Investigim9 Apr 2019

Punësoi kunatin emigrant të Adriatik Llallës, KPK konfirmon në detyrë Dritan Pekën

Komisioni vendosi të konfirmonte në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Dritan Peka, megjithë dyshimet e pasqaruara se me firmën e tij Prokuroria e Apelit kishte paguar në mënyrë të paligjshme një të afërm të ish-Prokurorit të Përgjitshëm. KPK justifikoi edhe përfitimin e një kredie të butë si i pastrehë, e cila u përdor për shtëpi të dytë në bregdet dhe blerjen e dyshimtë të një makine.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kreu i Prokuorisë s Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA

Gjatë procesit të rivlerësimit të prokurorit, Dritan Peka Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti një sërë pikëpyetjesh dhe dyshimesh- të bazuara mbi një denoncim, mbi praktikën e punësimit dhe pagesën e paligjshme të një magazinieri në Prokurorinë e Apelit Tiranë.

Peka akuzohet se e kishte rekrutuar këtë punonjës pa shpallje publike, pa arsim përkatës dhe ka firmosur listë-prezencën e tij ndërkohë që ai nuk paraqitej në punë dhe dyshohet se nuk ndodhej fare në Shqipëri.

Edhe pse KPK e identifikon të ‘punësuarin’ vetëm me inicialet, A.M, BIRN arriti të konfirmonte nëpërmjet disa burimeve brenda organit të akuzës se magazinieri në fjalë, nuk ishte tjetër por kunati i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla

Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Dritan Peka, edhe pse nuk ishte i aftë t’i qartësonte dyshimet për punësimin e paligjshëm të Adriatik Memës.

KPK arsyetoi se nuk kishte  prova të mjaftueshme dhe bindëse që subjekti i rivlerësimit ka vepruar me vetëdije në shkelje ligjore.

“Komisioni ka administruar informacione dhe elementë provues kontradiktorë, vërtetësia dhe gjeneza e të cilëve nuk mund të verifikohej dhe kristalizohej plotësisht dhe në mënyrë shteruese brenda kornizave të këtij hetimi administrativ,” thuhet në vendimin e zbardhur për konfirmimin në detyrë të Dritan Pekës.

I pyetur nga BIRN për këtë çështje dhe marrëdhënien e të punësuarit prej tij me Llallën,  Peka tha se kjo ishte diçka që ndodhte rëndom.

“Këtë e ke në çdo institucion shqiptar”, tha Peka, ndërsa shtoi se të gjitha komentet për këtë i kishte bërë pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla refuzoi të komentonte mbi punësimet e të afërmve të tij në prokuroritë vartëse dhe shqetësimet për nepotizëm.

“Nuk jam as kancelar, as magazinier”, tha Llalla para se të mbyllte telefonin. Ndërkohë, kunati i tij Adriatik Mema, nuk ishte i arritshëm.

Rasti i punësimit që iu referua organeve kompetente për inspektim të shkeljeve të mundshme disiplinore nuk ishte problemi i vetëm në vetingun e Dritan Pekës. Në vendimin e zbardhur rezulton se përfitimi i një kredie të butë për strehim nga Peka dhe devijimi i destinacionit të saj, arsye që janë përdorur si elementë shkarkues për disa gjykatës dhe prokurorë gjatë procesit të vetingut, nuk u gjetën si shkelje në këtë rast.

Pikëpyetjet mbi punësimin e kunatit të Llallës magazinier

Komisioni e konfirmoi Dritan Pekën në detyrë në 4 mars 2019, pasi e kishte shtyrë me dy javë vendimin për të. Treshja gjykuese përbëhej nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe relator Lulzim Hamitaj.

Denoncimi i një kolegu prokuror pranë Prokurorisë së Apelit në Tiranë dhe dëshmia e kancelares së kësaj prokurorie duket sikur e vunë në pozitë të vështirë prokurorin Dritan Peka, në lidhje me punësimin Adriatik Memës – i identifikuar si A.M në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Sipas denoncimit të depozituar pranë ONM-së, Peka e kishte emëruar Memën pavarësisht mungesës së arsimimit dhe faktit se nuk plotësonte kriteret. Po ashtu, ai akuzohej se e kishte toleruar dhe madje favorizuar këtë person, duke e lejuar të bënte leje më të gjatë dhe të paguhej gjatë kohës që nuk ishte në detyrë.

