Prezantimi i reduktimit të tarifës në 100 lekë për kalim në aksin Milot-Morinë për banorët e Kukësit nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit vendorë dhe organizatorët e protestës së 31 marsit, të cilët ankohen se u mbajtën larg negociatave dhe e quajnë fyese gjuhën e përdorur nga ministrat se “kostot prej 48.5 milionë eurosh tani do t’i paguajnë qytetarët e tjerë”.
Përfaqësues të Këshillit Bashkiak të Kukësit dhe drejtues të shoqatës “Biznesi Për Biznesin”, njëkohësisht organizatorë të protestës së 31 marsit dhe kundërshtues të kalimit me pagesë në atë që njihet si “Rruga e Kombit” thanë se nuk morën pjesë në takimin e organizuar nga ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj të premten për prezantimin e tarifave të reja të rrugës.
Në biseda të veçanta, ata i thanë BIRN se kishin marrë telefonata mbrëmjen e të enjtes, por nuk kishin marrë pjesë pasi “po ftoheshin për një fakt të kryer, ndërsa ata kishin kërkuar të negocionin”.
Lavdrim Shehu, këshilltar i pavarur në Këshillin Bashkiak të Kukësit e quajti fyese deklaratën e ministrit Ahmetaj se “tarifa e ulur për qytetarët e Kukësit do të paguhej tani nga pjesa tjetër e vendit”.
“Do të njiheshim me këtë modelin e ri, që u ul (tarifa) këtu dhe i faturohet Kukësit dëmi ose kostot finaciare prej 50 milionë eurosh. Se ku i marrin, se si i nxjerrin (50 milionë eurot) që gjoja na është lehtësuar ne dhe i mban përsipër qeveria, dhe i mbajnë përsipër shqiptarët, nuk e di ku i kanë gjet,” tha Shehu për BIRN.
“Po na venë njollë në shpinë, sikur ne po u bëhemi barrë shqiptarëve,” shtoi këshilltari bashkiak.
Tarifat e reja
Të premten, ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj në një takim me disa zyrtarë lokalë të Kukësit prezantuan tarifat e reja për banorët e zonës dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës Milot-Morinë, e dhënë me koncesion nga qeveria shqiptare për 30 vitet e ardhshme.
Sipas prezantimit të dy ministrave, tarifat e reja parashikojnë ulje nga 5 euro në 100 lekë për makinat e regjistruara në qarkun e Kukësit për një total prej 44 kalimesh në muaj, ndërkohë po ashtu janë ulur pagesat nga 10 deri në 40 për qind për përdoruesit e shpeshtë.
Kjo diferencë i është ngarkuar, sipas Ministrit të Financave buxhetit të shtetit me një shtesë prej 48.5 milionë euro për të gjitha vitet e koncesionit. “Kryeministri ka vendosur që buxheti i shtetit të marrë këtë kosto rreth 50 milion euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme,” tha Ministri i Financave, Arben Ahmetaj gjatë takimit.
Lajmi për këto tarifa rrodhi në media disa ditë më parë, por kryetari i Këshillit Bashkiak të Kukësit, Gjelbrim Shehu i tha BIRN se ata si këshill dhe si organizues të protestës së marsit nuk kishin pasur asnjë informacion për negociatat edhe pse një shkresë nga kryeministria në maj u kërkonte dy ministrive përgjegjëse që të organizojnë takime sqaruese me komunitetin. Kreu i këshillit i tha BIRN po ashtu se nuk mund të komentonte për shifrat e publikuara në media, ndërsa ata nuk kishin asgjë informacion zyrtar dhe as nuk ishin ftuar në negociata.
Gjelbrim Shehu konfirmoi dje versionin e kolegut në këshill për mbledhjen e organizuar të premten.
“Më ka thirrë mbrëmë për sot me qenë në Tiranë në orën 9 të mëngjesit,” tha Shehu, kryetar i Këshillit Bashkiak dhe po ashtu drejtues i komisionit organizues të protestës. “Nuk e kam bojkotuar, por s’kam vajt se s’ka asgjë zyrtare për mua, pastaj këto gjërat me prapaskena nuk më interesojnë,” shtoi ai.
Ai refuzoi sërish të komentonte propozimin, duke thënë se ai nuk ishte diskutuar me ta (komisionin që përfaqësonte protestuesit) dhe shtoi se ishin ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare për një peticion dërguar kryeministrit që kërkonte heqjen e tarifës.
BIRN mësoi po ashtu se në takimin e thirrur mbrëmjen e të enjtes, nuk kishin qenë as kryetari i Bashkisë dhe as zyrtarë të tjerë të këtij institucioni.
Autostrada e pagëzuar “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej një dekadë më parë dhe ka kushtuar mbi 1 miliardë euro, ndonëse ende nuk ka përfunduar në mjaft pjesë të saj. Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet.
Ndërkohë, koncesioni për mirëmbajtjen e saj u dha po ashtu pas një sërë debatesh e akuzash në vitin 2016 konsorciumit të kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha. Kompania e krijuar për këtë qëllim, Albanian Highëay Concession kontrollohet sot 50 për qind nga “Kastrati Group” dhe 50 për qind nga kompania “Salillari”.
