Analize4 Sep 2021

Vendimi i KPK: Gjyqtarja Mirela Iliopullo cënoi besimin e publikut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se gjyqtarja e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo ka kryer veprime në cënim të etikës në përfitimin e disa trojeve si dhe ka mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar pasurinë dhe shpenzimet.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo dhe avokatja e saj, Antoneta Sevdari pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra më 13 korrik gjyqtaren e Gjirokastrës, Mirela Iliopullo, pasi arriti në përfundimin se kishte mungesë të burimeve financiare në vlera të mëdha për pasuritë dhe shpenzimet e kryera; se kishte kryer në mënyrë të përsëritur deklarime të pamjaftueshme dhe se kishte fshehur pasurinë, duke cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Hetimi administrativ për gjyqtaren Iliopullo u përfundua vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas trupit gjykues të KPK të kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Xhensila Pinen, nisur nga rezultati negativ financiar, nuk ka qenë e nevojshme të analizohen të gjitha pikat e tjera të rezultateve të hetimit apo kriteret e tjera.

Mirela Iliopullo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si ndihmës gjyqtare në Gjykatës e Sarandës. Prej vitit 2000 dhe deri në momentin e shkarkimit ajo e ushtroi funksionin e saj pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

Cenimi i besimit të publikut

Komisioni e cilëson të dyshimtë mënyrën e përfitimit të tre trojeve nga familja e subjektit të rivlerësimit. Gjyqtarja Iliopullo ka deklaruar për herë të parë në vitin 2014 një shesh ndërtimi me sipërfaqe 400 m2 në Sarandë. Nga verifikimi i kësaj pasurie, Komisioni ka gjetur se me të njëjtin vendim të Këshillit Bashkiak Sarandë të vitit 1999, ka përfituar edhe ish-bashkëshorti një truall tjetër me sipërfaqe 367.8 m2. Pas zgjidhjes së martesës, dy ish-bashkëshortët kanë nënshkruar një deklaratë noteriale në vitin 2014, ku secili ka rezultuar të ketë marrë tokën e përfituar.

Subjekti ka pretenduar se nuk e zotëron truallin e marrë në emër të saj dhe ka dorëzuar vërtetim nga Bashkia Sarandë se nuk është realizuar ende kontrata e shitblerjes së truallit. Megjithatë, KPK i ka kaluar barrën e provës për mosdeklaroimin e njërit prej shesheve të ndërtimit dhe ngre dyshime për mënyrën e përfitimit.

“Duket se kjo pasuri është përfituar në mënyrë të dyshimtë, referuar kritereve përcaktuese dhe vijueshmërisë së gjendjes faktike, për sa kohë familja e saj ka përfituar njëkohësisht tre sheshe ndërtimi”, konstaton KPK dhe vlerëson se subjekti nëpërmjet këtyre përfitimeve ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Sipas KPK, Iliopullo nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim distancimi, duke pranuar përfitimin e padrejtë, madje pa e deklaruar përfitimin e njërit prej shesheve as në deklaratat vjetore dhe as në atë veting.

Në vitin 2004, Iliopullo ka deklaruar përfitimin e një trualli me sipërfaqe 600 m2 në Dropull në emër të ish-bashkëshortit me vendim të shkurtit 2003 të Këshillit të Komunës. Sipas deklaratës noteriale për ndarjen e pasurisë, bashkëshortore është dakordësuar që kjo pasuri t’i kalonte subjektit të rivlerësimit, e cila e ka deklaruar edhe në vitin 2014. Por, ka rezultuar se ajo nuk e ka pasqyruar këtë truall në deklaratën veting. 

Lidhur me mosdeklarimin e kësaj pasurie në vitin 2003 dhe në deklaratën veting, subjekti ka shpjeguar se në fillim nuk e kishte kuptuar drejt mënyrën e plotësimit të deklaratës, prandaj edhe e kishte shtuar në 2004-ën. Ajo ka theksuar se nuk zotëron asnjë pasuri në Komunën Dropull i Poshtëm, por për shkak të zgjidhjes së martesës nuk ka qenë e kujdesshme dhe e ka nënshkruar deklaratën noteriale për ndarjen e pasurive pa i dhënë rëndësi.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se me vendimin e KRT-së të vitit 2007, ish bashkëshortit të subjektit i është miratuar “leja për ndërtimin e objektit shesh depozitimi për materiale” dhe në dhjetor të vitit 2008 është përgatitur projekt-zbatimi i objektit “magazinë”, si dhe është paguar shuma prej 26.700 lekësh, e barabartë me 1% të vlerës së investimit prej 2 milionë e 670 mijë lekë.

E pyetur lidhur me këto mospërputhje, subjekti ka shpjeguar ndër të tjera se ish-bashkëshorti e ka blerë këtë truall formalisht, por se nuk ka investuar asjëherë në të.

