
Armëpushimi që thuhet se sapo është rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pasqyron dëshpërimin e Presidentit amerikan Donald Trump për t’i shpëtuar ngërçit që ai vetë krijoi. Ka marrë fund gama e paqartë e objektivave që ai promovoi në ditët e para të luftës. Sipas raportimeve, e vetmja gjë që administrata Trump ka siguruar në marrëveshjen e re është një premtim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila ishte e hapur edhe para luftës, dhe plane për negociata të reja mbi programin bërthamor të Iranit, i cili tashmë ishte objekt diskutimi. Por edhe këto objektiva të reduktuara mund të rezultojnë të paarritshme nëse Izraeli vazhdon luftën e tij kundër Hezbollahut në Liban.
Trump tashmë është i lodhur nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Ishte Netanyahu ai që e këshilloi në vitin 2018 të braktiste marrëveshjen bërthamore që ish-Presidenti Barack Obama kishte arritur me Iranin tre vjet më parë, duke e vënë Trump-in përballë detyrimit për të siguruar një marrëveshje më të mirë.
Netanyahu gjithashtu e bindi Trump-in të niste luftën aktuale duke paraqitur një vizion joshës sipas të cilit dy forcat ajrore më të fuqishme në botë do të shkatërronin shpejt godinat ushtarake dhe bërthamore të Republikës Islamike dhe do të rrëzonin një regjim që prej kohësh kishte qenë një pengesë për ta. Tani, Netanyahu është pengesa e fundit për një marrëveshje që do t’i lejonte Trump-it ta linte pas krahëve këtë makth të krijuar.
Trump dhe Netanyahu në të vërtetë nuk kanë qenë kurrë plotësisht në të njëjtën linjë. Ndërsa Trump-it i pëlqente ideja e “dorëzimit pa kushte” të Iranit, ai nuk kishte dëshirë për një angazhim ushtarak afatgjatë. Në fund të fundit, një marrëveshje bërthamore që ai mund ta paraqiste si më të mirë se ajo e Obama-s do të kishte qenë gjithmonë e mjaftueshme për të.
Për Izraelin, megjithatë, eliminimi i kërcënimit nga raketat balistike që vijnë nga Irani, si edhe ndërprerja e mbështetjes së vendit për milicitë e tij aleate në Irak, Liban, Palestinë dhe Jemen, ka qenë gjithmonë një pikë e panegociueshme. Problemi është se, për këto çështje, Irani nuk pranon asnjë kompromis. Ndryshe nga armët bërthamore, raketat balistike dhe milicitë aleate janë domosdoshmëri ekzistenciale për Iranin.
Libani, ku Izraeli po përpiqet të shkatërrojë milicinë Hezbollah të mbështetur nga Irani, përbën një pikë veçanërisht të ndjeshme të mosmarrëveshjes. Meqë Izraeli verior ka jetuar nën zjarrin e Hezbollahut për tre vitet e fundit, Izraeli është zotuar të mbetet në jug të Libanit për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar kërcënimin, pavarësisht asaj që thotë SHBA-ja. Në kundërshtim të hapur me Trump-in, Izraeli kreu një sulm ajror në Bejrut të dielën, pikërisht në momentin kur SHBA-ja dhe Irani po finalizonin armëpushimin e tyre.
Ky veprim mund ta kishte prishur marrëveshjen. Siç e ka bërë të qartë ministria e jashtme e Iranit, përfundimi i armiqësive izraelite në Liban është një parakusht për “çdo armëpushim dhe çdo marrëveshje përfundimtare”. Për më tepër, nëse Izraeli vazhdon sulmet ndaj Libanit, Irani do të vazhdojë të hakmerret ndaj Izraelit. “Mbështetja e rezistencës në Liban është detyrë e të gjithëve ne dhe largimi i Izraelit nga rajoni është një qëllim i arritshëm për myslimanët,” ka deklaruar së fundmi kreu i Forcës Quds, krahu i operacioneve të jashtme dhe i inteligjencës ushtarake i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Retorika sfiduese e Iranit nuk do ta dekurajojë Netanyahu-n. Ai e di se, ndonëse fitorja strategjike e Iranit ndaj dy fuqive ushtarake globale e lë regjimin të ndihet i paprekshëm, aftësia e tij për të mbrojtur vendin është e kufizuar. Një ofensivë e rinovuar nga forcat ajrore të Izraelit, përfshirë edhe kundër infrastrukturës civile, thjesht mund ta dobësojë pozicionin e Republikës Islamike.
Trump, megjithatë, mund të përbëjë një problem për Izraelin. Ngërçi iranian ka dëmtuar ndjeshëm nivelet e tij të mbështetjes publike, e ka shpërqendruar nga spektaklet e tij të vetëlavdërimit, siç ishte kremtimi i ditëlindjes së tij të 80-të, dhe e ka penguar të shpallë “fitoren” e shpejtë që ai e dëshiron në Kubë. Dhe ai është i gatshëm të sakrifikojë interesa thelbësore izraelite për të dalë prej kësaj situate. Siç e shprehu së fundmi zv/presidenti JD Vance, SHBA-ja dhe Izraeli “kanë shumë interesa të përbashkëta”, por “gjithashtu kanë disa situata ku interesat e tyre ndryshojnë”; objektivi kryesor i Amerikës në Iran është “të garantojë që Irani të mos ketë armë bërthamore”.
Sipas kësaj logjike, administrata Trump mund të arrijë të pretendojë se mjeshtri i marrëveshjeve ka dalë sërish fitimtar – por vetëm nëse Izraeli i përshtatet kësaj linje. Trump është bërë aq i paduruar që Izraeli të mos i pengojë planet e tij, sa ka filluar të shprehë hapur irritim ndaj Netanyahut. “Je totalisht i çmendur,” thuhet se i ka bërtitur Trump atij në një telefonatë të fundit. “Do të ishe në burg, po të mos isha unë.” Në këtë pikë, Trump duket se tregon më shumë respekt për zyrtarët e IRGC-së sesa për Netanyahu-n.
Ndoshta nuk ka shenjë më të mirë të përkeqësimit të aleancës SHBA–Izrael sesa këmbëngulja e Trump-it se “urdhrat i jep ai”, dhe se Netanyahu nuk ka zgjidhje tjetër veçse të nënshtrohet, edhe nëse kjo do të thotë të respektojë një marrëveshje që nuk i shërben interesave të sigurisë së Izraelit. Marrëdhënia mes dy demokracive të ndërtuara nga emigrantë pionierë është shndërruar në një bashkëpunim të errët mes udhëheqësish të pandershëm, ku sunduesi ndëshkon vasalin sa herë që ai del nga rreshti.
Çfarëdo që të ndodhë më pas, Trump dhe Netanyahu nuk do t’i shpëtojnë gjykimit të historisë. Lufta e tyre e mashtrimeve në Iran përbën humbjen strategjike më të madhe që dy superfuqi ushtarake kanë pësuar ndonjëherë në duart e një regjimi të sëmurë dhe të falimentuar. Irani ka dalë nga lufta më i fortë se kurrë, si zotërues i gjeopolitikës së Lindjes së Mesme pasluftës. Armëpushimi i ri vetëm sa e thellon këtë përfitim strategjik: presidenti amerikan tani po shfaqet si mbrojtës i Libanit — dhe, në mënyrë të tërthortë, i përfaqësuesit të Iranit në atë vend.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Peace with Iran Is All About Lebanon Now