Koncesionari filloi në pranverë të këtij viti mbledhjen e tarifës 5 euro për kalim në rrugë me makina normale, ndërsa makinat e tonazhit të rëndë tarifoheshin deri në 22 euro, gjë që shkaktoi pakënaqësi kryesisht në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth. Një protestë e thirrur nga këshilltarët e Bashkisë Kukës, që kërkonte heqjen e tarifës duke e cilësuar atë abuzive u bë e dhunshme ndërsa protestuesit sulmuan me gurë dhe më pas i vunë zjarrin godinave të ngritura për mbledhjen e parave. 25 qytetarë u arrestuan dhe u dënuan pas protestës me akuza të shkatërrimit të pronës e kundërshtimit të policisë.
Por zemërimi i tyre e detyroi kryeministrin Edi Rama të organizonte disa fjalime publike për të sqaruar pse rruga po jepej me koncesion edhe pse ky ishte miratuar prej dy vjetësh. Rama njoftoi po ashtu rinegocim të tarifave për qytetarët e qarkut të Kukësit dhe kërkoi ndjesë që qytetarët nuk ishin sqaruar si duhet.
Negociatat me koncesionarin u zhvilluan megjithatë sërish në mungesë të përfaqësuesve të pushtetit vendor.
I pyetur për tarifat e reja dhe nëse ato ishin të pranueshme, Lavdrim Shehu tha se protesta e tyre nuk ishte bërë për 100 lekëshin.
“Ne kemi qenë kundër parimisht, pasi po faturohemi për mirëmbajtjen e rrugëve në shumë drejtime,” tha ai duke iu referuar taksës që paguhet në karburant. Ai tha se do kishte dashur që prej kësaj proteste të ishte iniciuar një debat kombëtar për mënyrën se si do mirëmbahen rrugët.
“Personalisht më vjen keq. Ishte një mundësi shumë e mirë që diskutimi të ngrihej në nivel kombëtar për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin. Ndoshta të kishte një taksë kombëtare për mirëmbajtjen e rrugëve,” shtoi Shehu.
48.5 milion euro ekstra
Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj thanë se pas negociatës me koncesionarin ishte arritur në dakordësi për të ulur tarifën që paguanin makinat e rregjistruara në qarkun Kukës në 100 lekë me TVSH, duke sqaruar se kjo shumë parablihej dhe vlente për 44 kalime në muaj, praktikisht 22 vajtje ardhje. E njëjta tarifë u parashikua edhe për linjat e transportit publik.
Ata shpjeguan po ashtu se ishin parashikuar lehtësira të shkallëzuara për përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Sipas marrëveshjes, ata që do të kalojnë 20-30 herë në muaj do të kenë një ulje 10 për qind, nga 30 deri në 50 kalime 20 për qind, derinë 60 kalime në 30 për qind dhe mbi këtë numër ulja do ishte 40 për qind. Niveli i tarifave për llojet e automjeteve nuk ndryshoi.
Ministrat e cilësuan skemën si një favor që po i bëhej Kukësit. “Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social, meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshientë për këtë”, tha Gjiknuri gjatë shpjegimeve.
Ndërkohë ministri tjetër Ahmetaj, foli për rëndësinë e rrugës, ndërsa shpjegoi se ndërsa negocimi kishte ulur pagesën e drejtpërdrejtë nga qytetari te koncesionari, ky i fundit do të kompensohej me rreth 48.5 milionë euro për këtë humbje “të pësuar”.
“Të gjitha zbritjet që patë ju për qytetarët e Kukësit, për linjat, për përdoruesit e shpeshtë, shkojnë në 48.5 milionë euro dhe Kryeministri ka vendosur që Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme,” tha Ahmetaj.
Për Sokol Kolgjinin, kryetari i shoqatës “Biznesi për Biznesin”(BpB) me qendër në Kukës, mjaft aktiv këto dy vitet e fundit në kundërshtimin e tarifës, gjuha e përdorur i vendos qytetarët e tjerë përballë atyre të qarkut Kukës.
“Është dashakeqësi. Sikur për hir të kuksianëve do të paguajnë tërë shqiptarët. Në fakt, për hir të korrupsionit që po e bën qeveria shqiptare, në kurriz të tanë shqiptarëve, do paguajnë të gjithë shqiptarët”, tha Koligjini, sipas të cilit nuk duhej të kishte tarifë dhe se dëmin më të madh ajo do ua shkaktonte fermerëve të Myzeqesë që sheshin perimet në Kosovë.
“Rritet kostoja e transportit të perimeve. Shqipëria do të humbë tregun e Kosovës për perimet ku vlera e këtij produkti është e vogël”, tha Kolgjini.
Si këshilltari bashkiak ashtu edhe drejtuesi i shoqatës “BpB” u shprehën të habitur për shumën me të cilën qeveria po kompensonte koncesionarin për uljet e bëra. “Nuk e di nga kanë dalë në këtë llogari”, tha Shehu, duke shprehur dyshim për koston.
Kolgjini ndërkohë i vuri në dispozicion BIRN një përllogaritje të bërë prej shoqatës së tij në vitin 2016, e cila nxirrte se qarku i Kukësit do të humbte vetëm nga pagesa e tarifës 1.4 milion euro në vit. Ndërkohë, qeveria ka llogaritur të kompensojë koncesionarin për rreth 1.6 milion euro në vit.
E ndërsa punonjës të kompanisë koncesionare i thanë BIRN se ata do ishin gati që në mes të korrikut, pasi kanë shtuar edhe pesë korsi, ministri Gjiknuri tha se kishte një dakordësi që tarifa do të mbahej duke filluar nga shtatori.
“Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në shtator, pra edhe kjo verë të kalojë. Edhe duke dëgjuar një çikë edhe bizneset edhe pjesën e Kosovës, nga 17 shtatori të fillojë të aplikohet,” tha ministri Gjiknuri të premten.