Reportazh7 Apr 2017

Rojet e vezëve të pelikanit kaçurrel

Një prej rojeve të Lagunës së Karavastasë tregon se si po ruajnë foletë e pelikanit të rrallë me shpresë që shpendi në rrëzik zhdukje të mund të mbijetojë. Zona rreth ishullit ruhet me roje për të mos trembur çiftet e zogjve që ngrohin vezët.

Autor: Arben Velo BIRN Karavasta
Printo

Shkelqim Malko duke lundruar drejt Ishullit të Pelikanit. Foto: Arben Velo/BIRN

Shkelqim Malko duke lundruar drejt Ishullit të Pelikanit. Foto: Arben Velo/BIRN

Prej javësh pelikanët kaçurrelë po ngrohin vezët për të ripërtërirë llojin e tyre të rrallë, në ishullin fole mes ujërave të Lagunës së Karavastasë. Janë me vonesë në këtë sezon për shkak të dimrit të egër dhe ngricës që pushtoi lagunën. “Për dhjetë ditë aty mbretëroi akulli”, na thotë Shkëlqim Malko. Prej vitit 2015 Malko dhe tre burra të tjerë bëjnë shërbim roje 24 orë në këtë pjesë të lagunës për të mbrojtur pelikanin që shkoi deri në prag të zhdukjes, por që sipas punonjësve të parkut i ka dyfishuar numrat në dy vitet e fundit. Pas vitesh gjuetie të pakontrolluar, laguna është bërë me roje që tani thonë se kujdesen edhe për qetësinë e shpendëve të rrallë. “Çdo zhurmë afër ishullit, largon pelikanët nga vezët e tyre.7 minuta është koha kur veza mund të qëndroj në rrezet e diellit dhe nëse pelikani nuk kthehet sërish në fole, brenda kësaj kohe embrioni  ngordh.Veza kthehet llukë”, thotë Malko.

Kjo është puna e tij kryesore në këtë pjesë të sezonit. Prej kullës së vrojtimit nga ku me dylbi mban nën kontrol ishullin e pelikanëve dhe një platformë artificiale, si ishull i dytë, të ngritur afër tij për të shtuar numrin e foleve, ai vëzhgon për varka peshkatarësh apo turistësh.

Kulla është ngritur në afërsi të kanalit verior të lagunës, kanali kryesor ndërlidhës ujor mes saj dhe detit Adriatik.Ndërsa në këmbë të saj është varka që ankorohet aty përherë për t’i mundësuar rojes ndërhyrjen nëse do duhet. Varka është e pajisur me motor dhe për çdo rast tjetër brenda saj ndodhet edhe“palluqja”, një shkop i gjatë me dhëmbë në fund që përdoret të lëvizv varkën në cekëtinë dhe pa bërë zhurmë.

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Ndërsa ne bisedonim Malko shqoi një varkë peshkimi. Në pak minuta ai ishte vetë në varkë në drejtim të vendit prej nga u pa mjeti lundrues.  “Pelikani kërkon qetësi. Ne specialistët jemi rojë për 24 orë. Këtë kohë ruajmë edhe vezët e tij”, thotë Shkëlqimi. Roja drejton varkën për nga ishulli.Për ruajtësit, të mbrosh një vezë pelikani,  sidomos tani në çelje është shumë e rëndësishme.

Në vitin 2002,  si pasoj e ndërhyrjes së njerëzve kryesisht peshkatarë në lagunë, numri i çifteve të pelikanëve u ul në 17 siç na shpjegon drejtori i parkut Artan Koçi.Kjo rrezikoi deri me zhdukje pelikanin. Ndërkohë sipas tij në tre vjet falë ndihmës edhe të një fondacioni zviceran, u punua fort dhe u ngrit edhe njëshërbim roje me kulla vrojtimi, për të mbrojtur shpendin e rrallë.

