Gjykata e Apelit për Krime të Rënda konfirmoi dënimet për 11 të pandehur të akuzuar për sulmin ndaj policisë në fshatin Lazarat në vitin 2015-të, ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s Ibrahim Basha.
Salla nr.1 e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, ishte e tejmbushur ditën e martë me familjarët e të 11 pandehurve të akuzuar për sulmin ndaj policisë në qershor 2015-ës, ku gjatë një operacioni antidrogë mbeti i vrarë oficeri i forcave RENEA Ibrahim Basha dhe u plagosën dy efektivë të tjerë.
Seanca e planifikuar në orën 12:00, ka filluar me vonesë në orën 13:00 – kohë gjatë së cilës gazetarët e pranishëm në sallën e gjyqit janë ofenduar nga familjarët e të pandehurve.
Kur më në fund trupa gjykuese mbërriti në sallë, kryesuesi i treshes Idriz Mulkurti shpalli vendimin për lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë për 9 prej të pandehurve e lehtësimin e dënimit për 2 prej tyre dhe u largua me shpejtësi bashkë me kolegët e tij.
Në total Mulkurti shpalli dy vendime të përjetshme dhe 147 vite burgim. Gjykata e Apelit për Krime të rënda vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me burgim të përjetshëm të Albion Alikos dhe Bajram Boçit, të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha dhe tentativën e ekzekutimit të pesë të tjerëve, dy prej të cilëve mbetën të plagosur. Edhe për të akuzuarin tjetër për pjesëmarrje në sulmin me armë zjarri ndaj efektivëve të policisë, Elvis Boçi, ka mbetur në fuqi vendimi me 35 vite burgim.
Për Alban Alikon dhe Elson Kasman, të dy të akuzuar për pjesëmarrje në tentativën e vrasjes së efektivëve të policisë dhe vrasjen e Bashës, gjykata ka vendosur të ndryshojë vendimet, nga 20 vite për të parin në 17.6 vite heqje lirie dhe nga 18 vite për Kasman, po me në 17.6 vite burgim.
Ndërkohë, për të akuzuarit e tjerë për “kundërshtim të punonjësve të rendit publik”, “mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” dhe “grupi i strukturuar kriminal” kanë qëndruar të njëjtat dënime. Konkretisht, i pandehuri Xhulio Malo me 10 vjet burgim, Klodian Selimi me 13 vjet burgim, Oltian Proko me 9 vjet burgim, Dervish Gaba me 15 vjet burgim, Ruhan Hiraj me 15 vjet burgim dhe Iliaz Xhaferraj me 15 vjet heqje lirie.
Pas shpalljes së vendimit nga trupi gjykues, të pandehurit kanë tentuar të shkatërrojnë kafazin dhe mikrofonin duke qëlluar me grushte dhe shkelma. Po ashtu, familjarët e tyre të pranishëm në sallën e gjyqit kanë nisur të ofendojnë dhe mallkojnë gjyqtarët, duke bërtitur “ju vdekshin fëmijët”. Gjithashtu, ata kanë hedhur disa karrige në drejtim të gjyqtarëve dhe të gazetarëve që gjendeshin në sallë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Pas qetësimit të situatës dhe largimit të familjarëve të të dënuarve nga ambientet e gjykatës, avokati i një prej të pandehurve, Bashkim Nikolla, ka reaguar lidhur me vendimin e gjykatës dhe dhunën e ushtruar. Ai e konsideroi dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve dhe gjyqtarëve si një “moment të vështirë psikologjik” për familjarët e të dënuarve, ndërsa e cilësoi vendimin e gjykatës si të padrejtë, pasi sipas tij, nuk janë kryer hetime e se vrasësi mund të jetë i lirë.