Investigim29 Apr 2020

Të uritur dhe të dhunuar: Shqipëria u privon refugjatëve të drejtat minimale

Shqipëria duhet t’u ofrojë refugjatëve kushte minimale të strehimit dhe ushqimit, por dhjetëra azilkërkues nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore e shuajnë urinë duke lypur ushqim në qendër të Tiranës, ndërsa denoncojnë Qendrën në Babrru si një vend ku lulëzojnë bandat.  

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Nassif nga Algjeria (djathtas) u grabit sapo vuri këmbën në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru. Ai denoncon krijimin e bandave në kamp, të cilat i grabisin dhe i dhunojnë sistematikisht. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN

Mesditën e 2 prillit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, dhjetëra qytetarë nxitojnë me qese ushqimesh ndër duar që të mos i kapë orari i ndalim-qarkullimit jashtë, por Kahled*, 27 vjeç  i tërheq këmbët zvarrë mbi pllakat e murrme në një ditë pranverore me diell.

Refugjati nga Palestina është i uritur dhe vëzhgon rreth tij se kujt mund t’i zgjasë dorën për t’i kërkuar lëmoshë.

“Na ndihmo. Jemi pa ngrënë,” thotë ai me drojë dhe një anglishte të çalë. Refugjati me trup të imët nuk ndodhet në qendër të Tiranës për të lypur para; ai është në kërkim të bukës, biskotave apo konservave të peshkut që rezistojnë gjatë.

Kahled është strehuar prej javësh në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në periferi të Tiranës, por ankohet se ushqimi që u serviret aty është i keq, i pamjaftueshëm dhe i lë shumicën e kohës të uritur. Ai përpiqet të tregojë përmes shenjave se racioni ditor i bukës është sa gjysma e pëllëmbës së dorës, ndërsa gjella është e pangrënshme. “No good,” tund kokën ai.

Kahled është vetëm një nga qindra azilkërkuesit e uritur të Shqipërisë – vendit që eksporton nga ana e vet numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë.

Në fillim të prillit në Tiranë, BIRN vëzhgoi dhe intervistoi një duzinë emigrantësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, të cilët ndonëse janë pranuar në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru, detyrohen të lypin çdo ditë ushqim për të mbajtur frymën gjallë.

Disa emigrantë i thanë BIRN se kushtet në Qendër ishin shumë të këqija dhe se situata ishte jashtë kontrollit për shkak të lulëzimit të bandave -të cilat i grabisin dhe i dhunojnë sistematikisht. Të tjerë emigrantë të bllokuar në Shqipëri u ankuan se ishin lënë në mes të katër rrugëve ndonëse kishin kërkuar mbrojtje, pasi Qendra i ka mbyllur dyert për shkak të epidemisë së COVID-19.

Neglizhenca e Shqipërisë ndaj kushteve të refugjatëve të huaj nuk është një fenomen i ri, por problemet janë përshkallëzuar me dhjetëfishimin e numrit të tyre në tre vitet e fundit. Të shqetësuar, aktivistët e të drejtave të njeriut i kujtojnë qeverisë se privimi i refugjatëve nga ushqimi dhe strehimi bie ndesh me konventat ndërkombëtare.

“Mosofrimi i kushteve minimale të strehimit dhe ushqimit përbën shkelje të konventës për refugjatët,” tha Erida Skëndaj, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. “Pavarësisht se i varfër, shteti shqiptar ka detyrim prej konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar, që t’u plotësojë kushtet minimale, qoftë edhe duke u dhënë para xhepi,” shtoi ajo.

Ministria e Brendshme dhe Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit mohuan akuzat për kequshqimin e azilkërkuesve apo për mungesën e kushteve minimale në dispozicion të tyre.

“Strukturat tona në qendër po bëjnë maksimumin duke i shërbyer azilkërkuesve aty nga mëngjesi deri në darkë, jo vetëm me ushqim, por edhe me asistencë mjekësore,” tha zv.ministrja Rovena Voda, e cila mbulon çështjet për refugjatët dhe azilin.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit u bëri bisht pyetjeve që lidhen me kuotën e ulët të ushqimit, që i detyron refugjatët të lypin rrugëve të Tiranës për të mbijetuar. Institucioni pranoi megjithatë se situata në Qendër është agravuar në jo pak raste deri në dhunë fizike, ndërsa shtoi se konfliktet ishin zgjidhur me ndërhyrjen e policisë.

