Lajm18 May 2018

Protestë kundër racizmit në polici gjatë funeralit të 27-vjeçarit

Anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian në Korçë akuzuan policinë për racizëm dhe dhunë ndaj tyre, ndërsa qindra morën pjesë në cermonin mortore të 27-vjeçarit i cili sipas familjes vdiq për shkak të dhunës në komisariat.

Autor: Dhorjela Çule BIRN Korçë
Printo

Protesta gjatë funeralit të Enea Ftojit, i cili u raportua i vdekur ndërsa ndodhej në qeli. Foto Dhorjela Çule

Qindra pjesëtar të komunitetit rom dhe egjiptian protestuan kundër policisë të premten, ndërsa morën pjesë në cemoninë mortore të Enea Ftojit. Me parrulla që akuzonin policinë për racizëm, kortezhi mortorë i 27-vjeçarit i cili u gjet i vdekur të ejten në qelitë e paraburgimit ndaloi para Drejtorisë së Policsë së Korçës, ndërsa pjesëmarrësit bënë thirrje për drejtësi.

Policia njoftoi se i riu ishte gjetur i vdekur në qeli, por familjarët e tij akuzuan se ai ishte rrahur, ndërsa thanë se policia e kishte fshehur vdekjen deri para seancës së masës së sigurisë në gjykatë. “Erdhëm në komisariat në mëngjes dhe na thanë po e bëjmë gati për ta dërguar në gjykatë pasi ka masën e sigurisë”, tha nëna e Ftojit. Sipas saj edhe në proces gjyqësorë, atyre fillimisht nuk iu tha asgjë, deri sa kërkuan të dinin se ku ishte i arrestuari.

Bashkëshortja e të ndjerit Entela tha se pas tërheqjes së trupit nga morgu, familja konstatoi shenja të dukshme të dhunës fizike në gjithë trupin. “Ka shenja dhune në gjithë shpinën, në fytyrë, njërin krah të thyer dhe në parakrah. Herën e fundit që fola me të ishte para dy ditësh.”- tregon ajo. Entela tha edhe se bashkëshorti i ishte ankuar më herët se ishte rrahur, sipas saj ai është dhunuar nga policia edhe gjatë arrestimit edhe pasi është dërguar në komisariat.

Familja e 27-vjeçarit shpërndau edhe foto në të cilat duket shpina e mavijosur, ndërsa priten rezultatet e mjekësisë ligjore për të zbardhur arsyet e vdekjes së të riut, baba i tre fëmijëve.

Ndërkohë që nuk ka pasur reagim tjetër nga Policia e Shtetit veç komunikimit për shtyp për vdekjen e të riut, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi ngjarjen “vrasje makabre”. “Ky krim çnjerëzor është shkaktuar nga tortura barbare ndaj të riut rom që është dhe babai i 3 fëmijëve. Unë dhe Partia Demokratike kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe transparencë të plotë, se kush është ai, ose ata që kryen këtë krim makabër”, shkroi Basha.

Pas vdekjes së 27- vjeçarit policia e Korçës mohoi që ndaj tij të jetë ushtruar dhunë. Ndërkohë përveç prokurorisë, hetim për vdekjen nisi edhe SHÇBA (Shërbimi për Çëshjet e Brendshme dhe Ankesat) pranë Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë ende pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet e vdekjes së të riut.

Varrimi i tij të premten u kthye në një tubim masiv, të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët kërkuan drejtësi dhe akuzuan policinë për racizëm. Me pankarta dhe arkivolin në duar protestuesit u nisën nga banesa në drejtim të Komisariatit të Korçës. Ata qëndruan për pak minuta në sheshin para komisariatit duke bërë thirrje për drejtësi.