Në analizë të përgjithshme të të tre trojeve të përfituar nga familja e subjektit, trupi gjykues çmon se Iliopullo ka dështuar të provojë mospërfshirjen e saj në këto përfitime dhe mosnjohjen e ekzistencës së tyre. “Madje, në mënyrë jo bindëse ajo ka shpjeguar se nuk i ka konsideruar si pasuri të përfituara, pasi ka munguar akti final që do të mundësonte regjistrimin e tyre në ASHK,” evidenton KPK dhe vlerëson se ky qëndrim i subjektit bie në kundërshtim me detyrimin e saj ligjor.

Komisioni çmon se subjekti duke bërë deklarim të pamjaftueshëm për këto pasuri në deklaratat vjetore dhe në atë veting ka shkelur etikën e gjyqtarit dhe cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Dyshimet për fshehje

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në vitin 2014 subjekti ka nënshkruar një kontratë porosie për një apartament me sipërfaqe 98 m2 në Gjirokastër kundrejt çmimit 4.5 milionë lekë, nga ka shlyer shumën 4.2 milionë lekë në mars të atij viti dhe për pjesën e mbetur është dakordësuar të paguhet brenda muajit shtator.

Për të njëjtin apartament, subjekti ka nënshkruar një tjetër kontratë porosie në dhjetor të 2016-ës, por në emër të babait, i cili përfaqësohej me prokurë të posaçme prej saj.

Iliopullo ka deklaruar se kontratën e porosisë e ka nënshkruar në vitin 2014 për llogari të babait dhe se pagesa është kryer po për llogari të tij. Ajo ka shtuar se kontrata e porosisë është revokuar dhe se ka qenë si ndërmjetëse ose ndihmëse për të përfunduar transaksionin, duke qenë se babai nuk jetonte në Shqipëri.

Subjekti është shprehur se pagesat janë kryer me lekë në dorë dhe aktualisht nuk disponon dokumentacion. Ajo ka petenduar se prindërit kishin të ardhura të mjaftueshme, pasi kishin dalë në pension në moshë të re, që prej vitit 1992 dhe prej asaj kohe kanë qenë në emigrim, fillimisht në Greqi dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komisioni vlerëson se Iliopullo në mënyrë të qëllimshme nuk ka deklaruar nënshkrimin e kontratës së porosisë nga ana e saj në vitin 2014. “…mosdeklarim i qëllimshëm për të fshehur atë fakt dhe për të shmangur kësisoj kontrollin dhe kryerjen e verifikimeve përkatëse që lidhen edhe me burimin e ligjshëm të shumës së paguar prej 4.200.000 lekësh”, shprehet trupi gjykues.

KPK e konsideron si tezë të dështuar pretendimin e subjektit se ajo ishte e pajisur me prokurë të përgjithshme të lëshuar nga babai dhe rendit tre arsye që vlerëson se evidentojë mospërputhjen e fakteve me deklarimet e Iliopullos.

Sipas trupit gjykues, prokura e cituar nuk ishte e përgjithshme por e posaçme dhe i jepte tagër subjektit dhe motrës së saj vetëm për të tërhequr pensionet e prindërve. Gjithashtu, KPK vëren se prindërit e subjektit nuk kishin burime financiare të mjaftueshme dhe as interes për të investuar në Shqipëri, për sa kohë jetonin në SHBA.

Nga analiza financiare ka rezultuar se edhe subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për të kryer këtë investim.

Nisur nga faktet se apartamenti në fjalë nuk mund të përdorej nga prindërit e subjektit dhe se ata nuk kishin mundësi financiare për një investim të tillë, trupi gjykues shprehet se ka krijuar bindjen se Iliopullo ka kryer fshehje të kësaj pasurie.

Komisioni konstaton pamundësi financiare të familjes së gjyqtares Iliopullo edhe për blerjen e një zyre me sipërfaqe 44,99 m2 në Gjirokastër në vitin 2006, si dhe mos deklarimin e kontratës së porosisë së kësaj pasurie.

Nisur nga fakti se çmimi i porosisë në shumën 18 mijë euro është më i lartë nga ai i pasqyruar në kontratën e sitblerjes të vitit 2009 në vlerën 1 milion e 799 mijë lekë, Komisioni shpreh bindjen se kontrata përmban çmim fiktiv, që është realizuar në bashkëpunim me palën shitëse.

“…nëse çmimi i kontratës së vitit 2009 do të rezultonte i besueshëm, subjekti do të kishte përfituar një trajtim preferencial, të cilin nuk e ka deklaruar, pasi rezulton një ulje çmimi prej së paku 350.043 lekë e pajustifikuar,” argumenton trupi gjykues.

Shpjegimet e subjektit se diferenca e çmimit kishte ardhur si pasojë e moskryerjes së të gjitha punimeve nuk janë konsideruar bindëse nga Komisioni. Nga analiza financiare e Komisionit ka rezultuar pamundësi financiare edhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 1.4 milionë lekë dhe për mbulimin e shpenzimeve të jetesës dhe arsimimit në SHBA të vajzës së subjektit për periudhën 2012-2016.

Në vendim thuhet se ka rezultuar një bilanc i përgjithshëm negativ në masën 8.5 milionë lekë për të mbuluar të gjitha shpenzimet dhe investimet e kryera ndër vite dhe 3.7 milionë lekë për të mbuluar shpenzimet e jetesës dhe shkollimit të vajzës së saj në SHBA.