Derdhja e ujërave të zeza në autostradën “Milot-Kukës” në një gjatësi prej 2 kilometër, veç ndotjes ka shkaktuar shembje të skarpateve duke rrezikuar karrexhatën dhe shtëpitë e ndërtuara pa leje.
Mungesa e kanalizimeve për një lagje të ndërtuar në mënyrë informale mbi një segment të “Rrugës së Kombit”, poshtë qytetit të Kukësit, rrezikon të dëmtojë rrugën, ndërsa pas shirave të fundit u regjistruan disa rrëshqitje të skarpateve mbi rrugë.
Ndërtimet informale sipër autostradës derdhin ujërat e zeza dhe të bardha në autostradë në një gjatësi prej 1.3 kilometra. Ujërat veç ndotjes kanë shkaktuar shembje të skarpateve dhe sipas specialistëve nëse nuk ndërhyhet ato do të rrezikojnë trupin e rrugës, por edhe vetë shtëpitë mbi të.
“Kur bëhet fjalë për derdhje ujërash në këtë tokë, problemi ndryshon dhe toka nuk gjen stabilitet,” thotë Rustam Hasalami, shef i Shërbimit Gjeologjik në Kukës.
“Shpresojmë që muret mbajtëse të autostradës të jenë të forta dhe të mos dëmtohen, por rreziku i shtëpive është i dukshëm nëse nuk disiplinohet derdhja e ujërave të zeza e të bardha,” shtoi ai.
Autostrada e pagëzuar si “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej në vitin 2007 dhe ka kushtuar mbi 1 miliardë euro, ndonëse ende nuk ka përfunduar në mjaft pjesë të saj në të cilat ende po investohet.
Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Në dhjetor të vitit 2016 rruga u dha me koncesion për mirëmbajtje te kompania Albanian Highway Concession, AHC, e cila kontrollohet sot 50 për qind nga “Kastrati Group” dhe 50 për qind nga kompania “Salillari”.
Dhënia me koncesion po ashtu u shoqërua me protesta. Banorë të Kukësit shkatërruan stacionin e pagesës, pasi kundërshtonin tarifat. Pas rikonstruksionin të stacionit dhe ndryshimeve të tarifave për Kukësin, koncesioni filloi të zbatohet në 17 shtator të vitit 2018.
Por megjithëse përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës administratori i AHC, Spartak Tumani, i tha BIRN se kompania nuk ishte përgjegjëse për ujërat që derdheshin në të dhe se ndërhyrja për to i takonte Bashkisë së Kukësit.
“Ka dy vjet që i jemi drejtuar Bashkisë së Kukësit lidhur me problemin e derdhjes së ujërave të zeza dhe të bardha në autostradë në një gjatësi prej rreth 2 kilometër poshtë qytetit të Kukësit”, tha Tumani, duke shtuar se ende nuk kishin marrë zgjidhje nga bashkia. “Është detyrë e bashkisë të investojë,” theksoi ai.
Tumani shtoi se kompania koncesionare kishte bërë ndërhyrje provizore dhe se kishin stabilizuar derdhjen e ujërave të bardha, por se problemi mbetej dhe se ujërat në rrugë ndikonin në shembjen e skarpateve.
Ndërkohë që në bashkinë e Kukësit janë të njohur me shqetësimin e paraqitur nga AHC, por përfaqësuesit e saj shprehen se e kanë të pamundur të japin zgjidhje të shpejtë.
Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Kukësit, Andrit Shehu tha se bashkia ka si synim disiplinimin dhe trajtimin e ujërave të zeza në të gjithë qytetin në një impiant dhe për këtë janë në fazën e hartimit të projektit që do zgjidhë problemin edhe për lagjen në fjalë.
“Kemi kërkuar suport financiar nga AKUM (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve) për një projekt zbatimi për ujërat e zeza për të gjithë qytetin, pasi bashkia e Kukësit nuk ka kapacitete njerëzore, as financiare për hartimin e një projekti të tillë,” tha Shehu.
Ai shtoi se një fond për projektin është parashikuar nga AKUM për vitin 2021 dhe se ata ishin në pritje të fondit për hartimin e projektit.
Zona informale e cila derdh ujërat e zeza dhe të bardha në autostradë përbëhet prej 38 ndërtimesh, kryesisht shtëpi banimi. Këto janë ndërtime informale të banorëve të fshatit Gostil që i kanë ndërtuar pa leje duke pretenduar se janë në tokat e tyre.
Vladimir Spahiu, drejtor rajonal i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) i tha “BIRN” se procesi i legalizimit nuk kushtëzohet nëse ndërtimi informal ka ose jo kanale të ujërave të zeza, pasi mund të përdoren edhe gropat septike.
“Është detyrë e Inspektoriatit të Ndërtimit apo atij Shëndetësorë që t’i kontrollojë.” tha Spahiu.
Ai tha se 15 nga 38 ndërtimet në Gostil ishin legalizuar në vitin 2008 me një procedurë të përshpejtuar, edhe pse aty parashikohej që aty ku ishin këto ndërtime do të kalonte autostrada.
“Por projekti i autostradës ndryshoi dhe këto shtëpi nuk u shembën, përveç njërës prej tyre, kështu që ato mbeten të legalizuara”, tha Spahiu.
Ai tha se shtëpitë e tjera rrezikonin të mos legalizoheshin edhe pse kishin aplikuar, pasi ishin më afër se 60 metra nga rruga, distancë më e vogël se kufiri përcaktuar në ligjin për legalizmet.
Rustam Hasalami i tha BIRN se studimet gjeologjike në autostradë janë bërë nga studio private, pasi Shërbimi Gjeologjik në Kukës nuk ka kapacitetet e nevojshme për studime të tilla.
Ai shpjegoi se studimet e kryera nuk u kanë dhënë zgjidhje problemeve dhe rruga ka pasur një sërë rrëshqitjesh serioze.
“Ka pasë rrëshqitje të mëdha në Gëziq, Reps, në afërsi të Klosit në Fanë dhe ajo e Fushë-Dukagjinit,” tha ai. “Për këto duhet të dalë përgjegjësia pasi po bëhen miliona euro investime pas dorëzimit të autostradës,” përfundoi Haslami.