Shkëlqim Malko i mban mend dëmtimet e vjedhjet e vezëve nga persona të paidentifikuar.Ata ndërhynin deri në foletë e pelikanëve dhe rrëmbenin vezët që i përdornin kryesisht si suvenir.“Ne ruajmë ditë e natë lagunën dhe sidomos ishullin.Kjo pasifoletë mund të dëmtohen dhe vezët e pelikanit merren edhe si hajmali.Edhe më parë i kanë dëmtuar, i vendosnin si relike zbukurimi, i shisnin si souvenir”, rrëfen ai.

Varka e tij nxiton drejt vendit ku u pa varka e peshkimit. Të ngulura në cekëtinë apo mbi ujë duken shënjat e vendosura për ndalimin e kalimit të varkave të peshkimit aty. Për fat varka që ishte shfaqur më parë është larguar në një drejtim tjetër. Shkëqimi e ndjek edhe pak me dylbi dhe na thotë se ishin peshkatarë të zonës që gjuajnë. “Peshkimi është i ndaluar (këto kohë) për shkak të dëmtimit nga ngrica, por ata vazhdojnë ende”, thotë ai me një farë keqardhjeje. Afër ishullit

Shkëlqimi përdor palluqen për të lëvizur.Uji është cekëtinë rreth 40 cm. Komunikimi tani bëhet me zë të ulët.“Ka filluar çelja e zogjve. Po të shikosh me dylbi do të dallosh pelikanët ulur sipër foleve.Njëri pelikan i çiftit qëndron aty.Tjetri fluturon dhe sjell ushqim. Asnjëherë foleja nuk rri bosh.Të vegjëlit e sapodalë nga veza, nuk dallohen lehtë. Deri një  javësh nuk kanë as pupla,” pëshpërit ai  duke bërë me dorën nga ishulli dhe platforma artificiale.

“Është ishulli i ri i krijuar nga specialistët e parkut. E ndërtuam dhe e vendosëm përbri ishullit ekzistues,  meqënëse numri i pelikanëve është shtuar fatmirësisht. Por i ruhemi syrit të keq dhe nuk e tregojmë se çfarë kemi bërë”,qesh Malko.

Drejtori Koçi thotë se platforma e re përbri, është një ishull artificial i cili u ndërtua duke u nisur edhe nga përvoja e vendeve fqinjë sidomos në pjesën e Malit të Zi, në liqenin e Shkodrës.

“E ndërtuam dhe vendosëm bar kripth duke e transportuar atë me varka. Një pjesë të kripthit e çuam në ishullin ekzistues duke e ngritur atë rreth 30 cm më shumë për të eleminuar ujin që ngre laguan nga batica. Një pjesë e zhvendosëm në platformë. Por pelikani është më i mençur e merr kripthin dhe e vendos vetë në foletë ekzituese”, thotë ai.

Drejtori i Parkut Artan Koçi thotë se zona ishte me fat që nuk kishte guida turistike për këtë kohë. “Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte lëvizje turistësh me varka këtu. Katastrofë do të ishte” thotë ai. Gjithçka lidhet  vetëm me pelikanin.Sipas drejtorit, në vitin 2014 pelikanët me ndihmën edhe të rojeve dhe specialistëve të parkut, arritën të ndërtojnë 37 fole duke nxjerrë 21 zogj,  me një mesatare 0.54 zogj për fole. Në vitin 2015 çiftet riprodhues shkuan në 46 dhe vezët e ruajtura dhanë 48 zogj,  me një koeficient 1.2 zog për fole. “Në vitin 2016 pelikanët ndërtuan 52 fole  gjithësej në  ishullin e tyre.  Dhe dhanë 57 zogj. Presim më shumë për këtë sezon”, pohon Koçi.Tashmë janë edhe 100 vezë në pritje të daljes së zogjve të rinj. Ndërsa në riprodhim janë 110 pelikanë.

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Shkelqim Malko duke lundruar drejt Ishullit të Pelikanit. Foto: Arben Velo/BIRN

Shkelqim Malko duke lundruar drejt Ishullit të Pelikanit. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Rojet në ishullin e Pelikanit në Karavasta. Foto: Arben Velo/BIRN

Pelikanët. Foto korzezi: Ardian Fezollari

Pelikanët. Foto korzezi: Ardian Fezollari