Një 40 vjeçar humbi jetën pasi u gotit nga rënia e një muri të një kabine elektrike në Pogradec. Viktima ishte punonjës i një kompanie që po punonte në një projekt të OSHEE për rinovimin e linjës 110/20 KV.
Një 40 vjeçar, punonjës i një kompanie private, e cila po realizon punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të linjës elektrike 220 KV në qytetin e Pogradecit u vra gjatë punës për rikonstruksionin e një kabine elektrike. BIRN mësoi se Paulin Mexhaj nga Tirana u godit nga një mur i kabinës i cili ishte amortizuar dhe u shemb gjatë punimeve.
Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për Korçën Artur Qeramixhi, i tha BIRN, se punonjësi i aksidentuar ishte punëtor i një kompanie private e cila po kryente punimet e rikonstruksionit të kabinave. Sipas tij bëhej fjalë për punimet e linjës 110/20 KV të Pogradecit financim i Bankës Botërore i cili ka nisur të realizohet gjatë këtij viti nga kompania NOA Development dhe Everest Shpk.
Nga ana e tyre një përfaqësues të kompanisë NOA Development të kontaktuar në telefon pretenduan se punonjësi i vrarë në aksident nuk ishte punëtor i tyre, por kërkuan kohë për të verifikuar zyrtarisht informacionin. Ata nuk iu përgjigjën disa telefonatave të tjera.
Sokol Çupi, përfaqësues i kompanisë “Everest”, që u përgjigj në numrin e telefonit të rregjistruar në Qendrën Kombëtare e Biznesit për këtë kompani, i tha BIRN se punonjësi ishte i kompanisë NOA Development.
Burime të OSHEE Korçë thanë se viktima mund të ishte punonjës i kompanisë publike nga Tirana, por që nuk ishte në Pogradec në funksion të punës së tij pranë OSHEE.
Paraprakisht policia e Korçës njoftoi se “më datë 31.10.2019, në lagjen nr.5, Pogradec, shtetasi P.M, rreth 40 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar nga një kabinë elekrike, ku ka qenë duke punuar dhe për pasojë ka gjetur vdekjen”.
Por pas verifikimit në vendngjarje rezultoi se 40 vjeçari ishte goditur nga një pjesë muri e shkëputur nga kabina, ndërsa po hetohet mbi përmbushjen e kushteve të sigurisë teknike në punë.
Me rastin e fundit numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në punë gjatë këtij viti shkoi në 29 sipas të dhënave zyrtare. Sektori i ndërtimit ka numrin më të madh të aksidenteve dhe bashkë me 40 vjeçarin 12 viktima vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti.
Një investigim i BIRN publikuar sëfundmi gjeti se numri i aksidenteve të rënda në sektorin e ndërtimit ishte në rritje, ndërsa shteti dështon të mbikqyrë dhe ndëshkojë kompanitë për mungesën e sigurisë, ndërsa ia lë fajin për aksidentet viktimave. Nga të dhënat zyrtare që BIRN ka, kompania publike OSHEE është një prej punëdhënësve publik me më shumë raste aksidentesh të rënda në vendet e punës.