“Nga subjekti i rivlerësimit i është komunikuar kancelares së prokurorisë se punonjësi A. M. do vazhdonte të qëndronte jashtë vendit dhe pagesa do t’i kryhej pa qenë prezent, në vendin e punës,” citohet denoncuesi në vendimin e zbardhur.

BIRN gjeti se inicialet A.M. i përkisnin Adriatik Memës, vëllai i bashkëshortes së ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili nga vendimi i zbardhur i KPK-së rezulton se ishte punësuar edhe pa konkurs.

Kancelarja e Prokurorisë së Apelit i ka thënë Komisionit se: “Për pozicionin e z. A. M., nuk është bërë asnjë shpallje për vendin vakant, por është bërë direkt një kërkesë për emërim kuadri për punonjësin në fjalë, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme. Kërkesa është bërë nga Drejtuesi i Prokurorisë”.

Peka ka pranuar punësimin e A.M pa konkurs, por i ka thënë Komisionit se pozicioni i punës ishte i tillë që “nuk përfshihej midis atyre që duhet rekrutuar me shpallje”. Ai po ashtu është mbrojtur duke e cilësuar punësimin konform ligjit dhe i është referuar faktit se “vendimmarrja ishte njoftuar paraprakisht edhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme”.

Komisioni nuk përmend në vendim nëse ka hetuar për lidhjen mes Memës dhe ish-prokurorit Llalla dhe nëse ky ka ndikuar në punësimin e kunatit. Por në hetim janë përfshirë një sërë elementësh të tjerë të këtij punësimi.

Nga vendimi rezulton se Mema, sipas sistemit TIMS ishte larguar nga vendi në qershor të vitit 2015 dhe nuk rezultonte të ishte kthyer.

“Nga verifikimet e sistemit TIMS rezultonte se, z. A. M, lindur më 21.08.1983, në Elbasan, kishte kryer daljen e fundit nga territori shqiptar më datë 26.06.2015, në drejtim të qytetit të Barit, Itali, dhe çuditërisht nuk konstatohet data e hyrjes së tij në Shqipëri, dhe as ndonjë dalje apo hyrje tjetër në vitet e mëpasshme,” thuhet në vendimin e zbardhur të KPK-së.

Po ashtu, kancelarja i tha Komisionit se ajo kishte refuzuar të firmoste listë-prezencën për periudhën korrik-tetor 2015 edhe pse ishte urdhëruar nga Peka.

“Sepse nuk kam qenë dakord me urdhrin e Drejtuesit për t’i firmosur në kushtet e mosprezencës së tij në punë,” iu përgjigj ajo Komisionit.

Megjithatë gjatë kësaj kohe, sipas dokumenteve të depozituara nga Peka në kundërshtim të këtyre pohimeve të kancelares, Mema kishte vijuar të firmoste marrje në dorëzim, hyrje dhe dalje materialesh nga magazina e Prokurorisë së Apelit Tiranë, të cilat po ashtu ishin kundërfirmosur nga prokurorët që kishin bërë tërheqje  dhe dorëzime.

Peka u mbrojt duke thënë se kishte firmosur listë-prezencën siç e kishte paraqitur kancelarja që sipas tij duhej të bënte verifikimin.

“Pra, përderisa kancelarja nuk kishte raportuar ndonjë mungesë nga detyra të punonjësit në fjalë, nuk kishte arsye për të mos i firmosur listë-prezencat në fjalë,” pretendoi ai duke akuzuar kancelaren se kishte gënjyer në lidhje me urdhrin e tij.

Në mbrojtjen e tij, Peka përdori po ashtu një audit të Prokurorisë së Përgjithshme që nuk kishte gjetur probleme, por as në këtë pikë nuk vihet në dukje lidhja mes të punësuarit dhe ish-kryeprokurorit dhe nëse kjo kishte ndikuar në audit.