Food, please man!

Ened dhe Nuredin nga Maroku presin vetëm një sinjal për hapjen e kufijve për t’u larguar nga Shqipëria. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Shqipëria është vend tranzit për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, të cilët tentojnë të mbërrijnë në vendet e Bashkimit Europian përmes Ballkanit. Ata vijnë kryesisht nga Greqia, ku kanë qëndruar ndonjëherë me muaj të tërë pasi kanë kaluar Egjeun, dhe vijojnë rrugën drejt Malit të Zi apo Kosovës.

Prej vitit 2018, fluksi i emigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e kthyer vendin në një korridor të rëndësishëm të lëvizjes së emigrantë drejt vendeve të BE-së.

Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Ministrinë e Brendshme i tha BIRN se numri i emigrantëve të parregullt të kapur në kufirin e gjelbër ishte 11 344 në periudhën Janar 2019-Shkurt 2020, i rritur mbi 10 herë krahasuar me vitin 2017.

Edhe numri i azilkërkuesve në Shqipëri pësoi rritje rekord brenda një kohe të shkurtër; nga 309 raste që ishin në vitin 2017, në 4386 raste në 2018-ën. Azilkërkuesit nga Siria zënë vendin e pare, të ndjekur nga irakenët dhe marokenët.

Shumëfishimi i numrit të azilkërkuesve e ka gjetur Shqipërinë të papërgatitur dhe me kapacitete minimale. Përveç Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, vendi ka në dispozicion edhe qendrën e mbyllur në Kareç të Tiranës, por të dyja qendrat nuk mund të strehojnë së bashku më shumë se 400 persona.

Kapacitetet e pamjaftueshme strehuese shoqërohen edhe me keqfinancim nga ana e qeverisë. Shqipëria shpenzon vetëm 330 lekë [2.6 euro] si kuotë ditore për çdo refugjat; vlerë kjo e pandryshuar prej një dekade dhe e pamjaftueshme për të shuar urinë.

Përballë një supermarketi në afërsi të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, një azilkërkues nga Maroku ndjek nga pas klientët që sapo kanë bërë pazarin, ndërsa përsërit ritmikisht lutjen “Food. Please man!”.

Një makinë e patrullës së policisë ndalon pranë tij dhe kërkon ta marrë me vete. I veshur me tuta sportive dhe një bluzë të madhe për trupin e tij, burri rreth të 30-ave përpiqet t’u thotë diçka me shenja, ndërsa përsërit në anglisht fjalën “food” [ushqim]. Punonjësi i policisë e kupton me vonesë dhe e lejon të marrë një qese me bukë dhe brioshë të fshehur prej tij pas një shkurreje aty pranë. Më pas e marrin me vete.

Dy ditë më vonë, i riu nga Maroku është rikthyer sërish në të njëjtin vend. I strehuar në Qendrën për Azilkërkuesit, ai thotë se detyrohet të lypë pasi ushqimi në qendër është i mangët.

Refugjati mban në celular video të mjediseve të brendshme të qendrës. Në to duken grumbuj plehrash në korridore, dyshekë të hedhur përtokë dhe dyer të prishura, të cilat janë zëvendësuar me barrikada sendesh të ndryshme për të penguar futjen e të paftuarve.

Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit ka evidentuar një mori problemesh të respektimit të të drejtave të refugjatëve në inspektimin e fundit të kryer në prill të vitit 2019 në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru.

Kuota e pamjaftueshme ushqimore dhe mungesat e theksuara të stafit për të ofruar shërbime mjekësore dhe sociale ishin dy prej gjetjeve më problematike.

“Vazhdonte të mbetej problematikë normativa për trajtimin e personave që akomodohen në këtë qendër, duke mos pasur asnjë normë trajtimi për këtë institucion (ushqim, veshmbathje, detergjentë, gaz)..Që nga 2017 e në vijim kemi hasur problematikën e kuotës ditore, e cila është 330 lekë për person, një shumë kjo tepër e ulët duke iu referuar rritjes së çmimeve të ushqimeve në vite,” tha Avokati i Popullit në një përgjigje për BIRN.

