Një projekt i ministrisë së Mjedisit për rehabilitimin e Lurës, i shoqëruar nga akuza për nepotizëm dhe abuzime me fondet, ka dështuar t’i ndryshojë pamjen parkut kombëtar – skenë e një masakre mjedisore të konsumuar gjatë dy dekadave të fundit.
Parku kombëtar i Lurës-dikur një nga zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut ngjan sot me fushë-betejën e një shfarosjeje masive. Në shpatin e zverdhur të malit dergjen mijëra trungje pemësh, të djegura shkrumb ose të prera dhunshëm përgjatë dekadës së fundit, ndërsa liqenjtë akullnajorë janë kthyer në moçale pa jetë.
I shtrirë rreth malit Kurona e Lurës në qarkun e Dibrës dhe me një largësi prej 137 kilometrash nga Tirana, parku kombëtar arrihet pas gjashtë orësh të mundimshme udhëtimi, vetëm me një automjet fuoristradë.
Megjithatë, 18 kilometrat e fundit që nisin prej lartësisë 1600 metra mbi nivelin e detit mund të përshkohen vetëm nga një ZIS i vjetër, i mbijetuar prej kohës së komunizmit.
Rruga gjithashtu është trashëgimi e asaj kohe, ndërsa banorët ankohen se në të nuk është vënë dorë prej dekadash.
Mijëra hektarë pyje, të përbërë nga ahu, pisha e zezë, pisha e bardhë apo arneni janë zhdukur.
“Është një masakër e kryer 10 vitet e fundit e për fat të keq, nuk u mjaftuan me rrënimin e Lurës, por tani edhe po e zhvasin,” ankohet Hasan Hoti, administratori i Fushë-Lurës.
Me zhvatje, Hoti nënkupton një projekt të ri të Ministrisë së Mjedisit, të nisur prej vitit 2014 për rigjallërimin e parkut kombëtar të Lurës përmes premtimit për mbjelljen e 2 milionë fidanëve të rinj.
Megjithatë, projekti është shoqëruar nga akuzat për nepotizëm në përzgjedhjen e kompanisë zbatuese, abuzim me fondet dhe mbjellje fidanësh të papërshtatshëm për klimën e zonës.
Përfaqësues të shoqërisë civile, të angazhuar me çështjet mjedisore i thanë BIRN se përgjatë 2 viteve të projektit në Lurë janë mbjellë një numër i kufizuar fidanësh. Ata pretendojnë se edhe në këto raste, fidanët e blerë në Holandë nuk kanë zënë, pasi janë të papërshtatshëm me klimën e zonës.
Ened Mato, i cili ka drejtuar një sërë fushatash vullnetare për mbjelljen e fidanëve në Lurë i tha BIRN se nuk ka parë pisha të mbjella rishtazi. Ai kritikon gjithashtu se nuk është vënë dorë në pastrimin e trungjeve të prera apo në ndërtim rrugësh, siç thuhej në projekt.
“Këto pisha do dalloheshin kollaj, se nuk janë pisha të vendit por të ardhura nga Hollanda që sipas specialisteve ishte gabim të mbilleshin. Nuk pamë as të ishte pastruar nga trungjet dhe degët e pishave të prera për t’u mbrojtur nga zjarri, për të cilën janë paguar rreth 100.000 euro,” thotë Mato.
Kompania fituese e tenderit, Albgarden i hedh poshtë këto pretendime.
Administratori Pjetër Trashaj i tha BIRN se kompania e tij ka mbjellë mijëra fidanë në Lurë, 90 për qind e të cilëve sipas tij janë në gjendje të mirë.
Gjatë vizitës në Lurë, BIRN identifikoi vetëm një parcelë të mbjellë me pisha pranë liqenit të Luleve. Megjithatë, fidanët ende të brishtë ngjallnin pak shpresë për mundësinë e rigjallërimit të parkut të Lurës pas përfundimit të këtij projekti.
Debatet për projektin
Malësia e Lurës, e shtrirë në 1300 hektarë tokë u shpall park kombëtar me një vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 1966. Statusi për mbrojtjen e tij u trashëgua edhe gjatë 2 dekadave e gjysmë tranzicion, por që nuk shërbeu realisht për ta mbrojtur Lurën nga shkretimi.
Në ndjekje të premtimeve elektorale të vitit 2013 që e sollën në pushtet, qeveria e majtë prezantoi një plan ambicioz për rikthimin në gjendjen e mëparshme të parkut kombëtar të Lurës.
