Skeda18 Mar 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar-Pashk Gjaci-kryetar i Gjykatës së Përmetit

Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2010 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivleresimit për Gjacin përbëhet nga Olsi Komici, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari.

Pashk Gjaci ka ushtruar profesionin e avokatit përgjatë viteve 2000-2010. Në nëntor të vitit 2010 ai u emërua kryetar i Gjykatës së Përmetit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Pashk Gjaci nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga kryetari i Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci për vitet 2010-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Pashk Gjaci zotëronte pasuri me vlerë 20 milionë lekë në vitin 2010, kur plotësoi deklaratën “Para fillimit të Detyrës”. Ai ishte pronar i dy ndërtesave të privatizuara në vitin 1995 në Fan Mirditë me sipërfaqe respektive 21 m2 dhe 300 m2, një apartamenti në Laç, dy sipërfaqeve toke në Laç dhe në Velipojë si dhe zotëronte 33% të një shtëpie 3-katëshe të ndërtuar nga prindërit dhe vëllai emigrant në vitin 2007 në qytetin e Laçit.

Ai deklaronte gjithashtu pronësinë në dy automjete, kursime në cash prej 3 milionë lekësh si dhe letra me vlerë të dhuruara nga nëna.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Gjaci kap vlerën e 29.1 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme janë rritur nga 15.7 milionë që ishin në 2010-n në 24.5 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu kursime në cash në vlerën e 3 milionë lekëve si dhe automjete me vlerë 1.3 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën 2010-2017 janë 12.2 milionë lekë. Paga nga funksioni i gjyqtarit dhe paga e bashkëshortes përbëjnë 91% të pasurisë. Ndërsa fitimet nga shit-blerja e pasurive të patundshme kapin 8.5% të të ardhurave totale.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik rezulton se 8 deklaratat e analizuara rezultojnë pa diferenca negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Megjithatë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” të ardhurat e deklaruara me burim avokatinë në vlerën e 16 milionë lekëve, për të cilat nuk ka të dhëna mbi pagesën e detyrimeve tatimore.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë është transaksioni i kryer me një shtëpi banimi 3-katëshe të ndërtuar në Laç në vitin 2007 dhe të deklaruar në vlerën e 11.5 milionë lekëve. Në deklaratën e parë, gjyqtari Gjaci zotëronte 33% të kësaj shtëpie me  burim të deklaruar kontributin e prindërve dhe punën e vëllait si emigrant në Itali.

Në vitin 2011, kryetari i bashkisë së Përmetit bëhet pronar 100% i kësaj shtëpie, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me babanë dhe vëllanë. Në këmbim, ai u jep të afërmve 1600 metra tokë nga një parcelë në Velipojë, të cilën e kishte blerë për 1.4 milionë lekë në vitin 2010.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al