Mosmarrëveshjet midis biznesit dhe qeverisë, si dhe vështirësitë e mbajtjes hapur të fabrikave fasone në kushtet e ‘protokollit të kuq” të pandemisë së COVID-19, i lanë shumë punonjës të kësaj industrie pa punë dhe jashtë paketave të ndihmës ekonomike.
Mëngjesin e 24 prillit 30 punonjës të një fasonerie në periferi të Durrësit bllokuan hyrjen e fabrikës. Pasi u endën nga zyra e administratores, ekonomistes dhe e tatim-taksave, ata e panë protestën si të vetmin mjet për të marrë pagën e plotë për muajin mars.
“Si do të jetojë kjo familje prej 5 anëtarësh, me afërsisht 20.000 lekë rroga që marr unë dhe bashkëshortja,” pyet në mënyrë retorike Alberti*, njëri prej protestuesve.
Fabrika e këpucëve ku ai punon ka 77 punëtorë. Ajo u mbyll për 1 muaj pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19 dhe punëtorët u paguan për vetëm 11 ditë pune në muajin mars.
“Na bënë me dije se na e kanë paguar të gjithë siguracionin e muajit,” shtoi Alberti, ndërsa shpjegoi se si rrjedhojë punëtorët nuk përfituan as ndihmë as nga shteti për këtë periudhë.
Protesta e mbajtur në fund të muajit prill në Durrës nuk është një ngjarje e pazakontë në situatën e krijuar në industrinë fasone pas shpërthimit të epidemisë.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga burime të hapura, tregojnë se gjatë të njëjtës periudhë pati të paktën 15 protesta të ngjashme në fabrika dhe kompani fasone, të shpërndara në 8 qytete.
Shumë punëtorë në këtë sektor ankohen se nuk kanë përfituar nga paketat e ndihmës të dhëna nga qeveria shqiptare për të lehtësuar pasojat ekonomike që sollën masat shtrënguese të distancimit social që synonin të parandalonin përhapjen e koronavirusit të ri.
Ankesa kanë dhe bizneset të cilat shprehen se kërkesat e tyre drejtuar qeverisë kanë rënë në vesh të shurdhët, ndërkohë që nënvizojnë që qeveria i transferojë barrën për t’u kujdesur për punëtorët këtyre sipërmarrjeve edhe pse puna nën të ashtuquajturin ‘protokolli i kuq’ nuk është e mundur.
Ndërkohë aktivistët e të drejtave të punës dhe sindikatat nënvizojnë se dhe ndërmarrjet fasone nuk janë pa faj dhe theksojnë se shumë prej tyre kanë larguar punëtorë në mënyrë të paligjshme gjatë pandemisë, pjesa dërrmuese e të cilëve i përkasin shtresave varfëria sociale.
Protokolli i kuq
Që nga shpërthimi i epidemisë me 8 mars, koronavirusi i ri SARS-CoV-2 ka prekur 1099 persona, nga të cilët 33 kanë humbur jetën, 851 janë shëruar dhe 215 raste janë aktive. Për të sheshuar kurbën e pandemisë qeveria ndërmori një seri masash shtrënguese të izolimit të popullatës dhe distancimit social, të cilat pezulluan përkohësisht punën në shumicën e bizneseve fason.
Për rihapjen e bizneseve në kushtet e pandemisë, qeveria miratoi një protokoll të veçantë me tre nivele, ku bizneset klasifikoheshin në bazë të riskut për shpërndarjen e infeksionit. Bizneset fasone përfshiheshin në protokollin e riskut të lartë për shpërndarjen e infeksioni, ose protokolli i kuq.
Sipas protokollit biznesit fason i ngarkohen një liste e gjatë detyrimesh higjeno-sanitare për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19, që shkojnë nga punësimi i një personi përgjegjës për shëndetin në punë, vlerësimi i prezencës së simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn e del në ambientet e punës, ruajtja e distancës gjatë transportit dhe punës në fabrikë, matja e temperaturës dhe masa të tjera të ngjashme.
Sipërmarrësit fason ankohen se ky protokoll është shumë i vështirë të realizohet, pasi gjatë transportit është e pamundur të sigurohen distancat fizike të nevojshme dhe vetë procesi i punës vështirësohet dhe ulet rendimenti i prodhimit për shkak të këtyre masave.