Në qershor 2014, ministri i Mjedisit, Lefter Koka njoftoi nisjen e projektit që synonte rehabilitimin e 20 km rrugë të Parkut dhe ripyllëzimin e tij me 2 milionë fidanë si dhe ndriçim për rrugët e Parkun Kombëtar të Lurës.
“Projekti fillon me rehabilitimin e 20 km rrugë për ta bërë udhëtimin e çdo vizitori, të qetë dhe të sigurtë…. Do të fillojë ripyllëzimi i Parkut Kombëtar gjatë të cilit do të mbillen 2 milionë fidanë,” tha në atë kohë ministri Koka. “Rehabilitimi do të përfshijë edhe peizazhin natyror të 7 liqeneve të Lurës. Liqenit të Luleve do t’i kthehet pamja e dikurshme duke rehabilituar pasqyrën ujore të tij,” premtoi ai.
Në qershor 2014, u shpall edhe tenderi i parë për projektin e Lurës, që kushtoi 11.4 milionë lek dhe u fitua nga kompania “Alb Garden”.
Menjëherë pas shpalljes së fituesit, opozita denoncoi procedurat e tenderimit, duke akuzuar shpërdorim fondesh dhe konflikt interesi drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit.
Sipas akuzave të opozitës, kryetari i komisionit të tenderave për pyllëzimet në Ministrinë e Mjedisit, Ender Trashaj është i biri i administratorit të kompanisë fituese “Alb Garden”.
Administratori Pjetër Trashaj tha për BIRN se kompania e tij paraqiti ofertën më të ulët, ndaj u shpall fituese. Sipas Trashaj, asnjë nga konkurrentët në garë nuk kundërshtoi më pas procedurat.
“Nga shqyrtimi i ofertave është arritur në përfundimin që firma fituese të shpallet “Alb Garden” pasi ka ofruar ofertën më të ulët dhe ka paraqitur dokumentacionin përkatës me kapacitetin teknik, organizativ, financiar, teknologji e mjete si dhe bazën mbjellëse, (fidane pyjore),” shpjegon Trashaj. Kontrata mes Alb Garden dhe Ministrisë së Mjedisit u lidh më 16 gusht të vitit 2014, me objekt kryerjen e punimeve në “Pyllëzimeve me ngastër nr 7/a në parkun kombetar Lurë”, me fond limit 11.457.471 lekë.
Trashaj i tha BIRN se punimet në një sipërfaqe prej 20.64 ha në parkun Kombëtar të Lurës kanë filluar në periudhën shtator-tetor 2014, ndërsa në nëntor ka filluar dhe përfunduar mbjellja e 45, 862 copë fidanëve pyjore .
“Me zbatimin rigoroz të teknikës së punimeve, gjendja e fidanit aktualisht paraqitet e mirë me zënie 90% të sasisë së mbjellë,” tregon Trashaj.
Hasan Hoti nuk është i një mendjeje me Trashajn për zbatimin e kontratës dhe efikasitetin e saj në Lurë.
“Në vitin 2014, këtu nisi një projekt për ripyllëzimin e zonës dhe shtrimin e rrugës. Fakt është që rruga nuk ekziston, ndërsa punëtorët që punuan në mbjelljen e pemëve kanë pasur probleme me pagesat nga firmat zbatuese,” tregon administratori i Lurës.
Hamdi Buci, një prej 30 banorët që punuan për “Alb Garden” në këtë projekt i tha BIRN se fidanët e sjellë nuk mbinë fillimisht, sepse nuk ishin malorë. Për këtë fakt, banorët u përballën me vonesa pagash.
“Fillimisht na thanë se nuk do na paguanin, sepse nuk kishim bërë punë të mirë, por e vërteta është se fidanët që sollën nuk ishin malorë dhe nuk mbinë. Më pas sollën të rrinj, por për këtë na fajësuan ne, ndaj dhe nuk donin të na paguanin”, tregon Hamdiu.
Problematikën me punëtorët e pranon edhe administratori i kompanisë ”Alb Garden”, por arsyet sipas tij janë të tjera. Trashaj i tha BIRN se punëtorët janë paguar 100 për qind pas përmirësimit të parcelave të mbjella.
“Me pagesat e punëtorëve, ata lokalë që janë përfshirë në këtë projekt, përjashtojmë ndonjë rast kur punimet janë kryer me cilësi të dobët dhe mbas përmirësimit tyre janë marrë në dorëzim dhe janë likujduar 100%,” tha Trashaj.
Në kërkim të fidanëve
Përreth liqenit të Luleve në Lurë, është e pamundur që fidanët e mbjellë me pisha të dallohen me sy të lirë. Dy vjet pas mbjelljes, ata janë rritur vetëm pak centimetra nga toka.
