Lajm5 Apr 2018

Vetingu: Vitore Tusha konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese

Vitore Tusha është konfirmuar në detyrë në Gjykatës Kushtetuese pas procesit të rivlerësimit kalimatar duke u bërë gjyqtarja e parë që kalon me sukses testin e vetingut.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjykates Kushtetuese, Vitore Tusha, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit | Foto nga : LSA

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Alma Faskaj, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine konfirmoi të enjten në detyrë gjykatësen e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha – e cila u bë dhe gjyqtarja e parë që merr një vlerësim pozitiv nga procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Në përfundim të procesit të rivlerësimit trupa gjykuese konfirmon në detyrë subjektin e rivlerësimit Znj. Vitore Tusha,” deklaroi Alma Faskaj duke lexuar vendimin.

Vitore Tusha është gjyqtarja e tretë nga Gjykata Kushtetuese që përballet me procesin e rivlerësimit kalimtar – ose siç njihet ndryshe procesi i vetingut, pas Besnik Imerajt dhe Fatos Lulos. Imeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor dhe u referua nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit në Prokurori, ndërsa Fatos Lulo u shkarkua nga detyra pasi dispononte pasuri të pajustifikuar.

Përveç dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, tre gjyqtarë të tjerë – Ilir Pashaj, Ilir Çeliku dhe Mirela Fana, kanë dhënë dorëheqjen duke humbur të drejtën të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë për një periudhë 15 vjeçare. Dorëheqjen nga sistemi ka dhënë dhe ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla – i cili po hetohet nga Prokuroria e Durrësit për patrim parash. Llalla i ka mohuar akuzat duke i etiketuar ato si të motivuara politikisht.

Tusha është diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ajo ka punuar si përmbaruese gjyqësore në Tiranë dhe prej 1990 deri në 1992 si avokate. Në periudhën 1992-1994, Tusha ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit – ku nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka udhëhequr kolegjin civil të kësaj gjykate.

Znj. Tusha ka një karrierë të gjatë akademike. Nga viti 1986 e në vazhdim ka qenë lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollës së Magjistraturës. Ne vitin 2008 ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.