Nassif nga Algjeria ka ngecur në Tiranë prej një muaji e gjysmë, pasi epidemia e COVID-19 i preu në mes udhëtimin drejt Belgjikës, ku jetojnë shumica e familjarëve të tij. Ai përfundoi në Qendrën e Azilkërkuesve pasi e kapi policia, për të cilën thotë se “i la në mëshirë të fatit”.

Si shumë refugjatë të tjerë, edhe Nassif e shuan urinë përmes lypjes në qendër të Tiranës. Ai ankohet se ushqimi në kamp mban erë të keqe dhe u serviret ende me pjata alumini.

“Kur shkoj të ha bukë, aq të këqija janë gatimet sa që edhe në erën e ushqimit e kam problem. Një copë bukë e vogël, një lloj gjelle me lulelakër dhe perime, nuk ka as ujë, asgjë. Si punë sallate me erë të keqe,” përshkruan ai një nga vaktet.

Banda dhe dhunë

Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru. Foto:Vladimir Karaj.

Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit ka kapacitet strehues për 180 persona, ndërsa i tha BIRN se numri aktual është nën kapacitet; 169 refugjatë të strehuar, mes të cilëve 20 fëmijë. Megjithatë në fund të marsit, Qendra i raportoi Avokatit të Popullit mbipopullim prej 218 personash, 21 prej të cilëve minorenë.

Sipas Qendrës, azilkërkuesit menaxhohen nga një staf prej 15 personash, përfshi drejtoreshën, sektorin e Financës dhe Shërbimet Mbështetëse, që kanë në organikë psikolog, punonjës social dhe përkthyes. Përmes partnerit lokal RMSA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR mbulon shërbimet mjekësore me një infermiere si dhe dy kujdestarë nate, të cilët janë të pranishëm në Qendër çdo ditë*.

Mungesa e stafit për menaxhimin e azilkërkuesve në orët e mesditës dhe veçanërisht gjatë natës është një problem i mbartur i Qendrës sipas Avokatit të Popullit, ndërsa kërkesat e vazhdueshme drejtuar Ministrisë së Brendshme kanë rënë në vesh të shurdhër.

Si pasojë, Qendra është bërë shpesh arenë e dhunës dhe e konflikteve mes azilkërkuesve; ku më të dobëtit dhe më të rinjtë grabiten dhe dhunohen sistematikisht.

Nassif, 27 vjeç nga Algjeria i tha BIRN se ishte bërë pre e grabitjes sapo kishte vënë këmbën në Qendër dhe se ankesat e tij fillimisht te roja dhe më pas te drejtoresha e Qendrës kishin qenë të kota. BIRN e takoi të të riun refugjat ndërsa po provonte një celular të sapoblerë me paratë e fituara nga lypja.

“Kam mbi 20 ditë që nuk kam folur më nënën,” tha ai me ndihmën e një përkthyesi të arabishtes, ndërsa përpiqet të lidhej me internetin.

Nassif, i cili foli në kushtet e anonimatit për shkak të frikës, i tha BIRN se kampi nuk ofron sigurisë dhe është një vend ku ata e kanë të vështirë të flenë gjumë.

“Problemi i parë atje që janë krijuar banda. Ka njerëz të fuqishëm që kanë mbledhur rreth vetes të tjerë dhe që i përdorin për të grabitur,” thotë Nassif me zemërim. Ai shkund duart dhe nuk është nevoja për të pritur përkthimin, ndërsa dëgjon disa herë fjalët “Mafia, mafia”.

Refugjati është i prekur nga fakti që dhunuesit dhe grabitësit brenda kampit janë bashkëkombas të tij, por është më shumë i shokuar që autoritetet nuk ndërhyjnë. Ai përmend raste kur dhuna është shoqëruar me plagosje të rënda, ndërsa bën  përgjegjës një grup prej 6 vetash –të cilën e konsideron si bandën më të pamëshirshme në kamp.

“Natën kur fiken dritat, keqbërësit, mafia i sulmojnë familjet dhe ne dëgjojmë fëmijët që qajnë, është drithëruese,” thotë ai.

Aktet e dhunës dhe përplasjet e vazhdueshme brenda kampit në Babrru kanë shkaktuar shqetësime te Avokati i Popullit dhe UNHCR, por Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit i tha BIRN se ka vepruar në kohë për të normalizuar situatën.

