Ka një dallim mes sundimit të ligjit dhe sundimit përmes ligjit, thotë Chris Patten. Kjo e dyta është kur sundimtarët bëjnë ligje për interes të vet.
Në një nga esetë e tij të fundit, historiani i madh Tony Judt pyeti se çfarë duhej të kishim mësuar nga shekulli i fundit, një periudhë në të cilën kaq shumë ushtarë dhe civilë vdiqën në konflikt. Një pjesë e rëndësishme e përgjigjes, sipas mendimit tim, është rëndësia thelbësore e sundimit të ligjit, qoftë brenda vendit qoftë në arenën ndërkombëtare.
Duhet të jemi të qartë, ka shumë gjëra të tjera që janë thelbësore për jetë të mirë në shoqëri të hapura dhe paqësore: liria e fjalës, e besimit, e organizimit dhe fuqia për të zgjedhur – dhe shkarkuar – qeverinë tuaj. Por asgjë nuk garanton liritë e shoqërive të lira aq shumë se sa aplikimi i sundimit të ligjit me forcë të barabartë ndaj të qeverisurve dhe qeverisësve.
Kur unë isha një ministër i qeverisë së Britanisë dhe kryetar i Partisë Konservatore, unë pata një këshilltar ligjor i cili kishte nofkën Z. Ndoshta. Kur unë u akuzova për disa shkelje të ligjit administrativ apo për përdorim të tepruar të fuqive të mija ligjore, ai nuk qe në gjendje të më thoshte se si do të vendosnin gjykatat mbi këtë çështje. “A do ta fitojmë këtë çështje?” pyesja unë z. Ndoshta. Përgjigjja e tij qe gjithmonë e kushtëzuar. “Ju duhet të fitoni,” tha ai në një rast. “Por nuk mund t’ju premtoj se do të fitoni.”
Qeveritë autoritare duket se e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë koncept. Unë mbaj mend negociatat me homologun tim kinez kur unë isha Guvernator i Hong Kongut. Unë po përpiqesha t;i shpjegoja se pse sundimi i ligjit kishte kaq shumë rëndësi për të ardhmen e këtij territori dhe unë vërejtja se kur isha në qeverinë e Britanisë, ligji zbatohej mbi mua po aq sa mbi ata për të cilët unë ndihmoja të qeveriseshin.
Bashkëbiseduesi im mendoi se po bëja shaka. Në praktikën kineze kjo është sundim përmes ligjit – ligjit të hartuar nga Partia Komuniste për interes të vet.
Mendoni pak për fushatën aktuale anti-korrupsion të Kinës për shembull. Ajo hapur po përdoret nga Presidenti Xi Jinping dhe aleati i tij në Byronë Politike Ëang Qishan, si një mjet për të goditur jo vetëm të korruptuarit, por edhe ata që nuk janë pjesë e fraksionit të Xi në principatën e kuqe. Në duart e Xi, ligji është një instrument për sigurimin e objektivave të tij politikë.
Në mënyrë të ngjashme, në Rusi, presidenti Vladimir Putin sundon një aparat shtetëror të krijuar dhe drejtuar nga elementë të shërbimeve të vjetra sekrete të vendit si dhe të mafias së re. Ligji përdoret për të shpërblyer miqtë e regjimit dhe për të penalizuar kritikët, të tillë si biznesmeni Mikhail Khodorkovsky dhe aktivisti Alexei Navalny.
Për shkak se as Rusia dhe as Kina nuk ushtrojnë sundimin e ligjit në shtëpi, nuk është surprizë që ata nuk e njohin vlerën e saj në çështjet ndërkombëtare. Për më tepër, Putini ka shkelur një nga parimet më themelore të ligjit ndërkombëtar: kufijtë kombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Në të vërtetë, kjo është bërë tipar i zakonshëm i politikës së jashtme të Rusisë, e cila karakterizohet nga mashtrimi, frikësimi, dhuna dhe dëshira për të rikrijuar perandorinë që u shpërbë pas rënies së komunizmit.
