Lajm1 Jan 2020

Shqipëria dëbon mësuesin turk pjesë e lëvizjes Gulen

Policia e Shtetit deklaroi se "ka dëbuar" Harun Çelik, 42 vjeç, me profesion mësues, i cili u arrestua pesë muaj më parë në tentativë për të ikur në Kanada. Zyra e kryeministrit deklaroi se kjo është një "çështje e policisë" pa lidhje me kryeministrin.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Foto e kopjes së pasaportës së Hasan Çelik, publikuar në Twitter

Shqipëria urdhëroi dëbimin për herë të parë të një anëtari të lëvizjes Gulen në Turqinë e Erdoganit mbrëmjen e së Mërkurës më 1 janar 2020, duke ngritur shqetësime për dhunim të të drejtave themelore të njeriut.

Rrjetet sociale shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës duke dhënë lajmin për dërgimin e Harun Çelik* drejt aeroportit të Rinasit ndërsa një orë më vonë, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentjan Mullai i konfirmoi BIRN se personi në fjalë “është dëbuar nga vendi”.

“Personi ka qenë në burg pasi është kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false. Në zbatim të ligjit “për të Huajt” do [të] dëbohet,” tha Mullai.

Zyra e Kryeministrit Edi Rama tha e pyetur nga BIRN se “dënimi është një çështje procedurash ligjore që nuk ka lidhje me kryeministrin”.

Shqipëria i bashkohet në këtë mënyrë një numri të vogël shtetesh që i binden kërkesës së presidentit të Turqisë Recep Taip Erdogan për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale Gulen, të cilën ai e akuzon si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.

Në shkurt 2015, Kosova dëboi pesë shtetas të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE dhe SHBA për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut. Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin.

Partia Demokratike në opozitë kërkoi “transparencë të menjëhershme” për ngjarjen duke ngritur pikëpyetjen nëse një veprim i tillë është ajo jo në përputhje me ligjet, konventat ndërkombëtare apo të drejtat e njeriut**.

“Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës,” deklaroi PD.

Eurodeputetja Ramona Strugariu reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.

Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”

*Një version i mëparshëm i këtij shkrimi raportoi gabimisht emrin e të dëbuarit si Hasan kur emri i saktë është Harun. Kërkojmë ndjesë për gabimin.

** Ky lajm u përditësua pas publikimit fillestar për të përfshirë reagimet nga Partia Demokratike dhe eurodeputetja Ramona Strugariu.