Ardhja e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme ka vënë përsëri në lëvizje auditin, ndërsa rezulton se ka pasur një kallëzim për të cilin është vendosur “mosfillim” nga Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë në korrik 2018.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka refuzuar një kërkesë për inspektim nga Prokuroria e Përgjithshme për Prokurorinë e Apelit Tiranë, me përgjigjen  se “rrethanat e çështjes lidhur me përfitimin e paligjshëm të z. A. M. rezultonin të provuara”. Ministria e Financave kërkoi nga Prokuroria e Apelit “shumat e sakta të përfituara në mënyrë të paligjshme nga z. M. në dëm të buxhetit të shtetit shqiptar”.

Megjithatë faktet e lartpërmendura, Komisioni në arsyetim thotë se nuk qe në gjendje të dilte me një përfundim të qartë mbi këtë situatë. Pasi shtron një seri pyetjesh, të cilat teorikisht hetimi administrativ duhej t’u kishte dhënë përgjigje, KPK arsyeton se provat ishin kontradiktore.

Komisioni ka pranuar pjesërisht provat e Pekës duke bërë me faj kancelaren që nuk kishte bërë raport me shkrim të mungesës së Memës, ndërsa nga ana tjetër vë në dyshim arsyet se pse prokurori, edhe pse ishte në dijeni të deklarimeve të saj, nuk kishte kallëzuar atë apo as nuk kishte kërkuar masë ndaj saj në Prokurorinë e Përgjithshme.

Komisioni vë në dukje se nuk gjeti shkelje të Kodit të Punës në këtë punësim dhe as të ndonjë dispozite tjetër ligjore. KPK arsyeton po ashtu se fakti që kancelarja nuk kishte bërë detyrën duke denoncuar zyrtarisht shkeljen në kohë,  i zbeh akuzat e bëra prej saj. Po ashtu, jep si argument në favor të Pekës fletë hyrjet apo fletë daljet që ishin lëshuar nga magazinieri dhe ishin kundër firmosur jo vetëm nga prokurorët, por edhe nga kancelarja.

Në fund Komisioni thotë se nuk qe në gjendje të kishte qartësi për këtë çështje dhe as të provonte autenticitetin e dokumenteve të paraqitura pro dhe kundër në këtë rast. Në vendim KPK shprehet se qe e detyruar “t’i konsiderojë disa elementë provues si të mirëqena, për sa kohë mungon prova e kundërt”. Komisioni thotë se kjo qe arsyeja që e përcolli këtë çështje për inspektim.

“Gjithsesi, pikërisht në bazë të dyshimeve të përshkruara edhe më lart dhe duke pasur parasysh që mbi këtë rrethanë janë përfshirë edhe institucione të tjera, por që ende nuk kanë hedhur mjaftueshëm dritë për të shteruar totalisht dyshimet dhe për të dhënë përgjigje të plota, së paku pyetjeve të ngritura më sipër, trupi gjykues, çmon se kjo praktikë duhet të transferohet”, thuhet në vendim, ndërsa në fund vë në dukje se Peka kishte arritur nivel minimal kualifikimi sa i përket profesionalizmit.

Kredia e butë dhe makina e blerë lirë

Qëndrimi në dukje justifikues i KPK-së në rastin e Pekës vijon edhe sa i përket shqyrtimit të pasurisë. Komisioni është ndalur veçanërisht në përfitimin e një kredie të butë nga bashkëshortja e prokurorit në vitin 2010 dhe dyshimet se ky ishte një përfitim i padrejtë.

Por ndryshe nga raste të ngjashme kur përfitimi i një kredie të butë ka qenë shkak shkarkues për prokurorë e gjyqtarë, në këtë rast KPK ka arsyetuar se Peka nuk e kishte të regjistruar ende shtëpinë e parë dhe se kjo e bënte situatën të paqartë.

“Nga njëra anë kredia e butë, e marrë nga subjekti dhe bashkëshortja e tij, ishte e dyshimtë nëse ajo ishte realizuar apo jo, në shkelje të kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga VKM-ja, nr. 600/2007, pasi nuk bëhej fjalë për një familje të pastrehë,” thuhet në vendimin e zbardhur.

