Analize14 Jun 2018

Vendimi i zbardhur i KPK: Altina Xhoxhaj cënoi ‘besimin e publikut te drejtësia’

Shumica e anëtarëve të KPK-së e arsyetoi shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj me konfliktin e interesit në shqyrtimin e një çështje palët e të cilës ishin gjykuar më herët nga babai i saj në Apel dhe deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë. Pakica pranoi disa nga problemet e gjetura por theksoi se ato nuk përbënin shkak për shkarkim nga detyra. 

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Altina Xhoxhaj pas seancës dëgjimore të 23 prillit. Foto: Malton Dibra/LSA

Shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i gjyqtares Altina Xhoxhaj nga pozicioni si  anëtare e Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë unanim, ndërsa trupi gjykues u nda në dy vota pro dhe një kundër largimit. Kryesuesja Etleda Çiftja dhe relatorja Brunilda Bekteshi janë shprehur pro shkarkimit duke e gjetur me probleme pasurinë e Xhoxhajt dhe duke vlerësuar se ajo “ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë” dhe po ashtu ka “cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”. Në mendimin e pakicës, anëtarja Genta Tafa (Bungo) shprehet se Xhoxhaj “ka arritur nivel të besueshëm” dhe për rrjedhojë të konfirmohej.

Vendimi për Xhoxhaj u mor më 3 maj, ndërsa KPK ka publikuar atë të zbardhur më 4 qershor. Avokatja e Xhoxhajt kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe tha pas seancës së majit deklaroi se vendimi do të apelohej në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me qëllim që Xhoxhaj të rikonfirmohej në detyrë.

Altina Xhoxhaj ishte anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese që u përball me procesin e vetingut pas Besnik Imerajt, Fatos Lulos dhe Vitore Tushës. Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, Fatos Lulo u shkarkua nga detyra, ndërsa Vitore Tusha u rikonfirmua.

Xhoxhaj u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, ndërsa më herët ka punuar si juriste në Ministrinë e Drejtësisë, si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2006-2010 dhe lektore në Shkollën e Magjistraturës.

Vendimi për shkarkimin e Altina Xhoxhajt u duk që në fillim më kompleksi ndër çështjet e shqyrtuara nga KPK, pasi trupa gjykuese e shtyu seancën e vendimarrrjes me një javë për të ribërë llogaritjet e pasurisë pasi më herët në seancë dëgjimore relatorja kishte bërë me dije problemet e gjetura.

Mendimi i shumicës

Vendimi i marrë me dy vota pro e një kundër, është bazuar kryesisht në problemet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se gjeti në deklarimet e pasurisë së subjektit – deri në atë moment anëtare e Gjykatës Kushtetuese. KPK në rastin e Xhoxhajt gjithashtu ka gjetur “konflikt interesi” në shqyrtimin e një çështje në vitin 2016 duke vlerësuar se kjo ka “cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.

Sipas shumicës Xhoxhaj duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga trupi gjykues pasi ishte në konflikt interesi në shqyrtimin e saj, pasi e kishte gjykuar më herët i ati në Gjykatën e Apelit. KPK thotë se Xhoxhaj në atë çështje mbajti qëndrim të njëjtë me atë që babai kishte mbajtur në Apel.  “Komisioni gjykon se sjellja e subjektit të rivlerësimit, duke mos ndërmarrë veprimin ligjor lidhur me deklarimin e konfliktit të interesit në vendimin nr. 46, datë 03.03.2016, të Gjykatës Kushtetuese (shih më lart), nuk arrijnë nivel të besueshëm për subjektin e rivlerësimit, duke cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e zbardhur. Sipas KPK Xhoxhaj, e cila është denoncuar për këtë konflikt nga një qytetar,  ka qenë në pakicë në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese “duke mbajtur kështu të njëjtën linjë me atë çfarë është vendosur në Gjykatën e Apelit”.