“Lidhur me Protokollin e Kuq këta marrin vendime por pa ditur natyrën e punës në fasoneri,” shprehet Renaldo Bregu, përfaqësues i një kompanie fasone nga zona e Krujës.
“Protokolli i Kuq ul rendimentin dhe rrit kostot, duke e kthyer nga fabrikë në punim artizanal,” shtoi ai.
Të dhënat e mbledhura në BIRN tregojnë se një fabrikë këpucësh në zonën e Krujës, u kthye në epiqendrën e shpërthimit epidemiologjik të COVID-19 një muaj më parë, dukë infektuar dhjetëra punëtorë dhe persona që kishin pasur kontakt me ato.
“Për mua fasoneritë janë një vatër shumë e rrezikshme dhe duheshin mbyllur ashtu si në Itali,” shprehet Bardhyl Murati, administrator i një ndërmarrje fasone me 170 punëtorë në lagjen Shkozet të Durrësit.
“Qeveria t’i mbyllte dhe t’i paguante punëtorët sepse ne si biznes nuk po i kërkojmë gjë,” shtoi ai duke treguar se e ka adresuar këtë kërkesë edhe tek lideri i opozitës.
Sipas një letre të siguruar nga BIRN, 22 ditë përpara shpërthimit të epidemisë në fabrikën e këpucëve në Krujë, 13 sipërmarrje fasone nga ky rajon ngritën alarmin pranë qeverisë për rrezikun e kthimit në vatër të përhapjes së infeksionit.
“Ne kemi qenë nga të parët që i kemi dërguar qeverisë kërkesë që të merrte pozicion për punonjësit fason sepse qeveria nuk po mbante qëndrim me qëllim që të na e ngarkonte ne barrën e punëtorëve,” tha Renaldo Bregu.
“Ne kemi reaguar 4 herë me shkresa dhe qeveria nuk na kthen asnjë lloj përgjigje,” shtoi ai.
Paga e luftës
Për të lehtësuar pasojat ekonomike që sollën masat shtrënguese të distancimit social për shumë biznese dhe punonjësit e tyre, në muajin prill qeveria shqiptare miratojë një seri paketash ndihme.
Paketa përfshinte një pagë minimale për punëtorët e bizneseve të mbyllura me urdhër nga qeveria, paketa e dytë një pagesë prej 40 mijë lekësh për punëtorët e pushuar nga puna.
Shumë punonjës të bizneseve fasone nuk janë paguar gjatë periudhës që aktiviteti fabrikave është pezulluar dhe gjithashtu nuk kanë marrë ndihmë nga paketat miratuara nga qeveria.
“Shqetësimi jonë është që vetëm të marrim pagën sepse jemi fundosur keq e më keq. Na thojnë se nuk e përfitojmë pagën”, tregon Eleonora, punonjëse një kompanie fason në Durrës. “Ekonomistja na thotë se kam aplikuar por nuk ja pranojnë”, shton ajo.
Ndërkohë, sipërmarrësit shprehen se përtej ndihmës shtetërore ato nuk i paguajnë punëtorët për ditët kur puna është e pezulluar.
“Ne funksionojmë me parimin ‘kush punon merr lekë’, për ditët që kemi punë ne paguajmë sigurimet dhe i japim ditën e punës punëtorit, por nuk japim lekë duke ndenjur në shtëpi”, shprehet Muharrem Hoçja, administrator i një fasonerie në Krujë.
Qeveria shqiptare i ofroi biznesit të madh gjithashtu mundësinë e marrjes së një kredie për të paguar deri në 3 muaj pagën e punonjësve, duke pasur një normë të ulët interesi dhe shtetin si garant i kredisë tek bankat, por zgjidhja duket se nuk i jep garanci fasonëve.
“Unë kam marrë kredi 1 milion euro dhe kam bërë investim,” shprehet Muharrem Hoçja.
“Fasonistët sidomos të Krujës nuk kanë takat me marr kredi e me pagujt lekë, ne jemi pro punëtorit por nuk mundemi të marrim kredi”, shtoi ai.
Oferta e qeverisë për të paguar rrogat nëpërmjet kredisë me garanci sovrane hidhet poshtë edhe nga Bardhyl Murati.