Por më pas Komisioni ia ka kaluar përgjegjësinë për miratimin e kredisë Kryeministrisë  si institucion në të cilin bashkëshortja e Pekës punonte dhe i cili kishte miratuar kredidhënien dhe bankës. “Nga ana tjetër, duhet konsideruar edhe sa vijon: Kërkesa për kredi të butë është vlerësuar dhe aprovuar nga dy institucione – Kryeministria dhe “BKT”-ja,” thuhet në arsyetim.

Edhe pse në raste të ngjashme KPK ka penalizuar subjektet duke i konsideruar aplikimet për kredi të buta si veprime fiktive, në këtë rast përgjegjësia për këtë aplikim i është lënë bashkëshortes.

“Ka qenë bashkëshortja e subjektit që ka aplikuar për kredi të butë, dhe për rrjedhojë jo automatikisht mund të penalizohet subjekti edhe nëse mund të jetë kryer një interpretim i gabuar ligjor nga ana institucioneve kompetente apo nga bashkëshortja e subjektit”, thuhet në vendim.

KPK po ashtu arsyeton se ishte e paqartë ligjërisht nëse Peka kishte apo jo banesë në momentin e marrjes së kësaj kredie. Sipas Komisionit, fakti që prona nuk ishte regjistruar ende në emër të tyre e bënte të paqartë situatën.

“Dyshimi qëndron mbi interpretimin e pikës 6, shkronja “ç” të VKM-së, nr. 600/2007, nëse togfjalëshi “… të drejta reale pasurore …” i referohet të drejtave që rrjedhin nga titulli i pronësisë apo edhe “posedimit”, pasi në rastin konkret bashkëshortët kishin një apartament në posedim, por ende jo në pronësinë e tyre”, shprehet KPK. Qëndrimi në këtë rast duket kontradiktor edhe me vendime të Kolegjit të Apelimit, ku posedim është cilësuar edhe vetëm pasja e kontratave të energjisë elektrike mbi një apartament.

Ngjashëm KPK ka arsyetuar edhe mbi devijimin e destinacionit të kredisë së butë e cila rezulton se është përdorur për blerjen e një shtëpie në Vlorë. Sipas Komisionit kredia e butë nuk shoqërohej me detyrimin për ta kthyer nëse nuk përdorej për strehim.

Ndërkohë arrihet në përfundimin se duke “konsideruar edhe faktin që në këtë procedurë janë përfshirë edhe aktorë, kontrollues dhe autorizues të ndryshëm, kjo kredi nuk duket se do të gjeneronte një përgjegjësi të drejtpërdrejtë të subjektit të rivlerësimit”.

Justifikues është qëndrimi i KPK-së edhe në lidhje me blerjen e një makine për 960 mijë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se shitësi e kishte blerë makinën për 1.9 milion lekë dhe kishte paguar doganë rreth 400 mijë lekë të tjera, por ia kishte shitur atë Pekës pas 5 ditësh për më pak se gjysmën e çmimit të blerjes.

Komisioni në këtë rast, ndryshe nga sa ka bërë në vendime të tjera, ka pranuar arsyetimin e subjektit se makina kishte pasur nevojë për 7500 euro riparime. KPK në këtë rast thotë se e gjeti të provuar faktin se makina kishte defekte, por ishte e paqartë për kostot.

Komisioni arsyeton se deklarimet e Pekës dhe të shitësit binin ndesh me njëra tjetrën, por këto “nuk mund të bëjnë totalisht të pabesueshëm versionin e subjektit”. KPK arsyetoi në fund se “në mungesë të konstatimit të ndonjë konflikti interesash midis subjektit dhe shitësit të autoveturës tip “BMË 523 I”, trupi gjykues – edhe pse ka dyshime mbi shkakun e vërtetë të diferencës së çmimit të këtij mjeti – nuk vëren prezencën e elementeve provues të një trajtimi preferencial apo të fiktivitetit kontraktor”.

Dyshimet e tjera të ngritura gjatë hetimit, përfshi mosdeklarimin në vitin 2003 të një llogarie bankare të së shoqes dhe diferencat e pambuluara në vite të shpenzimeve nuk u konsideruan shkelje të rëndësishme nga Komisioni, i cili vendosi konfirmimin e Pekës në detyrë.