Gjyqtarja është mbrojtur për këtë akuzë duke thënë se “procesi gjyqësor ku ka marrë pjesë në trupin gjykues babai i saj, i referohet një procesi tërësisht të ndryshëm nga ai i kundërshtuar nga denoncuesi V. Ç. në Gjykatën Kushtetuese”, duke mos e konsideruar pjesëmarrjen e saj në trupën gjykuese konflikt interesi.

Megjithatë problemet kryesore të Xhoxhajt sipas KPK-së janë në deklarimet e pasurisë të saj dhe personave të lidhur me të. Në shtatë raste KPK ka gjetur në shumicë se Xhoxhaj nuk justifikonte me dokumente ligjore pasurinë e vënë. KPK thotë se në tre raste ajo ka kryer “deklarim të rremë”, në një rast “deklarim të pasaktë”, ka fshehur pasurinë, nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar atë dhe në një rast se ka “përfituar sipërfaqe të tepërt trualli, veprim i cili rëndon pozitën e subjektit të rivlerësimit”.

Konkretisht Xhoxhaj sipas KPK nuk ka justifikuar dot apartamentin e  banimit me sipërfaqe 101 m², ndërsa ka dhënë sëbashku me personin e lidhur (bashkëshortin) deklarime të ndryshme për këtë aset në deklaratën për llogari të vetingut dhe në deklarimet e mëparshme të pasurisë.  “Subjekti i lidhur ka deklaruar në vitin 2005 (në cilësinë e subjektit deklarues për shkak të detyrës) se “kjo pronë e ka burimin nga të ardhurat e fituara nga shitja e apartamentit të banimit të mëparshëm (56 000 euro) më datë 7 mars 2005, një ditë më parë blerjes së pasurisë objekt shqyrtimi (blerë në shumën 61 050 euro), më datë 8 mars 2005”. Ndërsa në Deklaratën “Vetting” është deklaruar se kjo pasuri e ka burimin e të ardhurave “Nga puna dhe bursat e personit të lidhur, në Itali, nga viti 1992 deri në 2001”, thuhet në arsyetimin e KPK-së.

Trupa gjykuese thotë se nga përllogaritjet dhe ekspertiza e saj, pretendimet e bashkëshortit të Xhoxhajt se paratë i kishte siguruar nga “bursa e studimit dhe puna në Itali”, nuk qëndronin. KPK argumenton ndër të tjera se të ardhurat nga bursat janë akorduar për një qëllim të caktuar dhe “për këtë shkak nuk mund të krijohen prej tyre sasi të konsiderueshme kursimesh për t’u përdorur për blerje pasurie”.

Madje për më shumë KPK thotë se nga ekspertiza finaciare rezultojnë se shpenzimet e jetesës së bashkëjetuesit të Xhoxhajt gjatë qëndrimit në Itali janë 4.8 milion lekë më shumë se sa të ardhurat që ai mund të dokumentojë. Në përfundim “Komisioni gjykon se të ardhurat e pretenduara nga bursa dhe puna në të zezë  nuk janë burime të bindshme për justifikimin” e apartamentit 101 metra katrorë në Tiranë.

Xhoxhaj është mbrojtur duke i thënë KPK  se “ka pasur vështirësi në gjetjen e dokumentacionit”, pasi bëhej fjalë për fillimin e viteve 90’, po ashtu ajo pretendon se paga dhe të ardhurat që bashkëshorti ka bërë si emigrant në Itali përfshi punën në të zezë mjaftonin për të blerë apartamentin.

Ngjashëm KPK ka gjetur probleme në blerjen e një apartamenti 58.75 metra katrorë në vitin 2010 subjekti nuk kishte të ardhura të mjaftueshme në masën 450 mijë lekë. Pretendimeve të Xhoxhajt se nuk ishin marrë në konsideratë të ardhurat e krijuara prej saj duke filluar nga viti 1994, KPK i ka vënë përballë deklaratën e pasurisë bërë nga babai i saj në vitin 2003 (në një kohë që ishin në të njëtin trung familjarë) dhe arsyeton se “provohet se subjekti i rivlerësimit ka ardhur në vitin 2005 me gjendje likuiditeti 0 (zero)”, duke pohuar më pas se ajo nuk kishte të ardhura të mjaftueshme (shumën 450 mijë lekë) për të paguar pjesën takuese në apartementin e marrë në vitin 2010.

