrugën e Arbrit. Kjo kompani ka marrë përsipër që të ndërtojë urën e madhe mbi Liqenin e Fierzës në Kukës me konstruksione metalike, ashtu siç ka ndërtuar edhe Urën e Vashës, por një projekt I tillë nuk është pranuar nga Autoriteti Kontraktues, gjithashtu edhe nga koncesionari.

Ndërkohë, mësohet se do të jetë kompania kroate IGH – bashkëprojektuese e kësaj vepre, ajo që do të marrë përsipër zbatimin e projektit. Njëri nga bashkëprojektuesit e kësaj ure, Dr. Faruk Kaba i tha BIRN se ura e re do të jetë prej betoni dhe jo metalike si Ura e Vashës.

“Është një projekt vështirë i zbatueshëm,” tha Kaba. “Këto lloj projektesh realizohen nga kompani të specializuara, që janë të pakta në Europë,” theksoi ai, ndërsa shpjegoi se “kërkohen  mjete të specializuara për punimet në ujë.”

Projekti i kësaj ure filloi në janar 2009 dhe ka përfunduar në gusht të atij viti, ku bashkëprojektues kanë qenë kompania “Infratransproject” nga Shqipëria dhe kompania kroate IGH. Megjithëse projekti ka qenë i gatshëm prej një dekade, ai nuk është realizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili ka pretenduar se ka pasur mungesa fondesh. Kostoja e këtij projekti shkon deri në 15 milionë euro.

Sipas projektuesit Kaba, ura e re mbi Liqenin e Fierzës do të jetë e gjatë 280 metra dhe do të ketë vetëm dy këmbë, ku hapësira në mes të dy këmbëve – që në gjuhën teknike quhet HD (hapësirë drite) do të jetë 140 metër.

Ura konsiderohet një ndër veprat më të vështira inxhinierike në autostradën  Durrës-Kukës-Morinë, pas tunelit të Kalimashit.

”Zgjidhjet e këtij projekti kanë qenë mjaft të vështira, por bashkëpunimi me kompaninë kroate IGH bëri të mundur që t’ia dalim mbanë duke përfunduar  projektin në një periudhë 8 mujore,” kujton bashkëprojektuesi Faruk Kaba.

Jo të gjithë janë aq entuziastë sa Kaba për investimet e koncesionarit në autostradë. Banorët e Kukësit kanë shprehur rezerva, madje kanë protestuar lidhur me cilësinë e investimeve të nyjes kryesore që lidh Kukësin me Prizrenin dhe Njësinë Administrative të Tërthores, si dhe zonën turistike të Shishtavecit.

“Nyja e urës 6-metroshe nuk përmbush asnjë prej kritereve minimale të lëvizjes dhe qarkullimit rrugor,” thotë Sokol Kolgjini. “Për këtë arsye, kjo nyje jo vetëm që nuk krijon mundësitë e aksesimit nga rruga dytësore për në autostradë e anasjelltas, por është edhe burim aksidentesh,” shtoi ai.

Drejtuesi i shoqatës “Biznesi pë biznesin” shprehet se mundësia fizike që autostrada të aksesohet nga rruga dytësore dhe ajo e Shishtavecit – që është edhe zonë turistike, është minimale ose zero për disa lloje automjetesh,  si për shembull autobusët. Ai theksoi se do vazhdojnë të insistojmë në zgjidhjen e këtij problemi, pasi i sjell dëme Kukësit.

“Kemi dërguar shkresa si biznes nëpër institucione për këtë problem se duhet të zgjidhet,” tha ai. “Nuk jemi ne ata që përcaktojmë,  ama ne kërkojmë një zgjidhje nga personat përgjegjës, në rastin konkret koncesionari,” shtoi Kolgjini.

Ndërkohë, projekti i ‘By Pass-it’  te ura e re mbi lumin Drin nuk parashikon hyrje për në qytetin e Kukësit. Kjo do të thotë që makinave që vijnë nga Tirana u duhet të udhëtojnë rreth 10 kilometra nga ura e Drinit të Zi për të hyrë në qytetin e Kukësit, nga 1.5 kilometër që është aktualisht distanca.