“UNHCR është në dijeni të raporteve mbi disa raste të konflikteve dhe vjedhjeve midis banorëve të Qendrës Kombëtare të Pritjes dhe i ka adresuar këto shqetësime me autoritetet përgjegjëse,” tha UNHCR përmes një zëdhënësi, duke shtuar gjithashtu se migrantët dhe azilkërkuesit kanë gjithashtu detyrime për të respektuar rendin publik.

Në përgjigje të pyetjeve të BIRN, Qendra tha se konfliktet mes refugjatëve janë shpeshherë të mbartura, por edhe të krijuara aty për aty. Qendra pranoi se situata agravon shpesh në dhunë fizike mes tyre.

“…është kërkuar në mënyrë të menjëhershme ndërhyrja e policisë dhe e forcave Shqiponja në zgjidhjen e problemeve,” deklaroi Qendra. “Nuk është në autoritetin tonë vlerësimi i shkallës së dhunës, por veprimi në kohë për të qetësuar dhe normalizuar situatat për një bashkëjetesë të qetë e të sigurt brenda komunitetit të Qendrës,” shtoi ajo.

Edhe zv.ministja Rovena Voda tha se Qendra ka një bashkëpunim të mirë me “komisariatin përkatës të policisë”, por pa shpjeguar se çfarë rezultatesh kishte dhënë kjo për të ndaluar dhunën.  Voda po ashtu bëri me dije se qendra ishte mbyllur për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19 dhe nuk pranonte më refugjatë.

Të mbetur rrugëve

Konventa e Gjenevës dhe protokolli i New Yorkut –të dy konventa të nënshkruara nga Shqipëria, u garantojnë refugjatëve kushte minimale të strehimit dhe të ushqimit. Megjithatë për shkak të krizës së COVID-19, qeveria ka vendosur mbylljen e Qendrës në Babrru për pranime të reja, duke lënë me dhjetra refugjatë në mes të katër rrugëve.

Njëri prej tyre, i prezantuar si Usama nga Alepo e Sirisë i tha BIRN se kishte 3 ditë pa ngrënë.

“Me, three days, no water, no food” [Unë, tre ditë, pa ujë, pa bukë],” thotë ai, ndërsa u afrohet me hapa të pasigurtë për ndihmë kalimtarëve të paktë në afërsi të Muzeut Kombëtar.

I riu nga Siria kishte hyrë në Shqipëri në fillim të prillit dhe ishte bllokuar në Tiranë për shkak të mbylljes së kufijve. Ai e ka syrin e majtë të mavijosur dhe fytyrën të enjtur, por thotë se kjo ishte pasojë e një rrëzimi në rrugë.

Usama tregon se u vetëdorëzua në qendrën e Babrrusë, por dyert iu mbyllën. “Korona, korona,” thotë ai, duke treguar përmes shenjave se ishte shtyrë me forcë jashtë Qendrës.

Emigrantë të tjerë i thanë BIRN se po flinin në rrugë ose në dhoma të lira me qira, ndërsa lypja ishte e vetmja mundësi e tyre për t’u ushqyer.

Një situatë e tillë konsiderohet e papranueshme nga aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët i bëjnë thirrje qeverisë që të respektojë konventat për refugjatët pavarësisht vështirësive.

Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit i tha BIRN se pavarësisht situatës, shteti nuk duhet t’i lërë absolutisht në rrugë emigrantët.

“Këta persona vijnë nga vende me probleme me të drejtat dhe mund të vijnë nga zona lufte, u duhet mundësuar një trajtim dinjitoz dhe u duhet ofruar mbrojtje. Është e qartë se situata e tyre është e rëndë,” tha Skëndaj.

Edhe Armela Xhaho, eksperte për emigrimin në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim i tha BIRN se kriza e koronavirusit të ri e ka përkeqësuar gjendjen e emigrantëve, jo vetëm në Shqipëri.

“Braktisja në rrugë është në shkelje të konventave ndërkombëtare,” tha Xhaho, e cila shtoi gjithashtu se shteti duhet të aplikojë masat kundër epidemisë edhe brenda kampit.

Qendra Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit i tha BIRN se vendimi për të mos pranuar refugjatë të rinj për shkak të situatës së COVID-19 nuk është i saji, por i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qendra refuzoi gjithashtu përgjegjësinë për gjendjen e vështirë të emigrantëve të bllokuar në Shqipëri.