Erald Buci, një 18 vjeçar i përfshirë në procesin e mbjelljes së fidanëve i tha BIRN se kompania punoi 40 ditë në këtë zonë, por pati edhe peripeci.
“Në disa vende u detyruam t’i mbillnim fidanë të rinj, pasi ata të parët nuk mbinë,” tregon 18 vjeçari.
Zona rreth liqenit të Luleve ka qenë mjaft e pasur me arnen dhe rrobull, pemë karakteristike për klimën. Megjithatë, ato u zevënduan vetëm nga fidanët e vegjël të pishës.
Përveç banorëve të zonës, dyshues për projektin e pyllëzimit janë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët i ka rënë këmbanave të alarmin jo vetëm për zhdukjen e fondeve, por dhe për degradimin e zonës.
Ened Mato, një aktivist i shoqërisë civile thotë pavarësisht premtimeve, zona po lihet të degradojë me shpejtësi. Ai shpjegon se premtimet për hapjen e rrugëve dhe sinjalistikën e parkut kanë mbetur në letër.
Në Parkun Kombëtar të Lurës gjen dhe disa tabela të thjeshta që tregojnë emërtesën e disa liqenjve. Nuk ka as rrugë të shtruar, as zonë të pastruar, as ndriçim as dhe rehabilitimim të peizazhin natyror të 7 liqeneve , siç edhe premtoi Ministri i Mjedisit në qershorin e vitit 2014.
Megjithatë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në këtë ministri, Zamir Dedej i tha BIRN se disa punë janë bërë.
“Është bërë pastrim periferik i liqeneve, është ndërtuar një çezëm dhe është rrethuar Liqeni i Luleve me gardh… si dhe janë vendosur tabela për çdo liqen me të dhënat për sipërfaqen dhe thellësinë,” i tha Dedej BIRN.
Në fakt, i vetmi investim serioz që mund të konstatoje me sy të lirë ishte hapja e disa rrugëve dytësore për kamionët e druve, që në këto vite kanë zhdukur pyllin e Lurës
Të gjithë për Lurën
E ndërsa debati mbi projektin e financuar nga Ministria e Mjedisit vazhdon, një grup aktivistësh ia kanë dalë të mbjellin mijëra fidanë në përpjekjen për të ringjallur Lurën.
Bekim Murati, drejtor i Koordinimit me Prefekturat në Ministria e Punëve të Brendshme është një prej aktivistëve që i është bashkuar kësaj nisme.
Murati është nga Lura dhe e cilëson këtë, masakrën më të madhe të ndodhur në vend.
“Për 26 vjet Lura është shkatërruar kanë prerë gjithë pyjet dhe sot jemi përballë një masakre mjedisore,” thotë ai.
Të njëjtin mendim ka dhe kreu i Agjencisë kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedei, i cili shpjegon dhe arsyet e shkatërrimit të rreth 50 përqind të sipërfaqes prej 1.042 ha që zë Parku Kombëtar. Sipas tij, masakra në Lurë ka ardhur prej një sërë faktorësh, që nga pamundësia e banorëve të zonës deri tek paaftësia e strukturave shtetërore.
“Mendoj se pylli është dëmtuar nga komuniteti lokal, i cili e pa pyllin si te vetmin burim fitimi, ndërkohë që persona të ndryshëm tregtarë i dhanë mundësinë e shitjes së lëndës drusore,” shpjegon Dedej, sipas të cilit Agjensia Kombëtare e Zonave të mbrojtura është në fazën e hartimit të projekteve rehabilituese të Parkut Kombëtar të Lurës.
Më 13 maj të këtij viti, Ministria e Mjedisit njoftoi vënien në dipozicion të një granti prej 4 milionë USD për shtimin e pyjeve në kuadër të Moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve.
Dedej i tha BIRN se në Lurë, do të vazhdojnë projektet për pastrimin e mbeturinave të cungjeve në sipërfaqet e djegura, favorizim për ripërtëritjen artificiale e natyrale me farë të pyllit si dhe të vendosjen e koshave për mbeturinat dhe tabelave informuese.
Por Ened Mato këmbëngul se nuk janë parë kërrkund këto investime, që në letra kryhen nga Ministria e Mjedisit. Sipas tij, qytetarët janë vjedhur dy herë, pëmes taksave për projekte që nuk realizohen dhe përmes vrasjes së shpresës për Lurën.
“Të gjithë jemi për Lurën, por Ministria e Mjedisit mesa duket jo. Është kundra Lurës dhe kundra nesh si qytetarë, që duam të kthejmë shpresën për Lurën dhe tërë Shqipërinë,” përfundoi Mato.