Kompania koncesionare Albania Highway Concession nuk i përgjigj një kërkese për koment nga BIRN për vonesat dhe cilësinë e investimeve në Rrugën e Kombit.

Oligarkia ka në dorë politikën

Ish deputeti, Flamur Noka, duke shkuar në një takim me kreun e PD, Lulzim Basha. | Foto : LSA

Protesta e 31 marsit 2018, e thirrur nga Këshilli i Bashkisë së Kukësit te stacioni i mbledhjes së taksës degjeneroi  në dhunë, ku për pasojë protestuesit shkatërruan dhe më pas i vunë flakën kabinave, duke i nxjerrë ato plotësisht jashtë funksionit.

Kryengritja e banorëve të Kukësit kundër koncesionarit e detyroi qeverinë që të bënte një kthesë 180 gradë, duke i ulur atyre tarifën për kalimin e rrugës nga 5 euro në 100 lekë.

Edhe pse organizatorët dhe pjesëmarrësit ndjehen mirë që e detyruan qeverinë që t’ua ulte tarifën, ata shprehen se fitorja e tyre ishte e pjesshme.

“Pjesën kryesore të qëllimit për të cilën ne protestuam, e arritëm,” thotë ish-kryetari i Këshillit të Bashkisë, Gjelbrim Shehu.“E ulëm tarifën në 100 lekë. Ne nuk mund të mbronim interesat e biznesit. Ne kërkuam të drejtën e qytetarëve,” shtoi ai.

Por qëndresa e organizuar nga Shehu dhe pjesëtarë të tjerë të Këshillit Bashkiak nuk ka ardhur pa kosto. Ai thotë se ka qenë i sulmuar nga shumë drejtime për shkak të rolit si organizator i protestës.

Shehu thotë se hakmarrja ndaj tij u duk edhe në zgjedhjet  e 30 qershorit, kur ai kishte kandiduar për këshilltar, por nuk u shpall fitues për shkak se sipas tij, KZAZ-ja i manipuloi votat me qëllimin për ta eliminuar nga lista e këshilltarëve.

“Na është bërë presion, por nuk jam tërhequr,” kujton Shehu. “Kam pasur kosto për këtë, kanë arrestuar vjehrrin tim dhe është ende gjyqeve,” shtoi ai, duke shpjeguar se polica ka arrestuar kryesisht ata persona që kishin lidhje me organizatorët.

Edhe pse ka qenë këshilltar i majtë, Shehu thotë se ka pasur probleme me biznesin e tij pas protestës dhe gjithashtu ka hasur vështirësi për të gjetur punësim.

“Nuk më është lënë asnjë lloj hapësire,” tha ai. “Kjo është një hakmarrje e oligarkisë,” theksoi Shehu, duke shtuar se “pushteti shfrytëzon çdo lloj mundësie për të na diskriminuar, madje edhe në garën zgjedhore.”

Ibsen Elezi, një ndër organizatorët më aktivë i tha BIRN se protesta e 31 marsit ishte e suksesshme, sepse ishte një protestë konkrete, me objekt konkret, ndryshe nga protestat e tjera.

Elezi thotë se fitorja nuk ishte e plotë dhe për këtë ai bën përgjegjës, përpos qeverisë edhe opozitën dhe kryetarin e saj Lulzim Basha, ish-deputetin e Kukësit, Flamur Noka dhe ish-kryetarin e bashkisë Kukësit, Bashkim Shehu për sabotim të protestës.

“Po ti hysh kësaj edhe në të drejtën tonë zakonore, mijëra vjeçare është trajtu problemi i rrugës dhe zënia e saj me kanun ka qenë e mbrojtur,” tha Elezi. “Askush nuk kishte  të drejtë të zinte rrugën e përbashkët,” shpjegoi ai.