Kohë përpara aneksimit të armatosur të Krimesë nga Rusia dhe sulmit të saj në Ukrainën lindore, Kremlini luajti lojëra të ngjashme kur organizoi ndarjen e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë nga Rusia dhe mbështeti territorin banditesk të Transnistrias në Moldavi. Dhe, duke parë mungesë të tillë të hapur respekti për rendin ndërkombëtar, nuk është suprizë që agjentët e Putinit janë përfshirë në vrasjen e së paku një kundështari të tij në rrugët e Londrës.
Të bazuara ngë Konventat e Gjenevës mbi ligjet e luftës dhe marrëveshje të ngjashme të detyrueshme, rregullat botërore u institucionalizuan fillimisht me themelimin e Kombeve të Bashkuara. Por, mbi të gjitha, kuadri ndërkombëtar për menaxhimin e punëve botërore qe krijim i Shteteve të Bashkuara.
Ajo që qe mbresëlënëse mbi këtë kuadër është që autori kryesor i tij, superfuqia më e madhe e kohës, pranoi autoritetin e këtij kuadri, Siç e tha Presidenti i SHBA-ve Harry Truman në mënyrë mbresëlënëse, “Ne të gjithë duhet të pranojmë – nuk ka rëndësi se sa fuqi kemi – që ne duhet t’i mohojmë vetes lejen për të bërë gjithmonë çfarë na pëlqen.”
Në kohët kur sistemi ndërkombëtar është vendosur nën sulm, vetëm Amerika ka qëndrimin për të dhënë besueshmëri të ringjallur ndaj sundimit të ligjit. Për fat të keq, nuk ndodh kështu. Gjatë administratës së Presidentit George Ë. Bush, SHBA-të qenë me dashje shkatërruese të interesit të vet botëror kur nuk respektoi ligjin ndërkombëtar në çështje të tilla si tortura. Ata politikanë të SHBA-ve që i shohin institucionet ndërkombëtare si komplote anti-Amerikane po vijojnë të bëjnë dëm, duke i kushtuar vendit një pjesë të madhe të autoritetit të vet moral.
Panorama nuk është më e bukur në Europë, ku vendet me dashje kanë lënë pas dore kapacitetet e veta ushtarake gjë që ka dobësuar aftësinë e tyre për të detyruar respektimin e sundimit të ligjit në rastet kur mekanizmat ndërkombëtare janë shkatërruar. Këshilli i Sigurisë së OKB-së, ndërkohë, është bërë i paefekshëm, i penguar nga interesat e fuqive të mëdha të Kinës dhe Rusisë. Kështu ky institucion nuk bën asgjë, edhe në rastin kur kufijtë e Europës janë sfiduar, qytetarët e Ukrainës po bombardohen në shtëpitë e tyre nga trupat ruse dhe një ushtri e dhunshme banditeske shkatërron Lindjen e Mesme, nga bregdeti i Libisë në kufijtë e Iranit.
Pas masakrave në Ruanda dhe në Bosnjë në vitet 1990, udhëheqësit e botës edhe një herë deklaruan eme solemnitet: “nuk do të ndodhë më.” Sot, sirianët, irakenët dhe tashmë edhe qytetarët e Egjiptit duhet të vrasin mendjen se çfarë ndodhi me atë premtim.
Shkurt, sfidat në rritje dhe të përgjakshme të shekullit të njëzet e një duhet të kontronthen nga OKB-ja që nuk ka dhëmbë, SHBA-ja që është dobësuar moralisht dhe Europa që është në rrugën e çarmatosjes. Nëse kjo prespektivë ju shqetëson, keni të drejtë. Në mungesë të zemrës së fortë nga udhëheqësit tanë politikë, fuqia e lutjes mund të jetë gjithçka që na mbetet.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. The Rule of the Lawless