“Nuk është në fushën e përgjegjësisë së QKPA-se lidhur me personat që nuk akomodohen në të,” shtoi ajo.

Rrugë përmes “ferrit”

Naif, rreth të 40-ave nga Iraku (majtas) bashkë me një bashkëkombas të tij në sheshin “Skënderbej”. Naif i mbijetoi një aksidenti në shkurt 2020 ndërsa udhëtonte me 9 emigrantë të tjerë me furgon nga Korça në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.

Naif rreth të 40-ave është nisur prej gati një viti nga Iraku drejt Anglisë, por Londra –destinacioni i synuar i tij, është tashmë edhe më larg. Emigranti i tha BIRN se i mbijetoi një udhëtimi “ferri” me gomone përmes Egjeut si dhe ecjes për javë të tëra në këmbë, por një aksident automobilistik në Shqipëri për pak sa nuk i kushtoi jetën.

Burri është pjesë e grupit prej 9 emigrantësh që u aksidentuan më 23 shkurt, ndërsa po udhëtonin nga Korça në drejtim të Tiranës. Dy prej miqve të tij të rrugës humbën jetën në aksident, ndërsa Naif përfundoi në spital me brinjë të thyera bashkë me gjashtë emigrantë të tjerë.

“Të them të drejtën, ditët më të vështira kanë qenë ato në det. Ato ishin si ferr. Mbaj mend, kam parë me sy që mjetin me të cilin udhëtonim, që mezi ia shikonim cepin tjetër, e frynin me pompë si tollumbace dhe kemi qëndruar aty pa e ditur nëse do dalim gjallë apo jo, deri sa kemi arritur në cepin tjetër,” thotë ai.

Nga aksidenti në Shqipëri ai mban mend vetëm se si shoferi shqiptar ishte trembur nga dritat e një makine pas tyre dhe kishte shtuar shpejtësinë, duke menduar se ishte policia.

“Unë shikoja në ato rrugë të vështira me kthesa, sinjali i shpejtësisë tregonte më shumë se 160 dhe pastaj makina fluturoi,” tregon ai.

Pas daljes nga spitali, Naif kuptoi se kufijtë ishin të bllokuar dhe se nuk mund të shkonte askund. Ai u strehua bashkë me dy emigrantë të tjerë në një dhomë me qira për 15 euro/dita. Naif i tha BIRN se askush nuk ishte interesuar për të pas daljes nga spitali dhe se në farmaci nuk kishin pranuar t’i jepnin ilaçe.

“Askush nuk më njeh. Nuk më pranojnë në spital, kam shkuar në farmaci të blej ilaçet dhe nuk më pranojnë. Farmacia kërkon recetë nga doktori, në spital nuk më pranojnë që të marr recetën,” tha ai.

Pas një morie rreziqesh të kaluara, Naif nuk është më i sigurt nëse e gjitha do t’ia vlejë, por e di se nuk ka kthim pas.

“Deri diku jemi penduar, por tani nuk ka kthim prapa. Me lejen e Zotit do ta plotësojmë rrugën që kemi nisur dhe shpresojmë që të mos mundohemi atje,” thotë ai.

Edhe refugjatët e kampit i thanë BIRN se presin vetëm një sinjal për hapjen e kufijve për t’u larguar nga Shqipëria.

“Në fakt, të gjithë ne që jemi te kampi kemi qëllim të njëjtë që të largohemi. Por për momentin jemi bllokuar aty, kufijtë janë të mbyllur nuk kemi ku shkojmë,” tha Enes nga Maroku.

Edhe Kahled pret një sinjal për të vazhduar rrugëtimin e tij drejt Perëndimit. “Do të iki në Itali, Francë apo Spanjë. Dua të punoj, të ndihmoj familjen time,” thotë ai.

Pas një kohe më të gjatë të kaluar në kamp, Nassif është bërë më pesimist. “Nuk kam bërë asnjë plan,” thotë ai. “Dua vetëm të hapen kufijtë e të largohem nga këtu”.

*Emrat e refugjatëve janë ndryshuar me kërkesë të tyre për të mbrojtur anonimitetin. *Shkrimi u amendua më 5 Maj 2020 për të saktësuar se UNHCR nuk është e përfshirë në menaxhimin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit, por përmes RMSA, mbulon shërbimet mjekësore me një infermiere si dhe dy kujdestarë nate.