KPK thotë se subjekti ka përfituar truall me sipërfaqe 221.9 m² përmes një kontrate ndërmjet ALUIZNI-t dhe saj dhe një personi tjetër, por se  në koprrepondencë me KPK në vitin 2018 Drejtoria e ALUIZNI-t thotë se sipërfaqja e përfituar duhej të ishte 122.89 metra katrorë. Xhoxhaj është mbrojtur duke thënë se nuk ishte trajtuar preferencialisht dhe se nëse përfshihej veranda sipas llogarive të vitit 2018 diferenca ishte vetëm 12.1 metër katrorë.

KPK ka dalë në përfundimin se në deklarimet e pasurisë së Xhoxhajt ka mungesë të burimit financiar “për të justifikuar likuiditetet në vitin 2007, 2009 dhe vitin 2015, për pasojë ka kryer deklarim të rremë”. Kjo sipas KPK është bazuar në analiza finaciare të cilat llogarisnin shpenzimet vjetore për jetesë rreth 700 mijë lekë. Xhoxhaj ka thënë se i ishin ngarkuar më shumë udhëtime se sa kishte kryer dhe se një pjesë e udhëtimeve ishin paguar nga puna e saj si anëtare e KLD e të ngjashme.

Po ashtu ajo ngarkohet me përgjegjësi se ka kryer fshehje të destinacionit të kredisë. “Veprimi i kryer në cilësinë e kredimarrëses është fiktiv, ç’ka rëndon pozitën e subjektit të rivlerësimit,” shprehet KPK.. Sipas KPK-së këtu bëhej fjalë për një apartament të blerë në emër të motrës së subjektit nga babai i tyre. Apartamenti thotë KPK është deklaruar si i blerë me kredi, por shton se gjeti që “shlyerja e apartamentit të deklaruar është bërë përpara disbursimit të kredisë”.  Xhoxhaj u mbrojt duke thënë se nuk e kishte bërë ajo kontratën dhe se  kontrata e përmendur ishte e pasaktë. Ajo pretendoi se bëhej fjalë për “gabim të pastër material për sa u takon kësteve të paguara dhe vlerës së tyre”.

KPK thotë se gjeti pasaktësi dhe mungesë deklarimi sa i përket deklarimit të një sipërfaqe toke dhe një ndërtimi shtëpie në fshat tani në pronësi të nënës së Xhoxhajt. Kjo e fundit argumentoi se në këtë rast pasuritë ishin deklaruara të akumuluara për të gjithë familjen, ndërsa ajo nuk mund ta deklaronte atë në “deklaratën vetting” pasi nuk kishte titull pronësie.

Në fund KPK thotë se Xhoxhaj ka bërë deklarim të rremë sa i përket një apartamenti të privatizuar nga familja e saj në fillim të viteve 90’. Komisioni thotë se gjeti që Xhoxhaj deklaronte se ishte ¼ pjesëtare në pasurinë e krijuar nga shitja e apartamentit në nëntor 2003, por ata thonë se hetimi kishte gjetur se nga veprimet e kryera ne ZRVPP Tiranë rezulton se Xhoxhaj dhe pjesa tjetër e familjes ia kishin shitur më herët këtë apartament babait të saj dhe përfituar 300 mijë lekë nga shitja. KPK thotë se Xhoxhaj “në shpjegimet e saj anashkalon tërësisht shitjen e pasurisë” së bërë më 8 shkurt 2003, “sipas së cilës ka përfituar të ardhura në shumën 300 000 lekë”.  Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese i tha komisionit se shitja te babai ishte kryer për të shmangur një proces gjyqësorë.

