Lajm8 Feb 2019

Vrau 4 oficerë në detyrë, Apeli shpëton Dritan Dajtin nga burgu përjetë

Pesë gjykatës të Apeleve në rrethe të komanduar në Apelin e Krimeve të Rënda për të gjykuar dosjen kundër Dritan Dajtit i akuzuar për vrasjen e 4 punonjësve të policisë e dënuan atë me 25 vjet burg. Dajti ishte dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Dritan Dajti gjatë një seance gjyqësore. Screenshot nga Youtube

Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë së shtetit në vitin 2009 i është shmangur të premten burgimit të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, falë vendimit të dhënë nga Kolegji i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, i përbërë nga pesë gjyqtarët e komanduar prej Apeleve të Shkodrës dhe Vlorës.

Gjyqtari Fuat Vjerdha si kryesues dhe gjyqtarët Skënder Damini, Lindita Hoxha, Aleks Nikolli e Petrit Aliaj, anëtarë vendosën të pranonin gjykimin e shkurtuar edhe pse çështja është në gjykatë prej gati 10 vjetësh dhe se Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar hetim gjyqësor të çështjes dhe vetëm në Shkallën e Parë janë zhvilluar  mbi 250 seanca gjyqësore.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pohoi të premten zyrtarisht për BIRN se pesë gjyqtarët e sipërcituar kanë vendosur ditën e premnte që në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale të mëparshëm, të lehtësojnë Dajtin duke e dënuar përfundimisht me 25 vite heqje lirie.

Prej 10 vitesh, seancat gjyqësore për shqyrtimin e çështjes në ngarkim të Dritan Dajtit janë shtyrë vazhdimisht. Që prej vitit 2009, ai qëndron në paraburgim dhe me vendimin e fundit të gjykatës Dajti mund të ketë kryer një pjesë të mirë të dënimit.

Dritan Dajti u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Falsikimi i dokumentave” në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” duke falsifikuar dhe përdorur tre dokumenta policie, “Mbajtja pa   të drejtë e uniformës” duke mbajtur dokumente dhe shenja dalluese të Policisë së Shtetit.

Bazuar në kërkesën për gjykim ndaj Dajtit të paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ngjarja ndodhi në 7 gusht 2009 rreth orës 13.50 në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, Kastrio Feskaj dhe   shtetasi Ledjon Mara, si dhe janë plagosur shtetasit Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku. Oficerët e policisë ishin në operacion për arrestimin e Dajtit, i cili ishte në arrati që nga viti 2004 kur u arratis nga ambjentet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kur po gjykohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo në vitin 1999. Vetë Dajti mbeti i plagosur pas shkëmbimit të zjarrit.

Katër oficerët e policisë të vrarë u shpallën më pas Dëshmorë të Atdheut dhe u varrosën me cermoni zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë.

Çështja ndaj Dajtit, e cila testoi gjithë sistemin gjyqësorë në vend, u zvarrit për vite me rradhë, pas tërheqjes së njëpasnjëshme të avokatëve dhe tërheqjes së trupave gjykuese.  Megjithatë më 23 korrik 2014 Gjykata e Faktit të Krimeve të Rënda dënoi Dajtin me 4 burgime të përjetshme.

Vendimi megjithatë nuk qe jetë gjatë. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda prishi vendimin e Shkallës së Parë, pasi sipas saj nuk ishte mbajtur parasysh e drejta e Dajtit për të pasur përfaqësues ligjorë. Gjykata e Shkallës së Parë pati arsyetuar se i kishte dhënë të gjitha mundësitë për mbrojtje të akuzuarit, po ai kishte refuzuar të zgjidhte avokat, ndërsa avokatët e caktuar u tërhoqën në mënyrë të mistershme.

Në Gjykatën e Lartë bënë rekurs edhe prokuroria edhe Dajti. E para kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ndërsa Dajti kërkoi pafajësi ose zbutje të akuzës në vrasje në tejkalim të vetëmbrojtjes. Ai po ashtu pretendoi se i ishte shkelur e drejta e mbrojtjes.

Gjykata e Lartë vendosi të kthente çështje për gjykim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, duke arsyetuar se Dajtit nuk i ishte cënuar e drejta e mbrojtjes dhe se këtë ai mund ta shfrytëzonte në Gjykatën e Apelit.

Kthimi i çështjes soli edhe problemin se në këtë gjykatë nuk kishte më trupa gjykues për të shqyrtuar çështjen, pasi thuajse të gjithë gjykatësit kishin qenë një herë pjesë e gjykimit të saj me vendime të ndryshme. Për këtë rast  në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda u komanduan pesë gjyqtarë nga rrethet. Gjyqi megjithatë zgjati edhe për disa muaj të tjerë, ndërsa vendimi i të premtes ka lehtësuar ndjeshëm të akuzuarin, i cili nëse llogaritet koha e kaluar në paraburgim ka kryer një pjesë të mirë të dënimit të dhënë.