Sipas ish-këshilltarit të PD-së, një kritik i zëshëm i lidershipit aktual të opozitës, zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike nuk e patën mbështetur protestën dhe madje e kanë sabotuar atë.

“TV dhe mediat e tjera në Tiranë ishin të keqinformuara nga njerëzit e PD-së, mos të shkonin atje se ata protestuesit janë disa njerëz të Edi Ramës,” kujton Elezi, duke akuzuar për këtë keqinformim ish-deputetin e PD-së, Flamur Noka dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.

“Flamur Noka dy ditë para protestës doli në parlament e tha se janë njerëz të Edi Ramës dhe u bëri thirrje demokratëve që të mos marrin pjesë në protestë,” akuzoi Elezi. “Por thirrja e tyre nuk u dëgjua, se aty erdhën të gjithë pa asnjë dallim partiak,” shtoi ai, duke theksuar se suksesi i protestës ishte se “ne nuk e lamë politikën të fuste hundët”.

Sipas Elezit, edhe ish-kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu ka qenë kundër protestës dhe ka urdhëruar zëvendësin e tij, Dileman Nela që të mos aktivizohet.

Deputeti Flamur Noka dhe kreu i Partisë Demokratik Lulzim Basha nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN mbi akuzat se e kanë sabotuar protestën e 31 marsit 2018 kundër koncesionit të Rrugës së Kombit.

Ndërkohë, ish-kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu i hodhi poshtë akuzat e Elezit, duke theksuar se e ka mbrojtur publikisht protestën

“Mua më kërcënoi Rama në televizor, e kam mbrojtur protestën në çdo studio televizive,” tha Shehu, duke theksuar se ka pasur edhe punonjës të bashkisë të arrestuar.

“Kontributin tim e njohim të gjithë aty, por njerëzit janë të lirë të thonë çfarë të duan,” shtoi ai.

Sipas protagonistëve, shumica e përfaqësuesve politikë vendorë në Kukës kanë qenë kundër koncesionit dhe e kanë kundërshtuar atë në mënyrë aktive deri në ngjarjet që kulmuan me protestën e dhunshme të 31 marsit 2018.

“Në nivel vendor e djathta është angazhuar masivisht gjatë viteve 2016-2018 për të kundërshtuar vendosjen e tarifës. Por edhe e majta kishte ndjeshmëri për protestën, pra nuk ishte kundër. Pra në fazën e parë deri me 31 mars e majta ishte pro,” kujton Lavdrim Shehu, ish-kryetar  i Këshillit Bashkiak Kukës në vitet 2015-2017.

Sipas Shehut, përfaqësuesit politikë vendorë të majtë dhe të djathtë u vunë nën presion nga Tirana pas protestës.

Lavdrim Shehu e lidh presionin nga e majta me cenimin e qeverisjes, ndërsa atë nga e djathta me presionin e oligarkëve. Ai shton se individë nga struktura të larta të PD-së kanë bërë presion tek këshilltarët në Kukës.

“Nga 31 marsi e në vazhdim realitetet ndryshuan nga të gjitha palët,” kujton Shehu. “Kjo tregon që oligarkia ka në dorë politikën,” shtoi ai.

Edhe ish-kryetari i degës së Partisë Demokratike në Kukës, Arif Rexhmati pranon se ka pasur deputetë të Partisë Demokratike që janë shprehur publikisht kundër protestës së organizuar nga Këshilli Bashkiak Kukës kundër koncesionit të Rrugës së Kombit.

“Deputeti Flamur Noka e ka  shprehur publikisht qëndrimin e tij në seancë plenare dy  ditë para zhvillimit të protestës,” kujtoi Rexhmati, duke iu referuar një fjalimi të ish-deputetit të PD-së ku i përshkruan organizatorët si të manipuluar nga qeveria.

“Disa aktorë e faktorë të politikës qendrore dhe lokale me qëndrimet e tyre janë munduar të sabotojnë protestën,” shtoi Rexhmati.