Mendimi i pakicës

Genta Tafa (Bungo) anëtare në trupën gjykuese që shqyrtoi rastin, thotë se ishte dakord me disa nga gjetjet e hetimit, por ndryshe nga koleget ajo nuk bie dakord me përfundimin që nxirrej prej tyre. Kështu ajo duke iu referuar apartamentit të blerë nga bashkëshorti i Xhoxhajt në vitin 2003 thotë se “mospërputhja midis deklaratave të pasurive mund të përdoret si provë, por kjo provë nuk është e mjaftueshme për vlerësimin”.  Ajo pranon si të kuptueshme se “pamundësia objektive të subjektit” për vërtetimin me anë të dokumenteve të  të ardhurave të fituara në vitet 90’. Ajo po ashtu vë në dyshim analizën finaciare që shqyrton sipas saj shpenzimet, por jo të ardhurat e deklaruara nga subjekti. Duke arsyetuar për bursën dhe të ardhurat e tjera Tafa thotë se “Është fakt i njohur botërisht që kjo punë e studentëve është kryer “në të zezë””.

Genta Tafa shprehet se e pranon argumentin se si të ardhura sipas ligjit njiheshin vetëm ato që mund të dokumentoheshin, por thotë se që të merreshin në konsideratë si shkelje mosjustifikimi duhej të ishte sa dyfishi i pasurisë së justifikuar. “Fryma e ligjit nr. 84/2016 dhe, në mënyrë të veçantë, e Aneksit të Kushtetutës, nuk është frustruese, ajo favorizon subjektet duke legjitimuar deri në dyfishin e pasurisë së ligjshme. Ndërsa në këtë rast nuk bëhet fjalë për një masë të tillë të ardhurash”, argumentoi Tafa.

Sa i përket apartamentit 58 metra katrorë, Tafa i referohet sërish “parimit të proporcionalitetit dhe në frymën e Kushtetutës e Aneksit të saj”, duke dalë në përfundimin se shuma prej 450 mijë lekësh nuk ishte e mjaftueshme për të sjellë shkarkimin e gjyqtares. Për truallin e përfituar nga Xhoxhaj dhe bashkëshorti, Tafa thotë se gabimi në përllogaritje ishte bërë nga ALUIZNI dhe kjo “nuk mund të ngarkojë me faj subjektin”.

Ajo po ashtu del në përfundimin se pasaktësitë në plotësimin e deklaratave të pasurisë nuk mund të konsiderohen si deklarim i rremë, apo mungesë burimesh të ligjshme. “Këtë vlerësim e bazoj edhe në masën e të ardhurave të munguara nga llogaritjet e analizës financiare”, tha Tafa.

Anëtarja e trupës së KPK-së shprehet se edhe akuza për “kreditim fiktiv” nuk qëndronte. Sipas saj nga dokumentet rezulton “se shuma e kredisë së përfituar është lëvruar drejtpërdrejt në llogarinë e shoqërisë ndërtuese” dhe pavarësisht pasaktësive me datat në kontratën noteriale ishte e qartë që ajo ishte përdorur për blerjen e apartamentit.

Tafa ka vlerësuar gjithashtu se Xhoxhaj nuk kishte qenë në konflikt interesi në gjykimin e palëve që me hërët ishin gjykuar edhe nga babai i saj në Gjykatën e Apelit. “Me cilësinë e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, subjekti ka shprehur mendimin e tij në një proces kushtetues, që nuk ka aspak lidhje me procesin civil, në të cilin është shprehur personi i lidhur me të, babai i subjektit”, thotë Tafa.

Për rastet e tjera ajo thotë se ka mendim të njëjtë me shumicën por “në përfundim konkludoj ndryshe nga kjo shumicë”.  Tafa shprehet në mendimin e pakicës se “bashkohet me mendimin e shumicës në lidhje me pasaktësi në deklarime apo mungesë të të ardhurave në momente të caktuara në lidhje me veprime juridike të caktuara, por duke arsyetuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, çmoj se subjekti i rivlerësimit, Znj. Altina Xhoxhaj, ka arritur një nivel të besueshëm të pasurisë”.  Duke arsyetuar se Xhoxhaj duhej të ishte konfirmuar nga KPK në detyrën e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.