“Qeveria thotë të shkojë të marri biznesi i madh kredi sovrane, por asnjë biznes në Durrës nuk ka shkuar,” tha ai. “Ne nuk kemi leverdi të lejmë biznesin kolateral për të paguar pagat”, shtoi Murataj për nismën e qeverisë që i del garant bankës deri në 60% të çdo huaje.
Punonjësit në vështirësi
Industria fasone llogaritej të kishte rreth 68 mijë punonjës në vitin 2019, duke e bërë këtë sektor një nga punëdhënësit më të mëdhenj të ekonomisë shqiptare. Por kriza ekonomike globale si rrjedhojë e COVID-19 dhe vështirësia e të operuarit këtë biznes në kushtet e pandemisë e kanë vënë atë në vështirësi.
Sipas Konfederatës së Industrive të Shqipërisë menaxhimi i krizës së COVID-19 nga qeveria ka sjellë kosto të shumëfishta për industrinë.
“Të paktën 350 milionë dollarë përllogariten të jenë dëme të shkaktuara drejtpërdrejtë nga keqmenaxhimi i krizës”, tha sindikata në një deklaratë për shtyp.
Për shkak të rrezikut të infektimit nga epidemia, një pjesë e punonjësve nuk janë paraqitur në punë në muajin mars, ndërsa sipas aktivistëve të shoqërisë civile shumë të tjerë janë larguar ose pezulluar nga punëdhënësit.
“Në kushtet kur mungojnë punonjës në masën 30%, e sidomos kur një pjesë e tyre është staf teknik i specializuar në procese shumë të rëndësishme të prodhimit, procesi teknologjik vihet në pikëpyetje të madhe,” ankohen sipërmarrjet fasone të Krujës, në një letër dërguar qeverisë ku kërkojnë mbështetje për industrinë e tyre.
Në disa fasoneri në qytetin e Durrësit punonjësit që nuk janë paraqitur në punë janë ndëshkuar.
“Për ata që nuk pranuan të shkonin në muajin mars në punë, i larguan pa vullnetin e tyre”, shpjegon Shyqyri Myrtollari, përfaqësues i Forumit për të Drejtat në Punë.
Sipas Alfred Bushit, aktivist i Organizatës Politike mënyra se si shumë punëtorë janë larguar nga puna, i ka mohuar atyre të drejtën për të përfituar nga paketat në ndihmë të të papunëve si pasojë e COVID-19.
“Shumica kanë problemin se janë hequr nga puna përpara ose pas datës që përcakton vendimi i qeverisë dhe nuk i plotësojnë dot kushtet për të përfituar ‘pagën e luftës’”, tha Bushi.
Deklarimi i arsyes së largimit nga puna i ka përjashtuar punonjësit edhe nga “pagesa e papunësisë”, që jepet çdo muaj nga Zyra e Punës.
“Por edhe në këtë rast nuk arrijnë dot të përfitojnë sepse tek libreza e punës kompania e ka deklaruar sikur e kanë lënë punonjësit punën dhe jo se i ka larguar ajo”, shtoi Bushi.
Mungesa e ndihmës nga qeveria i ka vënë në vështirësi shumë punëtorë të industrisë fasone.
“Unë kam ndenjur 1 muaj në shtëpi, pa të drejtë page,” tha Eleonora. “Babi vuan nga diabeti, merr vetëm një pension 13 mijë lekë, kam pagesa tek banka dhe nuk e di tani si t’i jap drejtim,” shtoi 23-vjeçarja nga Durrësi.
Edhe në kompanitë ku puna ka rifilluar, punëtorët shprehen se ditët e punës që nuk ju paguan gjatë periudhës së epidemisë i kanë shkaktuar andralla ekonomike dhe se rreziku i infeksionit në fabrikë është gjithmonë prezent.
“Po pleqtë që duan ilaçe, po qiraja e shtëpisë, si e kuptojmë ne pronarin dhe shtetin, duhet të na kuptojnë edhe ata ne, se vetëm me këtë të ardhur mbahemi,” tha Alberti, punonjësi i fasonerisë në Durrës.
“Tani ne po punojmë me kapacitet të plotë, por kur nuk ke zgjidhje e nuk ke të ardhura të tjera je i detyruar që të rrezikosh edhe jetën tënde për të punuar,” përfundoi ai.