Përshkallëzimi në dhunë

Protestues duke u përleshur me policinë dhe djegur sportelet e pagesës së taksës në rrugen e Kombit, pranë tunelit te Kalimashit. | Foto :LSA

Sipas Ibsen Elezit, protesta e 31 marsit 2018 përshkallëzoi për shkak të mungesës së profesionalizmit të policisë. Ai insiston se protestuesi nuk kishin qëllim të shkatërronin pronën e koncesionarit, por vetëm të ndërmerrnin një akt simbolik në kundërshtim të tij.

“Ne kishim si qëllim të thyenim traun në mënyrë simbolike,” tha ai.  “Unë personalisht isha i bindur se rruga do zhbllokohej,” shtoi Elezi.

Sipas ish-këshilltarit bashkiak të PD-së, policia e ka vlerësuar gabim numrin e protestuesve dhe ka ndërhyrë në mënyrë të dhunshme për t’i shpërndarë, duke i goditur disa nga këshilltarët bashkiakë me “spraj djegës.”

“Ata(policia) kujtuan se ishin rreth 200 vetë dhe kanë filluar menjëherë goditjen,” kujtoi ai, ndërsa shtoi se “aty doli situata nga kontrolli.”  “Policët u çorientuan në atë  masë saqë filluan të hidhnin gurë në turmë – pra nuk dinin se çfarë po bënin,” theksoi Elezi.

Përplasja midis policisë dhe protestuesve solli të lënduar nga të dyja palët dhe i detyroi forcat e rendit që të tërhiqen. Pas tërheqjes së policisë, protestuesit i vunë zjarrin kabinave me çakmakë dhe letra.

“Djegia ishte diçka spontane,” theksoi Elezi. “Ne ishim të vendosur ta rrëzonim traun, por jo të digjnim,” shtoi ai.

Pas djegies së kabinave, në vendngjarje kanë ardhur përforcime të mëdha forcash policie nga Tirana, por protestuesit nuk janë tërhequr menjëherë por kanë qëndruar për disa orë pranë sheshit të pagesës.

Një ditë pas protestës, në të gdhirë të së dielës së 1 majit 2018, policia me urdhër të prokurorisë ka arrestuar 23 persona në Kukës – të akuzuar për “shkatërrim prone” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë,” ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në qershor 2018, Gjykata e Kukësit shpalli fajtorë 25 protestues të akuzuar për dëmtimin e pikës së pagesës në rrugën Durrës- Kukës gjatë protestës së 31 marsit. Gjykata ka dhënë për 20 protestues, dënim me kusht nga 4 deri në 8 muaj, dy u dënuan me kohën e paraburgimit, ndërsa tre të tjerë me gjobë nga 100 mijë lekë.

Mes të dënuarve nga Gjykata ishte dhe 63-vjeçari Shaban Selmani, i cili prej 2 vitesh orvatet në Apel në kërkim të pafajësisë.

Së bashku me shtatë  protestues të tjerë, Shabani nuk pranoi të nënshkruajë marrëveshje me prokurorinë për pranimin e akuzës, me kusht lirimin dhe dënimin me shërbim prove.

Ai është dënuar me 6 muaj shërbim prove nga Gjykata e Kukësit, por e ka apeluar çështjen në kërkim të pafajësisë. Deri tani ka zhvilluar 30 seanca gjyqësore, ku janë ndërruar 8 gjyqtarë.

“Ne nuk fituam. Kjo nuk është fitore. Taksa nuk është hequr për të gjithë shqiptarët,” tha Selmani.  “Dënimi jonë ishte absurd vetëm për të frikësuar të tjerët,” shtoi ai.

Në mesin e 8 personave që  janë në proces gjyqësor është edhe 61-vjeçari Lulzim Popa. Edhe Lulzimi nuk e quan fitore protestën e 31 marsit, pasi sipas tij trau nuk duhet të ekzistojë.

“Mezi pritëm që të hapej rruga e re që të lëviznim nga veriu në  jug e Kosovë. Vuajtjet tona nuk harrohen nga Qafa e Malit përreth 6-8 orë rrugëtim për në Tiranë,” kujton Lulzimi.

