Lajm12 Jun 2018

Toka: Gjykata Administrative e Apelit pezulloi ndërtimin e HEC-ve në Valbonë

Aktivistët e organizatës Toka festojnë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, e cila sipas tyre ka pranuar me datë 6 qershor padinë e banorëve dhe ka pezulluar punimet e hidrocentraleve në zonën e Valbonës.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Punimet për HEC-in Dragobia në Valbonë. Maj 2017. Foto: Lindita Çela/BIRN

Gjyakata Administrative e Apelit në Tiranë ka pranuar me datë 6 qershor sigurimin e padisë së 27 banorëve të Valbonës dhe të organizatës Toka kundër projekteve për hidrocentrale në Valbonë – një vendim që sipas aktivistëve pezullon punimet për ndërtimin e projekteve energjetike. Në faqen e saj në Facebook, organizata Toka shprehet se vendimi për sigurim padie ndalon punimet për HEC-et deri në vendimin përfundimtar të gjykatës në lidhje me padinë e tyre kundër Këshillit Kombëtar të Territorit, KKT.

Aktivistja Catherine Bohne i tha BIRN se vendimi kishte ardhur si ‘surprizë’ edhe për ta, pasi palët nuk ishin njoftuar për gjyqin. Ajo tha se avokati i tyre kishte mësuar pas interesimit pranë gjykatës mëngjesin e të martës që gjykata ka marrë në konsideratë “rrezikun e dëmtimeve të pakthyeshme”, ndërsa tha se shpresonte që vendimi të sillnte ndryshim të madh sa i përket ruajtjes së “zonave të mbrojtura”. Sipas saj pezullimi i punimeve pritet të bëhet menjëherë sapo të zbardhet vendimi.

“Kur të kemi vendimin në dorë do të shkojmë dhe ndalojmë punën”, tha ajo në një bisedë telefonike me BIRN.

Në krahun tjetër avokatja e kompanisë ‘Gener 2’ Mine Progonati, tha se vendimi është “marrë në shkelje flagrante të procedurave ligjore”, ndërsa thotë se “nuk mendon që (vendimi) ka efekt mbi vijimin e ndërtimi të HEC” pasi sipas saj bëhet fjalë për një padi objekti i të cilës ka pushuar në maj të këtij viti.  Të dyja palët janë në pritje të zbardhjes së vendimit.

Gjykata Administrative e Faktit i dha të drejtë kompanisë në nëntor 2017, por banorët dhe aktivistët apeluan çështjen ndërsa ka tashmë dy dosje që po shqyrtohen në Gjykatën Administrative të Apelit. Kërkesa për pezullim, sigurim padie, sipas Bohne është bërë në të dyja dosjet dhe një prej trupave gjykuese ka marrë tashmë vendim në favor të banorëve duke pezulluar punimet. Banorët kanë kërkuar në gjykatë prishje të lejes koncesionare dhe pavleshmëri të një sërë akteve si “leje mjedisi e të ngjashme”, përfshi edhe një vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit për shtesë afati leje ndërtimi.

“Ligji thotë se nëse po bëhen dëme të pakthyeshme atëherë bëhet pezullimi i punimeve, në këtë rast gjykata ka vendosur që ka dëme të pariparueshme. Deri tani kompania pretendon se nuk po bën asnjë dëm. Kjo është një fitore e madhe”, tha Bohne duke iu referuar vendimit. Bohne tha se ata do të vijonin të kërkonin prishje të koncesionit. Ajo tha se punimet për hidrocentralet duhej të ndaloheshin dhe duke iu referuar ligjit të ri për zonat e mbrojtura tha se ky i jepte një zgjidhje kompanisë për të kërkuar të kompensohej në një zonë tjetër.

Avokatja e kompanisë “Gener 2” tha se vendimin e gjykatës ishte marrë në shkelje të ligjit pasi palët duhej të ishin njoftuar 15 ditë para dhe çështja duhej të ishte njoftuar në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit, ndërsa po ashtu pretendoi se vendimi ishte marrë me shumicë të thjeshtë 2 me 1. Ajo po ashtu tha se mendonte që vendimi realisht nuk kishte efekt mbi punimet, pasi objekti në gjykim ishte shtyrja e lejes së ndërtimit nga KKT të cilës ndërkohë sipas saj i kishte mbaruar afati. “është një vendim për një çështje që nhuk egziston”, tha Mine Progonati.  Avokatja u ankua se ndërsa një padi më e vjetër nuk ishte shqyrtuar ende, për padinë e re gjykata kishte marrë vendim shumë shpejt. “Kemi dy çështje për masë sigurimi, njëra ka më shumë se një vit dhe akoma nuk është marrë vendim, ndërsa në këtë rast merret vendimi për 2 muaj”, tha Progonati e cila akuzoi gjykatën për vendim të paligjshëm.

Një ditë më parë banorët e Dragobisë, zona ku po ndërtohen HEC, bllokuan rrugën pasi shpërthimet e kryera prej kompanisë që po ndërton HEC u shkaktuan dëme në shtëpi, ndërsa dëmtuan edhe rrjetin elektrik. Policia ndaloi dy inxhinerë të kompanisë, të cilët po ndiqen në gjendje të lirë.

Përpjekja e banorëve dhe aktivistëve për të bllokuar punimet në HEC e Valbonës vijon prej gati tre vjetësh në disa procese gjyqësore, përfshi edhe një padi penale të bërë ndaj aktivistëve prej kompanisë për “dëmtim të imazhit”.

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve. Ai gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin, por qeveria shqiptare gjatë dekadës së fundit vendosi aty ndërtimin e 14 HEC-eve,  tre prej të cilëve janë aktualisht në ndërtim.

Banorët e Valbonës, mbështetur nga aktivistët mjedisorë kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve në zonë me argumentimin se u është shkelur e drejta e konsultimit, si dhe duke i cilësuar projektet hidroenergjetike si shkatërrimtare për mjedisin dhe turizmin në zonë.