Lajm11 May 2018

Vdekjet në minierën e Bulqizës s’kanë të ndalur, humb jetën 62 vjeçari

Një minator 62-vjeçar humbi jetën në Zonën D të minierës së Bulqizës, pasi mbi të u shemb një masiv shkëmbor. Medi Hidri është viktima e shtatë në më pak se  7 muaj në minierë.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Stoqet e kromit dhe qyteti i Bulqizës. Foto: Vladimir Karaj/ Arkiv

Një 62 vjeçar humbi jetën nën një masiv gurësh në një nga galeritë e nxjerjes së kromit në Bulqizë paraditen e së premtes. Viktima e radhës në minierën e Bulqizës quhet Medi Hidri dhe sipas policisë “ishte duke kontrolluar frontin, (kur) është shembur një masiv shkëmbor i cili i ka shkaktuar vdekjen”.

Policia nuk bëri me dije në njoftimin paraprak, ashtu si edhe në raste të tjera, se cila nga kompanitë e menaxhonte galerinë- nga më shumë se 100 të tilla që operojnë në Bulqizë. Sipas saj, aksidenti ka ndodhur sërish në Zonën D. Policia thotë se “vijojnë hetimet në vendngjarje dhe po punohet të zbardhen shkaqet”.

Hidri është i shtati minator që humb jetën në galeritë e zonës së Bulqizës brenda 7 muajsh. Ndërkohë, megjithë pretendimet e autoriteteve për hetime, BIRN gjeti në disa shkrime të mëparshme se në shumicën dërrmuese të rasteve, faji u lihej viktimave dhe në pak të tjera kolegëve të tyre minatorë.

Kromi është minerali më i rëndësishëm i Shqipërisë nga pikëpamja ekonomike. Aktualisht ka rreth 110 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit në zonën e Bulqizës, eksportet e së cilit arrijnë në rreth 100 milionë euro në vit.

Gjatë dekadës së fundit, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve në miniera. Por pavarësisht bilancit tragjik të viktimave, asnjë drejtues kompanie nuk është ndjekur penalisht gjatë tre viteve të fundit nga Prokuroria e Dibrës.