“Pushteti na e vuri traun te pragu i shtëpisë. Tarifa prej 5 euro ishte skandaloze dhe e papërballueshme ndaj dolëm në protestë,” shtoi ai, ndërkohë që vazhdon të denoncojë arrestimin e tij si skandaloz natën duke u gdhirë 1 prilli i vitit 2018.

“Policia më ka shqyer portën e shtëpisë në orën 3 të natës dhe ka hyrë në shtëpi  me maska duke terrorizuar nusen e djalit dhe fëmijët,” kujtoi Lulzimi.  “Kam dy vjet që përndiqem duke u sorollatur nëpër gjyqe,” shtoi ai.

Shkëlqim Vata, njëri prej 11 protestuesve të arrestuar natën duke u gdhirë 1 prilli, ka kaluar 20 ditë i ndaluar në burgun e Vaqarrit.

“Protesta ishte e ligjshme! Unë sërish do protestoj për të drejtat e mia ekonomike sa herë të jetë e nevojshme,” tha ai, ndërsa theksoi se ishte një njeri që e kishte ndërtuar jetën mbi punën dhe jo dhunën.

“Nuk dëshiroj dhunën dhe nuk jam njëri nga ata, apo të organizoj dhunë. Çdo mëngjes bëj plane për të punuar dhe jo për të vjedhur,” theksoi Vata.

“Në protestë me 31 mars të vitit 2018 na nxori halli dhe jo politika,” shtoi ai.  “Për 20 ditë burg që kam ba nuk jam hiq pishman, pasi arritëm një fitore, megjithëse të pjesshme,” përfundoi Vata.

Shuarja e protestës

Protestues në sallen e gjyqit ne Tiranë

Ish-këshilltari bashkiak, Ibsen Elezi kujton se pas rifillimit të vjeljes së tarifës në shtator 2018 u thërrit një protestë e re kundër koncesionit nga anëtarë të shoqërisë civile. Sipas Elezit, edhe pse qeveria e kishte uluar tarifën për rajonin e Kukësit nga 5 euro në 100 lekë, kryeministri Edi Rama kishte refuzuar të vendoste ura komunikimi me protestuesit.

“Ne jemi për heqjen e plotë të tarifës për Kukësin dhe i bashkëngjitemi çdo lloj iniciative për heqjen e taksës në nivel kombëtar,” tha ai. “100 lekëshi është një gjobë nga ana formale duke na shkelë të drejtën. Tarifa prej 100 lekësh nuk përbën shqetësim ekonomik se sa psikologjik,” shtoi Elezi.

Sipas Elezit, për protestën e projektuar më 17 shtator, organizatorët i bënë thirrje të gjithë ‘opinionit kombëtar’ që t’u bashkoheshin. Ai thekson se edhe deputetet e opozitës dhe kryetari Basha u shprehën se do u bënin thirrje gjithë organizatave të shoqërisë civile dhe me 17 shtator do ishin te trau, por ku erdhi data e protestës, kjo nuk ndodhi.

“Unë në fillim të shtatorit mora informacion se Lulzim Basha nuk e bën këtë veprim dhe për këtë kam vënë në dijeni Komisionin Organizator të Protestës, ku u kam thënë se opozita nuk na vjen në ndihmë, kështu që ne duhet t’i drejtohemi opinionit kombëtar, por nuk pati reagime,” kujton Elezi, ndërsa shton se edhe ulja e tarifës e “bëri efektin tek vendasit.”

Edhe pse protesta ishte thirrur fillimisht nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe jo këshilli bashkiak i Kukësit, Elezi kujton se një natë përpara 17 shtatorit 2018, në qytet u stacionuan rreth 800 forca policie.

“Tashmë edhe Këshilli i Bashkisë nuk ishte në qëndrimet e mëparshme, pasi të gjithë i kapën një e nga një duke i trysnuar për tërheqje,’ kujtoi Elezi. “Kështu u mbyll kjo histori,” përfundoi ai.